Arkiv

Rasti ‘Hidrocentralet’, Apeli vërteton pafajësinë e katër ish-ministrave të ‘Qeverisë Thaçi 2’

Apeli ka marrë vendim me të cilin e ka hedhur poshtë ankesën e Prokurorisë Speciale kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, pasi kjo e fundit kishte liruar nga akuza katër ish ministrat e  ‘Qeverisë Thaçi 2’ që akuzoheshin për privatizimin e katër hidrocentraleve.

Apeli ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për lirimin nga akuza për veprën penale keqpërdorim të detyrës zyrtare, Besim Beqën, Mimoza Kusari Lilën, Dardan Gashin dhe Nenad Rashiqin si dhe Fllanza Hoxhën e Arben Xhukën.

“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr**** i datës 07.11.2022 Vërtetohet”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Kundër aktgjykimit të themelores kishte ushtruar ankesë Prokuroria Speciale mbi bazën e shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes se ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar që rastin ta kthej në shkallë të parë për rigjykim.

Por me këto pretendime të Prokurorisë Speciale nuk u pajtua Apeli duke e konsideruar sit të pa bazuar ankesën.

“Gjykata e Apelit, shqyrtoi aktgjykimin e ankimuar, detyrimisht në kuptim të dispozitës së nenit 394 par.1 të KPPK, vlerësoi pretendimet ankimore të Prokurorisë si dhe përgjigjet në ankesë të mbrojtëseve të akuzuarve, së bashku me shkresat tjera të lëndës dhe pas vlerësimit të shkresave të lëndës, gjeti se: ankesa e Prokurorisë Speciale nuk është e bazuar”- vazhdon tutje aktgjykimi.

Apeli tutje ka theksuar se aktgjykimi i themelores nuk përmban ndonjë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se prokuroria në ankesë nuk iu ka referuar specifikisht ndonjë dispozite për shkelje esenciale.

Apeli vazhdon tutje duke treguar se aktgjykimi i themelores është i kuptueshëm dhe nuk përmban kundërthënie me vetveten, është i qartë dhe konkret.

“Kolegji çmon se diapozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ekzistojnë kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret”- thotë tutje Apeli.

Sipas Apelit, organi i akuzës nuk e ka specifikuar në mënyrë të duhur se cili akt ligjor është shkelur. Organi i akuzës sipas apelit ka bërë referenca të gabuara ligjore, pasi që ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nuk ka qenë në fuqi në kohën kur prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprat penale.

“… organi akuzës nuk ka potencuar apo vërtetuar në mënyrë të duhur se cili akt ligjor apo nënligjor është shkelur. Në këtë kontekst organi akuzës ka bërë referenca të gabuara ligjore për arsye se Ligjin për Rregullatorin e Energjisë Elektrike, respektivisht nenin 35 paragrafi 4 të Ligjit Nr.05/L-084, nuk ka qenë në fuqi në kohën për të cilën prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën/veprat penale, pasi që Ligji në fjalë është ligj i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2016, dhe se në kohën për të cilën akti akuzues i ngarkon të akuzuarit (viti 2013), pra ky ligj nuk ka qenë në fuqi, në fakt as që ka qenë i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”- thotë Apeli.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK