A ka raste të dhunës nga mësimdhënësit ndaj nxënësve në shkollat e çerdhet e Prizrenit?

Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Prizren, ka treguar se që nga marrja e mandatit të saj e deri më sot nuk ka pasur asnjë rast të raportuar ku dyshohet se ka pasur dhunë ndaj nxenësve nga mësimdhënësit në çerdhe apo shkolla të këtij qyteti.

Veselaj-Gutaj ka thënë në “Kallxo Përnime” se me të marrë detyrën ka iniciuar punimet në rregulloren e institucioneve arsimore në Komunën e Prizrenit, kjo pasi sipas drejtoreshës kësaj komune i ka munguar një rregullore e tillë.

“Rregullorja, përpos rregullave, përgjegjësive dhe detyrave të secilit pejsëmarrës në sektorin e arsimit parasheh edhe masat disiplinore ndëshkuese” – ka thënë drejtoresha.

Tutje ajo tregoi se kjo rregullore ende nuk është votuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit, pasi është në përkthim.

Drejtoresha tregoi se janë në fazën finale për këtë rregullore.

Veselaj-Gutaj tregoi se Prizreni ka një komision që trajton ankesat dhe kërkesat e drejtorëve, prindërve dhe nxënësve.

Ajo tha se ka mësimdhënës që u janë shkëputur kontratat, drejtorë që kanë marrë vërejtje e po ashtu edhe punëtorë teknikë që kanë marrë vërejtje.