Vendimi skandaloz para zgjedhjeve, ministri i zhbllokon lejet për hidrocentrale

Një vendim kundërthënës është marrë nga ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ai ka vendosur ta heqë bllokadën për hidrocentrale pa u plotësuar dy nga shkaqet që kishin çuar në bllokimin e procedurave për hidrocentrale që po i shkatërronin lumenjtë.

Matoshi është ministër në largim. Këtë vendim të madh për kompetencat e një ministri të mjedisit e ka marrë vetëm dy javë para zgjedhjeve.

Madje, ministri në largim që zgjidhet nga Kuvendi, si arsye për zhbllokimin e hidrocentraleve e ka përmendur pikërisht faktin që Kuvendi është jofunksional.

Bllokada e vendosur ndaj hidrocentraleve të reja dhe atyre që ishte në proces ishtë bërë më 23 prill të vitit 2018 nga ish-ministrja, Albena Reshitaj. Kjo bllokadë kishte ardhur si reagim pas disa protestave të organizuara në Deçan e Pejë.

Bllokada ishte thirrur në një marrëveshje ndërmjet Ramush Haradinajt, Kadri Veselit dhe Rasim Demirit ku këta tre të fundit ishin dakorduar që të mos lëshoheshin leje për hidrocentrale.

“Mbi bazën e një marrëveshje të nënshkruar nga Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Rasim Demiri, kemi kërkuar një interpretim nga Zyra Ligjore e Kryeministrit. Përderisa të mos kemi një përgjigje të detajuar nga Zyra Ligjore e Kryeministrit, kërkoj që mos të merret asnjë hap për lëshimin e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve pasi që njëra nga pikat citon ‘Mbrojtja e Ambientit mjedisor, ndalimin e asgjësisë në resurset natyrore, dhe mos lëshimi i lejeve për ndërtimin e Hidrocentraleve’”, thuhet në shkresën e ministres Albena Reshitaj.

Përveç interpretim ligjor nga Zyra e Kryeministrit, kërkohej që të bëhet një studim i fizibilitetit për gjitha pikat potenciale ku mund të ndërtohen hidrocentralet.

KALLXO.com i ka siguruar korrespodencat në mes të ministrit në largim, Fatmir Matoshi, dhe sekretarit të MMPH-së, Arben Çitaku, për zhbllokimin e lejeve për hidrocentrale të cilin e kishte bllokuar Albena Reshitaj.

Ky komunikim zyrtar me email në mes dy personave kryesorë në ministrin e Mjedisit dhe një miratim i Matoshit me email ka mjaftuar që të zhbllokohen të gjitha proceset për lejet që janë kompetencë e MMPH për hidrocentrale.

Sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku me 6 shtator të këtij viti, ka kërkuar nga ministri Matoshi që ta zhbllokojë këtë proces, duke thënë se marrëveshja në të cilën është thirrur Rashitaj, tashmë nuk është në fuqi, pas shpërbërjes së parlamentit.

“Duke iu referuar kërkesave të vazhdueshme të palëve lidhur me interesimin e tyre për pezullimin e shqyrtimit të akteve ujore dhe mjedisore si dhe obligimit të Ministrisë për zbatimin e Aktgjykimeve të Gjykatave kompetente të cilat e kanë obliguar Ministrin të rishqyrtojë disa nga vendimet e saj si dhe marrë në konsideratë që marrëveshja në të cilën është thirrur ish-ministrja Reshitaj, tashmë nuk është në fuqi si rezultat i shpërbërjes së parlamentit, e kemi shumë të domosdoshme që të kemi një sugjerim nga ana e juaj se si të veprojmë më tutje rreth kësaj çështje, në mënyrë që ta përmbushim obligimin tonë ligjor si institucion”, thuhet ndër të tjera në email-in që Çitaku ia ka dërguar ministrit Matoshi.

Ndërsa Fatmir Matoshi ia ka kthyer përgjigjen Çitakut, duke i sugjeruar që të bazohet në kornizën ligjore për vazhdimin e  shqyrtimit të kërkesave të tilla.

“Marrë për bazë faktin se në shkresën e ish ministres Reshitaj, të cilën e keni pranuar përmes e-mailit me datën 23.04.208, ku ju është kërkuar që të mos ndërmerret asnjë hap për lëshimin e tyre dhe në harmoni me sqarimet e dhëna nga ana e juaj, ju sygjeroj që ju dhe departamentet përgjegjëse të fokusoheni në zbatimin e kornizës ligjore të paraparë për shqyrtimin e kërkesave të rasteve të këtilla dhe të veproni konform kësaj rregullative ligjore që është në fuqi, duke u kujdesur që trajtimi të jetë sa më transparent dhe mbikëqyrja të bëhet ashtu si e kërkon ligji”, është përgjigjia që ia ka kthyer Matoshi, sekretarit Çitaku.

KALLXO.com ka dërguar pyetje te ministri Matoshi të mërkurën gjatë ditës. Edhe pse ka thënë që brenda ditës do të kthejë përgjigje me shkrim në lidhje me këtë, deri në momentin e publikimit të artikulli ai nuk ka kthyer përgjigje.

Afati i ZRrE-së për ‘KelKos Energy’

Bordi i Rregullatorit për Energji më 11 korrik  në mbledhjen e shtatë për vitin 2019, kishte vendosur që t’i lejojë dy hidrocentralet e kompanisë ‘Kelkos Energy’ në grykën e komunës së Deçanit, ‘Bellaja’ dhe Deçan’ të operojnë pa leje edhe për 90 ditë të tjera.

Ky vendim kishte ardhur pasi kompania KelKos Energy nuk e kishte lejen mjedisore për operim, leje që e lëshon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Kjo ishte hera e dytë që ZRrE-ja i jepte afat prej 90 ditëve KelKos-it, për komplemtim të dokumentacionit për vazhdim të ndërtimit të hidrocentraleve.

Një vendim i datës 28 mars të këtij viti, obligonte kompaninë Kelkos Energy që brenda 90 ditëve të pajiset me Certifikatë të Përdorimit dhe Leje Mjedisore nga MMPH-ja në më mënyrë që të pajiset me Licencë për prodhimin e rrymës elektrike.

KelKos Energy gjithashtu ishte paditur nga Inspektoriati i Komunës së Deçanit, që  kishte iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj kompanisë pasi kishte konstatuar dëme ambientale në bjeshkën e Deçanit.

Raporti i siguruar nga BIRN tregon se Inspektoriati kishte konstatuar se afro 7 kilometra përgjatë Lumbardhit të Deçanit, rrjedha e këtij lumi ishte ndërprerë totalisht si pasojë e kalimit të ujit në gypat furnizues të turbinave për prodhimin e rrymës elektrike.

Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale

Protestat kundër hidrocentraleve

Një protestë kundër hidrocentraleve ishte mbajtur në Deçan vetëm dy ditë pas vendimit të ZRrE-së.

Nën organizimin e organizatës ‘Era’ në grykën e Deçanit pikërishit te hidrocentrali ‘Bellaja’ një grup i qytetarëve kishin protestuar me moton ‘Ndal operimin ilegal të hidrocentraleve në Deçan’.

Protestuestuesit me një aksion simbolik kishin vënë edhe kurora pranë hidrocentralit i cili shfrytëzon ujin e lumit ‘Lumbardh’ në grykën e maleve të Deçanit.

Protestë kundër hidrocentraleve ishte mbajtur edhe në komunën e Shtërpcës më  23 janar.

Banorë të kësaj komune ishin mbledhur kundër ndërtimit të një hidrocentralit të vogël në ‘Obe Reke’, duke përmendur dëmtimin e furnizimit me ujë gjatë ndërtimit të tij.

Banorët e Shtërpcës kundër ndërtimit të hidrocentraleve

Një tjetër protestë kundër hidrocentraleve ishte mbajtur edhe më 25 shkurt në Pejë.

Mijëra qytetarët kishin mbushur sheshin kryesor të Pejës për ta kundërshtuar projektin e ndërtimit të një tjetër hidrocentrali në Lumbardh.

Qytetarët kishin dalë për ta kundërshtuar projektin i cili sipas tyre, e shkatërron lumin që zbukuron natyrën e Bjeshkëve të Pejës dhe vetë qytetin.

Pejanët i thonë ‘Jo’ hidrocentralit në Lumbardh (FOTO)

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!