Statistikat e ekipit të Kosovës në futboll para përballjeve me Maltën dhe Ishujt Faroe

Sot është bërë publike lista e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës nga trajneri Bernard Challandes për ndeshjet kundër Maltës me 11 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe me 14 tetor kundër Ishujve Faroe, shkruan Kallxo.com.

Aktualisht Kosova gjendet në pozitën 138 në ranglistën e FIFA-s.

Kallxo.com sjell më poshtë një analizë pasqyruese për të gjithë lojtarët e Kosovës se ku luajnë dhe deri më tani në këtë sezon çfarë paraqitje kanë pasur.

Portierët

Portieri i parë Samir Ujkani luan për skuadrën turke Caykur Rizespor. Sezonin e ri nuk e ka nisur mirë pasi në të gjitha ndeshjet ka qenë si rezervist duke mos u inkuadruar asnjëherë në lojë. Të vetmen paraqitje e ka pasur për kupën e Turqisë. 30 vjeçarit sipas, transfermarkt, i ka rënë edhe vlera dhe tani ai vlen 630 mijë funta.

Faton Maloku në sezonin e ri u transferua nga skuadra e Feronikelit tek ajo e Kukësit, por siç duket as ky nuk e ka nisur mirë sezonin. Pas shtatë ndeshjeve ka arritur t’i bëjë vetëm dy paraqitje, ndaj Laçit dhe Flamurtarit.

https://kallxo.com/challandes-publikon-ekipin-e-kosoves-kunder-maltes-dhe-ishujve-faroe-foto/

Gardiani i Prishtinës  Visar Bekaj është nga portierët që ka bërë paraqitje më së shumti me skuadren kryeqytetase. Nga tetë xhiro sa janë zhvilluar në Ipko Super Ligën e Kosovës, Bekaj ka qenë startues dhe nuk është suspenduar asnjëherë.

Mbrojtësit

Mbrojtësi  i Dinamo Zagrebit, Amir Rrahmani, sezonin 2018/19-të nuk e ka nisur edhe aq mirë. Nga nëntë xhiro sa janë zhvilluar deri më tani në ligën e Kroacisë, Rrahmani ka luajtur vetëm në dy ndeshje, ndërsa në katër ndeshje nuk ka qenë i ftuar fare e në tri të tilla ka qenë rezervist. 24-vjeçari deri më tani është i padiskutueshëm për Kombëtaren e Kosovës dhe pritet të jetë në formacionin startues ndaj Maltës më 11 tetor. Por Rrahmani vjen pas një ndeshjeje të mirë që bëri të enjten mbrëma kundvr ekipit belg Anderlecht në Europa Ligë, të cilën ekipi i tij e fitoi si musafir me rezultat 2:0.

Fidan Aliti e ka nisur mirë sezonin e tij me skuadrën e Skenderbeut të Korçës ku ka qenë  startues në të gjitha ndeshjet për këtë sezon për skuadrën e tij.

Deri më tani, Aliti ka luajtur plot 720 minuta përfshirë këtu edhe në Superkupën e Shiqpërisë.

Mbrojtësi i krahut të djathtë Mërgim Vojvoda është duke bërë paraqitje fantastike në ligën e Belgjikës  me skuadrën Royal Excel Mouscron. Deri më tani ka startuar në shtatë ndeshje nga nëntë xhiro sa janë zhvilluar gjithsej. Nëse i përkthejmë në minuta paraqitjet e 23-vjeçarit atëherë i bie që ka luajtur plot 612 minuta.

Gjithashtu Vojvodës i është rritur edhe vlera e tij. Sipas Transfermarkt, ai vlen 765 mijë funta.

Ardin Dallku është duke kaluar momente të mira te skuadra e FC Vorskla Poltava. Dallku nga dhjetë xhiro të zhvilluara në ligën Ukrainës ka startuar në nëntë xhiro dhe nuk është zëvendësuar asnjëherë e kjo ka bërë që të marrë ftesën nga trajneri i  Kosovës.

Mbrojtësi i krahut të majtë Leart Paqarada e ka nisur mirë më skuadren e SV Sandhausen. Nga tetë xhiro sa janë zhvilluar në ligën e dytë të Gjermanisë, Paqarada ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe ka bërë edhe një asistim.

23 vjeçari deri më tani i ka luajtur gjithsej 604 minuta nga gjashtë ndeshje në kuadër të kampionatit dhe një në Kupën e Gjermanisë “DFB –Pokal”.

Benjamin Kololli  e ka nisur mirë sezonin me skuadrën e Fc Zurich, me 12 paraqitje deri tani.

Nga këto 12 paraqitje, Kololli tetë prej tyre i ka bërë në Super Ligën e Zvicrës dhe ka asistuar dy hërë. Ndërsa në kuadër të Europa League nga dy xhiro të zhvilluara në kuadër të grupeve ka bërë dy paraqitje ku ka shënuar njëherë dhe ka asistuar. Edhe në kupën e Zvicrës, Kololli ka bërë dy paraqitje dhe ka shënuar dy gola.

Qendër-mbrojtësi Arbenit Xhemajli te skuadra e FC Neuchatel Xamax është duke bërë një paraqitje të mirë. Aty ai deri më tani ka bërë gjashtë paraqitje me skuadrën e tij në kuadër të ligës së Zvicrës, ndërsa është paraqitur edhe njëherë për kupën e Zvicrës.

Xhemajli është vetëm 20 vjeçar dhe është i gjatë 1.90 m.

Mesfushorët

Mesufushori Valon Berisha nuk e ka nisur mirë sezonin me skuadrën e tij Lazio për shkak të problemeve që ka pasur me lëndimet dhe është rikthyer të luajë në tri ndeshjet e fundit. Debutimin me skuadrën e Lazios Berisha e ka bërë të enjten në kuadër të xhiros së dytë në Europa League.

Valon Berisha deri më tani ka qenë njëri prej lojtarëve kryesorë te Kombëtarja e Kosovës dhe sipas trnasfermarkt vlera e tij aktuale në tregun e transferimeve është 9 milionë funta.

Berisha është 25-vjeçar dhe është i gjatë 1.76 m.

Hekuran Kryeziu  është duke treguar se ka një të ardhme të mirë në futbollin evropian, pasi deri më tani ka qenë i pazëvendësueshëm në mesfushën e FC Zurich.

Kryeziu ka bërë 9 paraqitje në Super Ligën e Zvicrës, dy në Europa League dhe një në kupën e Zvicrës.

26-vjeçari Herolind Shala  ka qenë i padiskutueshëm tek skuadra e tij IK Start në kampionatin norvegjez. Ani pse skuadra e tij ka përfunduar në vendin e parafundit Shala, ka luajtur gjithsej 30 ndeshje të gjitha garat.

Nga 30 ndeshje të luajtura, Shala ka arritur të shënojë pesë gola, tri asistime dhe të ndëshkohet gjashtë herë me karton të verdhë.

Mesfushori i Luzernit Idriz Voca e ka nisur mirë sezonin e ri 2018\19, me 12 paraqitje deri tani.

20-vjeçari i ka bërë 8 paraqitje në Super Ligën e Zvicrës duke ka luajtur nga 90 minuta. Dy lojëra i ka zhvilluar edhe në kualifikimet për Europa League dhe dy të tjera për kupën e Zvicrës.

Voca ka arritur të shënojë vetëm një gol dhe të ndëshkohet me tre kartonë të verdhë.

Besar Halimi nuk po kalon edhe momente të mira te skuadra norvegjeze Brondbly. Në të gjitha garat ka bërë vetëm gjashtë paraqitje dhe ka arritur të shënojë vetëm një gol.

Halimi është 23-vjeçar dhe është i gjatë 1.69 m, preferon të luajë si mesfushor i avansuar mbrapa sulmuesve.

Bernard Berisha  deri më tani në sezonin 2018\19  ka bërë nëntë paraqitje, tetë prej tyre në kaudër të kampionatit dhe një në Kupën e Rusisë.

Berisha në këto ndeshje nuk ka arritur të shënojë asnjë gol, por ka asistuar dy herë në ligë dhe njëherë në Kupën e Rusisë.

Berisha deri më tani ka bërë 11 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës.

Arbër Zeneli  e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin holandez. Nga shtatë xhiro ka luajtur në të gjitha ndeshjet. Nga këto shtatë xhiro sa ëshë paraqitur Zeneli ka arritur të shënojë një gol dhe të asistojë tri herë.

Zeneli ka bërë 9 paraqitje për Kombëtaren e Kosovës dhe është vetëm 23 vjeçar.

Milot Rashica nuk e ka nisur edhe mirë kampionatin 2018\19 pasi nga gjashtë xhiro që ka filluar BundesLiga gjermane, i ka luajtur vetëm tri ndeshje. Por asnjvrën nga to nuk e ka luatur të plotë.

Nga këto tri ndeshje Rashica ka shënuar një gol nga gjuajtja e lirë dhe ka bërë një asistim.

22 vjeçari deri më tani ka bërë 14 paraqitje për Kombëtaren e Kosovës dhe nuk ka arritur të shënojë asnjë gol.

Edon Zhegrova nuk e ka nisur mirë sezonin në kampionatin belg. Deri më tani me skuadrën e tij Genk është paraqitur vetëm dy herë nga nëntë xhiro.

Zhegrova, 19 vjeç, në të gjitha garat ka bërë tetë paraqitje ku ka arritur t’i shënojë katër gola dhe një asistim.

Donis Avdijaj pas transferimit të tij në kampionatin holandez te skuadra e Willem II, e ka gjetur vetën dhe deri më tani nga tetë paraqitje që i ka bërë në të gjitha garat ka shënuar katër gola dhe ka bërë një asistim.

Avdijaj në ligën e Holandës me skuadrën e tij Willem II, ka qenë një startues i padiskutueshëm dhe kjo natyrisht që është e mirëseardhur për trajnerin e Kosovës.

Sulmuesit

Elbasan Rashani me skuadrën e tij  Odds BK deri më tani ka bërë 28 paraqitje. Nga këto paraqitje ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar shtatë herë.

Rashani në skuadrën e tij Odds BK, është një titullar i padiskutueshëm dhe pothuajse nuk është zëvendësuar asnjëherë. Edhe në ato ndeshje që është zëvendësuar ka dalë nga loja pas minutës 80.

Sulmuesi shtatgjatë Vedat Muriqi e ka nisur mirë sezonin tek skuadra turke Rizespor. Deri më tani, nga shtatë xhiro në Super Ligën e Turqisë, ai ka qenë startues i padiskutueshëm.

Muriqi nga shtatë ndeshje sa i ka luajtur ka shënuar dy gola dhe ka asistuar një herë.

Atdhe Nuhiu e ka gjetur ritmin në këtë sezon më skuadrën e tij Sheffield Wednesday ku ka arritur të startojë 10 herë nga 11 xhiro.

29 vjeçari nga 10 ndeshje sa i  ka luajtur në Championship ka arritur të shënojë një gol.

Ai deri më tani ka bërë 11 paraqitje për Kosovën dhe ka shënuar një gol.

Lirim Kastrati është duke bërë super paraqitje te skuadra e Lokomotivës së Zagrebit ku është protagonist kryesor te kjo skuadër për këtë sezon.

Kastrati nga tetë ndeshje të luajtura në Ligën e Kroacisë ka arritur të shënojë gjashtë gola dhe të asistojë dy herë.

19 vjeçari më herët ka qenë pjesë e Kosovës U19 e U21, por pas paraqitjeve të mira me skuadrën e tij është ftuar në Kombëtaren A.

Kastrati  është golashënuesi më i mirë në Kroaci deri më tani.