Rrënimi i shtëpisë së familjes Myftiu në zonën e mbrojtur historike në Prizren – Foto: “Ec Ma Ndryshe”

Kallëzim Penal për Rrënim të Objektit të Mbrojtur

Policia e Prizrenit e ka deponuar dje në prokurori kallëzimin penal kundër të dyshuarve A. M. dhe F. G. për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale dëmtim, shkatërrim dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës.

Sipas Policisë, ky rast ka të bëjë me rrënimin e shtëpisë së familjes Myftiu, e cila gjendej në zonën e mbrojtur historike.

Në lidhje me këtë, më 18 dhjetor 2017 pati reaguar edhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe”.

Sipas OJQ-së, shtëpia në fjalë është inventarizuar në vitin 2003, derisa nën mbrojtje të përkohshme është nga viti 2015-2016 dhe është klasifikuar si monument.

“Ajo është ndërtuar në shekullin XIX, gjegjësisht më 1859, dhe tërë kohën ka shërbyer për banim. Autoritetet e trashëgimisë kulturore kanë bërë të ditur se në enterier shtëpia ruante elemente dhe objekte origjinale të kohës dhe kishte vlera arkitektonike-artistike si në eksterier, ashtu edhe në enterier”, thuhej në reagimin e OJQ-së “Ec Ma Ndryshe”.