Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Kadri Veseli nuk Merr Pjesë në Gjykimin e Deputetëve

Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit përsëri nuk do të dëshmojë në gjykimin e katër deputetëve të Vetëvendosjes për lotsjellësin.

Veselit praninë në gjykatë si dëshmitar ia ka pamundësuar shtyrja e seancës për një orë.

Kabineti i kryetarit Kuvendit të Kosovës tregon për KALLXO.com se Veseli ishte në gjykatë në orën 9:00, por e ka të pamundur për shkak të agjendës të jetë atje një orë më vonë.

“Për shkak të ndërrimit të kohës së seancës, pa njoftim paraprak, dhe agjendës së planifikuar më herët, në takime dhe aktivitete të tjera ditore, ai e ka të pamundur të merr pjesë në seancë gjyqësore”, shpjegon kabineti i kryetarit Veseli.

Megjithatë, kjo zyrë bën të ditur se Veseli është i gatshëm të dëshmojë.

“Kryeparlamentari Veseli ashtu siç ka deklaruar edhe më herët, është i hapur që të bashkëpunojë me sistemin e drejtësisë lidhur më këtë rast që po gjykohet dhe do t’i përgjigjet ftesës edhe herave të tjera, siç ka bërë edhe sot”, thuhet në deklaratën e kabinetit të kryeparlamentarit Veseli.

Veseli nuk ka marrë pjesë në seancat e mëparshme të këtij gjykimi kur ishte ftuar si dëshmitar.

Ai ishte gjobitur një herë për mungesën në këtë gjykim.