Tribunali i Hagës

Serbia i Kërkon të Dënuarit nga Tribunali

Sipas kreut të Këshillit Kombëtar të Serbisë për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, Rasim Ljajic, Serbia po e negocion këtë çështje me Tribunalin e Hagës.

“Vendimi përfundimtar duhet të merret në OKB, por Tribunali I Hagës mund të na jap opinion këshillues”, tha Ljajic për mediat vendase, të dielën.

Sipas rekomandimit të OKB-së në vitin 1993, të dënuarit për krimet e luftës nuk duhet të kryejnë dënimet në vendin e origjinës.

Serbia po përsërit kërkesën pas lirimit në Hagë të dy gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy komandantëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë të akuzuar për krime lufte të kryera gjatë konflikteve të viteve 1990-të.

Aktgjykimet shkaktuan zemërim në Serbi, ndërsa në Kroaci dhe Kosovë, liderët e kohës së luftës u pritën si heronj.

Këshilli Kombëtar i Serbisë për Bashkëpunim me Tribunalin ka kërkuar disa herë që Serbia të listohet mes vendeve ku mund të kryejnë dënimet të dënuarit e Tribunalit.

Deri më tani, 17 vende europiane kanë nënshkruar Marrëveshjen për Kryerjen e Dënimeve me Tribunalin e Hagës.

Austria ka pritur numrin më të madh të të dënuarve – gjashtë prej tyre, e ndjekur nga Spanja, Finlanda, Norvegjia dhe Italia, secili me nga pesë, pastaj Gjermania, Danimarka dhe Franca katër, Anglia dhe Suedia tre, Estonia dy, dhe Portugalia një.

Se ku duhet të kryejnë dënimet të dënuarit e Tribunalit të Hagës ishte çështje debate dhjetorin e shkuar, kur Radislav Krstic u transferua në njësinë e paraburgimit në Scheveningen në Hagë nga Britania e Madhe, ku po vuante dënimin.

Krstic, ish-komandant i Trupave të Drinës në Ushtrinë Serbe të Bosnës, (VRS) u dënua me 35 vjet burgim në prill të vitit 2004 për ndihmim dhe nxitje të gjenocidit në Srebrenicë. Në dhjetor të vitit 2004, ai u transferua në Mbretërinë e Bashkuar për të vuajtur dënimin.

Tribunali I Hagës nuk ishte në gjendje të komentonte për arsyet e transferimit të Krsticit, por sipas burimeve diplomatike ishte për shkak “të çështjeve të sigurisë”.

“Krstic pati provokime konstante dhe kaloi të gjithë kohën në qeli. Në ish-burgun e tij në Angli u sulmua, kështu që u transferua në një burg tjetër, por edhe atje pati provokime”, iu tha Raportit të Drejtësisë së BIRN-it nga burimet diplomatike.

Krstic do të mbetet në Njësinë e Paraburgimit të OKB-së në Hagë, derisa të arrihet vendimi zyrtar për ta dërguar në Poloni për të kryer pjesën e mbetur të dënimit.