Thirrje për Lumezin që të hetohet vendimi i Fatmir Matoshit për hidrocentrale

Koalicioni i organizatave “Pro Open” i ka bërë thirrje kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi që të nis hetime për vendimin e ministrit në largim, Fatmir Matoshi që të zhbllokoj procedurat për dhënien e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme raporti për vendimin e ministrit për të zhbllokuar procedurat e dhënies së lejeve në kohë të fushatës zgjedhore.

Vendimi skandaloz para zgjedhjeve, ministri i zhbllokon lejet për hidrocentrale

Sot gjatë ditës, koalicioni i organizatave “Pro Open” ka reaguar duke kërkuar që urgjentisht të respektohet moratoriumi i vendosur në maj të 2018 për pezullimin e licencave.

“Koalicioni Pro Open kërkon urgjentisht që të respektohet moratoriumi i vendosur në maj të vitit 2018 për pezullimin e licencave derisa të bëhet një vlerësimi i ri dhe i mirëfilltë i kapaciteteve ujore në vend si dhe ndikimit të hidrocentraleve të vogla në cilësinë e mjedisit dhe mirëqenien e qytetarëve që jetojnë në afërsi”, thuhet në reagimin e koalicionit Pro Open.

Tutje, përmes këtij reagimi, ky koalicion kërkon nga Ministria e Ambientit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe nga komunat përkatëse që t’i ndalin urgjentisht procedurat për dhënien e lejeve të reja.

“Qeveria e Kosovës ka vënë cak që deri më 2025 të arrijë të prodhojë 25% të energjisë përmes burimeve të ripërtëritshme, duke vënë theks në eksploatimin e burimeve ujore. Në Kosovë janë 13 hidrocentrale aktive – ndërsa planifikohen të ndërtohen edhe mbi 100 hidrocentrale të vogla – kryesisht në hapësira brenda parqeve nacionale”, thuhet tutje në kët reagim.

Përmes kësaj komunikate u është kërkuar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi që të nisë urgjentisht hetime për ëktë vendim, që sipas koalicionit Pro Open bie ndesh me ligjet në fuqi.

“Bazuar në shkrimet e mediave, koalicioni Pro Open i bën thirrje Kryeprokurorit të Shtetit z. Aleksandër Lumezit, që urgjentisht të nisë hetimin e këtij rasti, pasi që ky vendim bie ndesh me Ligjet në fuqi dhe sjellë dyshime për një ndikim të mundshëm të përfituesve te Ministri”, thuhet në reagim.

Koalicioni për Hapje të të Dhënave dhe Llogaridhënie në Prokurim Publik – Pro Open, përbëhet nga këto organizata:

  • Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – Luan Shllaku
  • FOL – Mexhide Demolli Nimani
  • Çohu – Arton Demhasaj
  • ERA – Fatos Lajçi
  • INPO – Albulena Nrecaj
  • KDI – Ismet Kryeziu
  • GAIA – Granit Gashi
  • KADC – Arben Lila
  • Instituti Riinvest – Alban Hashani
  • Ec Ma Ndryshe – Valon Xhabali
  • Demokraci Plus – Valmir Ismaili
  • Instituti Columbus – Dardan Selimaj