Zhvillimet në veri - Dita e tretë e protestave

17:31 – Drejtuesit e Listës Serbe ftohen nga KFOR-i për të diskutuar lidhur me kërkesën e tyre për të shtuar numrin e ushtarëve

Kryetari dhe nënkryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq, janë ftuar nga përgjegjësi i KFOR-it në Zveçan për të diskutuar lidhur me kërkesën që u bë më herët nga ana e LS-së. 

Rakiq e Simiq janë futur në perimetrin e siguruar nga KFOR-i, pra brenda pengesave dhe telave me gjemba që ka vendosur misioni i NATO-s në Kosovë.

Para më shumë se dy orësh Rakiq kërkoi të takohej më përfaqësuesin e KFOR-it dhe i njëjti doli për të biseduar me të. 

Takimi i parë për sot ndodhi pas sulmit që u bë nga protestuesit në drejtim të një veture të Policisë së Kosovës që tentoi të kalonte në mes të turmës së protestuesve, e që nga ana e kryetarit të LS-së u cilësua si provokim. 

Rakiq kërkoi nga përfaqësuesi i KFOR-it që të shtojë ekipet e misionit në terren.

16:35 – Një çadër është vendosur në afërsi të pengesave të KFOR-it në Zveçan

Tenda është montuar në prani të Listës Serbe të cilët u rikthyen prapë për të vazhduar protestën pas ndaljes së shiut.

Përpos tendës janë sjellur edhe disa ulëse për qytetarët që janë duke vazhduar protestën e tyre.

Në krahasim me dje, sot Lista Serbe nuk ka njoftuar se kur do të përfundojë protesta që ka filluar tash e tri ditë.

16:30 – Pasi ka pushuar shiu që po binte në Zveçan, Goran Rakiq dhe Igor Simiq janë rikthyer në rrugë së bashku me disa qytetarë ku po protestojnë për të tretën ditë me radhë kundër kryetarëve të komunave.

16:07 – Zveçan – Protestuesit tentojnë të sulmojnë gazetarët

Sulmet e protestueseve ndaj gazetarëve kanë vazhduar edhe sot në Komunën e Zveçanit.

Gjatë tërë ditës ekipet e gazetarëve që janë në Zveçan janë përballur me pengesa në kryerjen e punës.

Para pak minutash persona të panjohur pjesë e protestuesve kanë bërtitur në drejtim të gazetarëve e pastaj njëri nga protestuesit ka tentuar të sulmojë gazetarin e Radiotelevizionit 21, Burim Zariqi.

Personi i panjohur pjesë e protestës, shihet në video duke tentuar të ndaloj të xhiroj gazetarin.

15:40 – Përfaqësuesi i KFOR-it në Zveçan del nga komuna dhe bisedon me Listën Serbe

Përfaqësuesi i KFOR në Zveçan ka dal nga objekti i komunës dhe ka biseduar me Listën Serbe.

Goran Rakiq, kryetar i kësaj partie, pas sulmit që qytetarët bën ndaj Policisë së Kosovës, gjë të cilën Rakiq e cilësoi si provokim, kërkoi nga KFOR-i që të shtojnë ekipet e tyre në terren në Zveçan.

Nga KFOR-i u tha se kjo kërkesë do të shqyrtohet, mirëpo nga ana e misionit të NATO-s në Kosovë u përmend edhe situata tensionuese që u krijua të hënën.

Përfaqësuesi amerikan ia kujtoi Rakiqit që KFOR-i i ka disa ushtar të lënduar e mandej edhe me plagë nga arma e zjarrit.

Po ashtu, ai përmendi që plumbat të cilët u gjetën nga ana e KFOR-it që u qëlluan në drejtim të pjesëtarëve të tyre, nuk janë plumba që posedohen nga ana e misionit të NATO-s.

Ndër të tjera, përfaqësuesi i KFOR i tha Rakiq që do e diskutoj kërkesën e tij më grupin e tij punues dhe do e njoftoj atë për një përgjigje pozitive apo negative.

14:38 – Në Leposaviq protesta pritet të vazhdojë edhe pas orës 16:00

Për dallim nga dy komunat me shumicë serbe ku ka tensione, Zveçan e Zubin Potok në të cilat protestat po vazhdojnë kryesisht deri në orën 16:00 në përfundim të orarit zyrtar të punës, në Leposaviq situatat është më ndryshe.

Në këtë komunë protesta do të vazhdoj edhe pas orës 16:00. Kjo për shkak se brenda objektit gjendet kryetari Lulzim Hetemi ndryshe nga ata të Zveçanit e Zubin Potokut të cilët kanë zgjedhur të zhvendosin zyret e tyre në objekte të tjera lokale.

Protesta në Leposaviq do të vazhdoj deri në orët e mbrëmjes ngjashëm sikurse dy ditët që kaluan.

Numri i protestuesve tani nga Leposaviqi nuk është i lartë.

Të rinj e të vjetër, burra e gra janë bashkangjitur që nga mëngjesi i sotëm për të protestuar në lidhje me siç e quajnë ata uzurpimin e komunës së Leposaviqit nga ana e kryetarit Hetemi dhe policisë së Kosovës.

Në një diskutim me media, ish-Kryetari i Leposaviqit Zoran Todiq tha se kërkesat e tyre janë të qarta që kryetari e njësitë speciale të largohen nga ndërtesa e komunës si dhe KFOR të largohen pengesat që ka vendosur pasi kjo po pamundëson hyrjen në ndërtesë të qytetarëve serb që punojnë në këtë objekt. 

14:28 – Goditet me gurë vetura e Policisë në Zveçan 

Një veturë e Policisë së Kosovës është goditur me gurë nga protestuesit në Zveçan. 

Nga pamjet e siguruara nga ekipi i KALLXO.com shihet se xhami mbrapa i kësaj veture është thyer.

14:26 – Sulmohet dhe thyhet vetura e ekipit të KALLXO.com në Zveçan

Persona të panjohur kanë thyer dritaren e veturës së ekipit të KALLXO.com i cili po raporton nga Komuna e Zveçanit.

Dritarja mbrapa e veturës është thyer.

Fatmirësisht stafi i KALLXO.com që gjende në Zveçan nuk është lënduar.

Ekipet e gazetarëve të cilët janë duke raportuar nga Zveçani dhe Leposaviqi janë përballur me sulme dhe pengesa në raporti.

Ekipi  i KALLXO, Shkodrane Dakaj dhe kameramani Afrim Ejupi në momentin e dëmtimit të veturës nuk kanë qenë prezent, të njëjtit raportojnë se janë mirë dhe se janë duek vazhduar punën e tyre.

13:24 -Thyhen xhamat dhe i dëmtohen gomat veturës së RTV Dukagjinit në Zveçan

Vetura e Radiotelevizionit Dukagjinit është thyer sot në Zveçan prej ku gazetarët po raportojnë për protestat që po zhvillohen atje.

Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK të cilët përmes një postimi në Facebook kanë thënë se kjo është vetura e dytë e këtij mediumi që është vandalizuar nga protestuesit lokalë.

Sipas, AGK-së nga ky sulm raportohet se nuk ka të lënduar.

“Ekipit të RTV Dukagjini gjatë raportimit në Zveçan i është dëmtuar vetura. Fatmirësisht raportohet se nuk ka të lënduar, në ndërkohë që kjo është vetura e dytë e këtij mediumi që është vandalizuar nga protestuesit lokalë” – thuhet në njoftimin e AGK-së.

Sipas, AGK-së në vazhdën e ngjarjeve në komunat veriore të Kosovës, ky është sulmi i 16 në drejtim të mediave brenda dy ditësh.

13:12 – Largohen veturat nga oborri i Komunës së Leposaviqit

Kërkesa që të largohen 4 vetura, një e kompanisë MtS dhe tri vetura të tjera të qytetarëve të Leposaviqit u aprovua nga KFOR dhe menjëherë nisi edhe identifikimi i pronarëve të atyre veturave.

Disa minuta pasi u bë identifikimi ishin ushtaraket amerikan që nga rrethojat larguan tri veturat.

Para se të hapnin dyert e rrethojave KFOR-i urdhëroi me anë te një komunikimi prijësit e protestës që qytetarët të largohen dhe të dalin në pjesën tjetër të rrugës.

Një kërkesë e tillë ishte edhe për gazetarët, pra që gatë kohës sa dalin veturat raportimi të bëhej disa metra më larg.

Katër veturat te cilat mbeten nën rrethoja kishin 3 dite që ishin brenda pra që nga orët e hershme të mëngjesit të së hënës.

12:58

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë arrin në garnizonin e Rashkës

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, arriti në garnizonin e Rashkës, afër kufirit me Kosovën, ku është vendosur një pjesë e ushtrisë së Serbisë, raporton REL.

Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi njoftoi se Vuçeviq do të diskutojë për situatën aktuale të sigurisë me oficerë të lartë të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ushtria serbe është në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake që nga 26 maji.

Vuçiq e mori këtë vendim pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Foto: Ministria e Mbrojtjes e Serbisë

12:54

Kurti: Pezullimi nga “Defender Europe” është fatkeqësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një bisedë me Radion Evropa e Lirë se pezullimi i Kosovës nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe” është një fatkeqësi.

“Më lejoni të theksoj se SHBA-ja është mike, partnere e aleate e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për demokracinë dhe zhvillimin tonë” – tha Kurti.

Kujtojmë se SHBA-ja, të martën, e përjashtoi Kosovën nga pjesëmarrja në “Defender Europe” – një stërvitje ushtarake e udhëhequr nga Amerika në Evropë – me arsyetimin se Kosova i injoroi këshillat e saj për të shmangur rritjen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

12:46 – Macron: Autoritetet e Kosovës mbajnë përgjegjësi për trazirat që janë rritur ndjeshëm

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës, prej se kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën në komunat me shumicë serbe.

Macron i bëri komentet në një konferencë për sigurinë në Bratisllavë, raporton REL.

12:30

Kurti flet për protestuesit: E kanë kryeministrin që është i gatshëm t’i dëgjojë e ndoshta pajtohet me ta

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paraqitur gatishmërinë e tij për t’i dëgjuar protestuesit në veri, në rast se ata të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri Kurti ka dhënë një deklaratë në Forumn e  Bratislavës GLOBSEC2023 në Sllovaki, ku ka deklaruar se në takim me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak ka thënë në mes tjerash se do t’i mirëkuptonte protestuesit dhe do të ishte i gatshëm s kryeministër t’i dëgjonte, e ndoshta të pajtohej me ta.

“Nëse duan protesta paqësore me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, e kanë kryeministrin që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është shumë i gatshëm t’i dëgjojë e ndoshta edhe të pajtohem me ta” – tha Kurti.

12:10

Kurti: Për aq sa do të ketë turma që sulmojnë nga jashtë, duhet të kemi policinë tonë në objektet komunale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në lidhje me situatën e krijuar në veri të vendit në Forumin e Bratislavës GLOBSEC2023 në Sllovaki.

Kurti thotë se kryetarët e rinj janë me “k” të vogël jo me “K” të madhe dhe siç tha ai “nuk mund të them se kanë legjimitet të plotë politik por ligjshmëria, kushtetutshmëria duhet të jetë e zbatuar, ata janë kryetarë”.

“Kryetarët e rinj të zgjedhur janë me ‘k’ të vogël jo me ‘K’ të madhe për shkak se dalja në zgjedhje ka qenë e vogël dhe nuk mund të them se kanë legjimitet të plotë politik por ligjshmëria, kushtetutshmëria duhet të jetë e zbatuar, ata janë kryetarë. Bashkësia ndërkombëtare e ka njohur procesin dhe i ka njohur rezultatet por kur këta kryetarë u deshën të shkonin zyrat e tyre ne komunë, janë organizuar turma të dhunshme që kanë sulmuar policët tanë dhe KFOR-in”- ka deklaruar ai.

12:00

Konjufca flet për sanksionet e Amerikës: E pranojmë, është një gjë e keqe për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka komentuar sanksionet e djeshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilin thotë se është një keqkuptim dhe se duhet ketë takime më të thella.

“Nuk është hera parë që po na ndodh kjo. Ishte edhe para dy viteve edhe çështja e reciprocitetit ku hasem në një gjuhë të ashpër nga ShBA-të në një qortim të ashpër. Kjo nuk është e mirë për ne, natyrisht. E pranojmë që është një gjë e keqe për Kosovën. Gjithçka që duhet të bëjmë mendoj është ta bëjmë një dialog të hapur me të gjithë miqtë dhe partnerët që t’i argumentojmë më mirë pozicionet tona”- tha ai.

Konjufca thotë se pozicioni i Kosovës nuk po kuptohet drejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

11:24

Personeli shëndetësor i bashkohet protestës në Zveçan

Qytetarë me mantila të bardhë i janë bashkuar protestës që po mbahet më Zveçan.

Të njëjtit janë vendosur në krye të protestës, e me vete patën një flamur të Serbisë.

Dragisa Miloviq, ish kryetari i komunës së Zveçani pati një prononcim për media.

Ai tha se kanë dalur “për protestë paqësore, nuk janë këtu as për dhunë e as për luftë dhe se në mesin e tyre nuk ka grupe krimianale, as grupe nga Serbia e as nga Wagner, por as të rinjtë që kanë pretendim që të djegin gjithçka që nuk është serbe”.

I njëjti ka folur edhe për arrestimin e dy qytetarëve serb në Jarinjë, duke treguar se “kanë informata që në ora 12:00 të njëjtët do të dalin para gjykatës në Prishtinë”.

Ndonëse të hënën protestuesit serb sulmuan pjesëtarët e KFOR, ku 30 prej tyre mbetën të lënduar e tre nga ta u goditën edhe me armë zjarri, Miloviq sot tha se nuk janë kundër KFOR dhe se kërkesa e tyre është që njësia speciale e Kosovës të lirojë objektin e komunës.

Për krahasim me ditët e tjera, dita e tretë e protestës po shoqërohet me një numër më të madh të qytetarëve.

KFOR para kordonit të tyre ka shtuar edhe tela me gjemba.

11:16

Personeli shëndetësor i bashkohet protestës në Zveçan

Edhe mantelbardhët iu bashkuan protestës që po mbahet më Zveçan. Të njëjtët janë vendosur në krye të protestës, e në duar disa prej tyre po e mbajnë edhe flamurin e Serbisë.

Një nga protestuesit, Dragisa Miloviq, tha se kanë dalur “për protestë për paqësore, nuk janë këtu as për dhunë e as për luftë dhe se në mesin e tyre nuk ka grupe krimianale as grupe nga Serbia e as nga Wagner, por as të rinj që kanë pretendim që të djegin gjithçka që nuk është serbe”.

I njëjti ka folur edhe për arrestimin e dy qytetarëve serbë në Jarinjë, duke treguar “se kanë informata që në ora 12:00 të njëjtët do të dalin para Gjykatës në Prishtinë”.

10:54

Shtohen telat me gjemba në Leposaviq

Për dallim nga dy ditët e kaluara kur në hapësirat e oborrit të komunës shihej vetëm një pengesë, tela me gjemba, sot është ndryshe në Leposaviq.

KFOR-i ka shtuar edhe tri pengesa/tela me gjemba për të ofruar më shumë siguri në lidhje me protestën që po mbahet në këtë komunë.

Përveç shtimit të telave me gjemba është zgjeruar edhe perimetri i sigurisë.

KFOR ka zgjeruar hapësirën e vendosjes së telave me gjemba.

Situata në Leposaviq është aktualisht e qetë dhe protestës edhe sot po i prijnë ish kryetari Zoran Todiq dhe ish deputeti Sllavko Simiq.

Protestues të shumtë, të moshave të ndryshme janë grumbulluar për të protestuar afër komunës së Leposaviqit ndërsa kërkesat e tyre janë që të largohet kryetari aktual Lulzim Hetemi nga komuna, policia dhe rrethojat.


10:34

Kurti arrin në Bratisllavë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Bratisllavë për të marrë pjesë në ‘Forumin e Bratislavës GLOBSEC2023’ në Sllovaki.

Kjo është bërë e ditur në njoftimin e forumit në twitter.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në Forumin #GLOBSEC2023 Bratislava. Dëgjojeni atë më vonë në një diskutime titull: Në qendër të vëmendjes: Ardhmëria e Kosovës”- thuhet në njoftim.

10:18

Lajçak për situatën në veri: Problemi nuk është se kush e filloi, nëse kriza nuk përfundon të gjithë humbasin

I dërguari i posaqëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak ka folur për situatën në veri për gazetën italiane “La Stampa”.

Sipas Lajçak, problemi nuk është se kush e filloi, teksa shton se nëse kriza nuk përfundon, të gjithë humbasin.

“Problemi nuk është se kush e filloi. Nëse kriza nuk përfundon, të gjithë humbasin. Rusia nuk ka propozim, e ardhmja e Ballkanit është në Evropë” – ka thënë emisari Lajçak.

09:55

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kërkon veprim të menjëhershëm ndaj Serbisë pas zhvillimeve në Veri

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka kërkuar nga administrata amerikane që të marr masa ndaj Serbisë për Nxitje të Dhunës dhe Sulm Ndaj Trupave të NATO-s në Kosovë.

Në një deklaratë dërguar mediave, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka theksuar se palët duhet ti kthehen dialogut për njohje reciproke të udhëhequr nga SHBA-të.

“Para se të bëhet vonë, i bëjmë thirrje administratës amerikane që t’i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë dhe të insistojë që çdo dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të udhëhiqet nga SHBA dhe të ketë në qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë, siç është deklaruar qartë Presidenti Biden dhe katër presidentët para tij”- thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Poashtu Komuniteti ka pasur edhe një kërkesë ndaj Qeverisë së Kosovës dhe partive opozitare.

“Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës dhe partitë opozitare që të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb, dhe të koordinohen ngushtë me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- thuhet tutje aty.

 

Deklarata e plotë e Komuniteti Shqiptaro-Amerikan:

Uashington D.C. – 31 Maj 2023

 Jemi dëshmitarë të akteve të dhunës së kryer nga grupe të organizuara pro-ruse nga Serbia ndaj policëve të Kosovës, trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe gazetarëve në veriun e Kosovës.

 Aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga rexhimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë.  Këto akte dhune nga Vucici dhe falangat e tij, brenda territorit sovran të Republikës së Kosovës, nuk mund të kalojnë pa një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombtar.

 Ne jemi të shqetësuar se qëllimi i rexhimit të Beogradit, në përputhje me lojalitetin e tyre ndaj Rusisë, është që konflikti të shpërthejë dhe të përhapet në vendet fqinje, duke ndezur potencialisht luftëra të reja në Ballkan – për të hapur një front tjetër në Evropë.  Është e domosdoshme që SHBA dhe aleatët e saj të kuptojnë më në fund peshën e rëndë të situatës dhe të marrin një qëndrim të vendosur kundër shantazhit nga Serbia në vend të përkëdheljes së vazhdueshme ndaj provokimeve të saj. Është thelbësore që Serbia të kuptojë përkushtimin e Perëndimit drejt paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, dhe se pasojat e veprimeve në kundërshtim me këtë do të jenë të rrepta.

 Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës dhe partitë opozitare që të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb, dhe të koordinohen ngushtë me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Përkundër mungesës së fundit të masave të domosdoshme kundër Vucicit dhe ndërmarrjes së tij kriminale, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të jenë mbështetës i fuqishëm i sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës – përkushtuar për të mbështetur demokracinë e saj pa përjashtim.

 Po ashtu, para se të bëhet vonë, i bëjmë thirrje administratës amerikane që t’i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë dhe të insistojë që çdo dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të udhëhiqet nga SHBA dhe të ketë në qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Sërbisë, siç është deklaruar qartë Presidenti Biden dhe katër presidentët para tij.

 Duke forcuar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të dy vendet mund të punojnë drejt përfundimit të ciklit të dhunës dhe arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Ballkan, duke evituar ndikimin dhe agresionin rus dhe kinez në Evropën Juglindore.

Nënshkruesit e deklaratës, Organizatat shqiptaro-amerikane:

Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA)

Batalioni Atlantiku – Atlantic Battalion

Federata Panshiqptare – VATRA

Shoqata Malesia e Madhe, Neë York

Shoqata Malesia e Madhe, Michigan

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nga Illinois (KShAI)

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare

Shoqata Peja – Neë York

Shoqata Kraja

Shoqata Ulqini – Chicago

Shoqata Çameria

Shoqata Prespa – Chicago

Shoqata Uskana

Fondacioni Plavë Guci

Shoqata Ana e Malit

Shoqata Valet e Liqenit

Shoqata Jehona – Michigan

Fondacioni Lukaj

09:32 

Gjenden maska, thika, substanca narkotike e emblema me simbole nacionaliste serbe në një veturë, arrestohen dy persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë natës, në veri të vendit, ka ndaluar një automjet me targa të Sllovenisë), me të cilin ishin duke qarkulluar dy serbë.

Sipas policisë, dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione  etj.

Dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat dyshohet se mund të përdoren për veprime të dhunshme janë: një (1) shufër metalike (policore),  një (1) maskë kamuflazhi, disa thika, disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S), disa lloje të dyshuara të substancave narkotike, telefona celularë, sprej të ndryshëm, sfera metalike, lidhëse plastike, një (1) automjet, një (1) kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe  një (1) kartelë të akademisë për siguri e Serbisë një (1) çekan etj.

Tutje policia sqaron se pas intervistimit, ndaj dy personave të dyshuar, me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

09:25

Tensionet në Veri, Osmani udhëton për në Moldavi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta  përfaqësojë e Kosovën në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Sipas një komunikate për media, Osmani do t’i bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, “me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”.

Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, në njoftim thuhet se presidentja do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.

09:00

Zveçan, qytetarët mblidhen për të protestuar para objektit të komunës

Rrugët e Zveçanit janë të mbushura me vetura pas thirrjes për pjesëmarrje masive në protestën e sotme që ka filluar të mbahet pranë objektit të komunës në këtë qytet.

Në numër të shumtë sot janë mbledhur qytetarët serb pranë objektit të komunës në Zveçan.

Ata po prihen nga Lista Serbe, saktësisht nga kryetari Goran Rakiq e nënkryetari Igor Simiq, të cilën po qëndrojnë shumë afër pengesës që është vendosur për të bllokuar lëvizjen e qytetarëve.

Edhe pengesat e KFOR-it sot janë forcuar, tela me gjemba shihet të jenë vendosur pak para kordonit që kanë krijuar pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë.

Në anën tjetër, një flamur gjigand serb u shpalos nga ana e qytetarëve, flamur ky i cili u largua prapë nga protestuesit pas gati 10 minutave.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar edhe sot në Zveçan. Për të arritur krejt në fillim të protestuesëve këtij ekipi iu desh të kaloj nëpërmjet tyre, e rruga deri pranë objektit komunal ishte e mbushur me vetura të qytetarëve serb.

08:45

Blinken: Vuçiq të ulë statusin e sugurisë të forcave të armatosura

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Blinken ka theksuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Qeveria e tij duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura të Serbisë dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.

“Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme” – thuhet mes tjerash në reagim.

08:34

Kurti tha se Policia do jetë në veri, Blinken i kërkon tërheqjen e tyre

Vetëm disa orë pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se Policia nuk do të tërhiqet nga veriu për aq kohë sa ka grupe të dhunshme në rrugë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që t`i tërheqë forcat policore nga atje.

Sekretari Blinken i bëri thirrje edhe Kosovës, edhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai përsëriti se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe në veri, i përshkallëzoi tensionet “në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme”.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe t’i tërheqin forcat policore prej atje. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Kryeministri i Kosovës, në një intervistë për CNN, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me situatën e krijuar në veri.

Por, ai ka theksuar se nuk “nuk do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashite”.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashiste”, tha Kurti.

Këto deklarata Kurti i bëri pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.