Paraqitet si provë në Gjykatë një raportim i KALLXO.om në rastin e hidrocentraleve të Deçanit

Është mbajtur seanca përgatitorë në lidhje me lejet dhe licencat e “KelKos Energy” të lëshuara nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Në këtë proces si palë të paditura janë Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit si dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë nga Faton Sylejmani, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi, që të tre nga Deçani.

Në cilësinë e përfaqësuesit të paditësve ishte Valtida Shukriu, e cila deklaroi se qëndron në tërësi pranë padisë dhe kërkesë-padisë të parashtruar në Gjykatë.

Shukriu tha që shtatë vendimet të cilat janë dhënë nga Ministria e Mjedisit dhe ZRRE janë të përfshira në një proces të shkeljeve direkte të ligjeve si dhe Kushtetutës.

“Duke argumentuar me të gjitha provat që janë paraqitur pranë kësaj gjykate, për të konstatuar se 7 vendimet dhe lejet që janë dhënë nga Ministria e Mjedisit dhe nga ZRRE, kanë filluar me një proces të shkeljes direkte të ligjeve dhe mbi të gjitha shkeljes së aktit më të lartë ligjor – Kushtetutës”- tha Shukriu.

E njëjta shtoi se ky proces kishte jotransparencë pasi që ishte kufizuar kyçja e qytetarëve për ta kuptuar gjithë procesin aty ku janë të ndërtuara hidrocentralet.

Ndër të tjera Shukriu paraqiti disa prova e një ndër to ishte si provë  edhe një publikim i KALLXO.com, publikimi ky i cili fliste mbi largimin e drejtorit të autoritetit të pellgjeve lumore e 25 majit 2021.

Kurse përfaqësuesi i të paditurës së dytë, ZRRE-së, Ymridin Misini, kundërshtoi në tërësi padinë dhe kërkesë-padinë e paditësve.

Misini deklaroi që pretendimet e paditësve se vendimet për lëshimin e licencave të subjektit juridik “Kelkos” janë të paligjshme, nuk qëndrojnë, pasi që për to është respektuar parimi I ligjshmërisë.

Gjithashtu Misini kundërshtoi edhe pretendimet e paditësve së nuk është vepruar në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe të proporcionalitetit, pasi që ZRRE ka zbatuar drejt këto parime kur ka vendosur me vendime përkatëse për lëshimin e licencave.

“Pretendimet e palës paditëse sa i përket ZRRE-së , se nuk është vepruar në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe të proporcionalitetit nuk qëndrojnë, për faktin se e paditura e dytë ka zbatuar drejt këto parime kur ka vendosur me vendime përkatëse për lëshimin e licencave të operimit për subjektin juridik duke respektuar parimin kushtetues”- tha tutje Misini.

Se kundërshton padinë e paditësve u deklarua edhe përfaqësuesi i palës së interesit “Kelkos”, Granit Vokshi.

I njëjti tha që padia është e pabazuar plotësisht në aspektin material, pasi që në seancën e sotme sfidohen gjithsej shtatë akte administrative, e në padi sfidohen nëntë të tilla.

“Padia edhe në aspektin material është krejtësisht e pabazuar. Paditësit në seancën e sotme theksuan se sfidohen gjithsej 7 akte administrative, ndërsa që sipas padisë sfidohen gjithsej 9 akte administrative”- tha Vokshi.

Vokshi gjithashtu kundërshtoi edhe pretendimin sa i përket rrezikimit të ujit të pijshëm nga këto hidrocentrale, duke thënë se “Kelkos” ka ofruar prova se uji në Deçan nuk sigurohet nga ujërat sipërfaqësore.

“Pala e interesuar ‘Kelkos Energy’ ka ofruar prova se uji në Deçan nuk sigurohet nga ujërat sipërfaqësore, në fakt, sipas statistikave, vetëm 2.3 për qind të ujit të pijshëm sigurohet nga lumenjtë, e që në rastin e Deçanit kjo përqindje është 0 – gjithnjë sipas raporteve zyrtare”- tha Vokshi.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua për më 11 maj të këtij viti.

Sipas padisë së datës 04.12.2020, Faton Selmanaj, qytetar nga Deçani, kishte ushtruar padi në procedurë administrative kundër Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Kurse si palë e interesuar në këtë procedurë është “Kelkos Energy”, kompania e cila kishte ndërtuar tri hidrocentrale në Lumbardhin e Deçanit.

Me këtë padi, paditësit kishin kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i akteve të të paditurës – Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, dhe atë vendimi për leje ujore për hidrocentralin Belaja, vendimin për leje ujore të hidrocentralit Deçani, vendimi për leje mjedisore i hidrocentralit Hc Belaja dhe vendimi për lejen mjedisore të hidrocentralit Deçani.z

Gjithashtu me këtë padi të njëjtit kishin kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i akteve të të paditurës ZRRE siç janë; Licenca për prodhim të energjisë elektrike për HC Deçani dhe licenca për prodhimin e energjisë elektrike Hc Belaja.

Tutje në padi të njëjtit kanë kërkuar anulimin e tetë akteve të ndërlidhura të Ministrisë dhe Rregullatorit. Pasi që sipas paditësve, këto vendime i mundësojnë një kompanie private që të prodhojë energji në dy hidrocentrale.

E kështu, sipas tyre, duke dëmtuar rëndë lumin e duke lënë banorët e trevës pa ujë për pije dhe ujitje.

Sipas palës paditëse, këto tetë akte janë nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet.

Në zgjerimin e padisë të bërë më 8 shkurt 2021 në anën e palës paditëse janë përpos Selmanajt edhe Muharrem Lulaj e Xhavit Kuçi.

Paditësi kishte propozuar shtyrjen e ekzekutimit dhe vendimit për leje ujore për hidrocentralin Lumbardhi të nxjerrë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.