Foto: Atdhe Mulla

Prodhimi i filmave për sirtarë

Që nga viti 2016, Komuna e Vitisë është bërë me kinema 3D, falë një projekti të përkrahur nga Bashkimit Europian. Kjo kinema që kushtoi 87 mijë euro nuk punon rregullisht, pasi hapet ‘herë pas here’. Filmi i fundit i shfaqur aty në bashkëpunim me QKK-në është bërë në gusht të vitit të kaluar. Deri më tani janë shfaqur vetëm 23 filma: 10 filma dokumentar, 6 filma artistik të metrazhit të gjatë, 2 filma ndërkombëtarë të metrazhit të gjatë, si dhe 5 filma artistikë të metrazhit të shkurtë për fëmijë.

Përveç dy filmave ndërkombëtarë, filmat tjerë Komuna e Vitisë i ka shfaqur me leje të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).

Por, shteti i Kosovës për dhjetë vjet ka financuar pjesërisht 154 projekte filmike, të cilët nuk po kanë ku të shfaqen në mungesë të kinemave.

Regjisori Ben Apolloni e sheh si problematike faktin që filmat e financuar nga shteti nuk mund t’i shohin qytetarët.

‘‘Për fat të keq, publiku kosovar, që paguan për tu bë filmat kosovarë, është i privuar nga mundësia për t’i parë filmat e vetë’’, thotë ai. Për të është dështim i QKK-së që këta filma nuk po shfaqen mjaftueshëm për publikun kosovar.

“QKK-ja duhet të ndryshojë, të punojë më shumë, dhe të jetë më kreative’’, thotë ai.

Qendra Kinematografike është institucion i themeluar pas miratimit të Ligjit për Kinematografi në Kosovë në vitin 2004, por është funksionalizuar vetëm në vitin 2008.

QKK-ja, për 10 vjet, ka përkrahur financiarisht 154 projekte filmike, të ndara nëpër kategoritë: Film i Gjatë Artistik; Film i Shkurtër Artistik; Film Dokumentar; Film Dokumentar; Film i Animuar; Zhvillim i Skenarit, si dhe; Film Debutant (për regjisorët që debutojnë me film të metrazhit të gjatë). Ajo ka kompetencë të rregullojë prodhimin, distribuimin dhe shfaqjen e filmave në vend.

Drejtori i Qendrës për Art Bashkohor, Avni Shkodra, thotë për BIRN-in se duhet të punohet më shumë që këta filma t’i shfaqen publikut kosovar.

Në anën tjetër, Drejtori i QKK-së, Arben Zharku thotë se thotë se mungesa e kinemave në vend ka krijuar vështirësi që publiku vendor të ketë qasje në filmat vendorë.

Ai thotë se të gjitha projektet filmike që marrin përkrahjen e shtetit e kanë obligim të kenë një premierë.

‘‘Gjithë filmat që janë bërë janë shfaqur për publikun. Do janë shfaqur si premiera, do nëpër kinema [repertuar të rregullt], do nëpër festivale [vendore]’’, thotë Zharku.

Për Zharkun, qëllimi parësor i filmit të Kosovës është t’i tregojë botës tregimet e Kosovës dhe të marrë pjesë në festivalet ndërkombëtare e të rëndësishme.

“Qëllimi është me promovu vendin, kulturën, me promovu aktorët, me nxitë industrinë e filmit. Publiku i Kosovës është i rëndësishëm, natyrisht. Askush nuk e shmangë publikun e Kosovës. Por e di që publiku i Kosovës, pavarësisht a e ka parë filmin Shok apo jo, e ka mbështetë atë dhe është krenuar me të’’, ka thënë Zharku.

Regjisori Apolloni, që vitin e kaluar morri subvencion për realizimin e filmit të shkurtër ‘‘Ombrella’’, thotë se QKK-ja duhet të koncentrohet në të gjitha komunat e Kosovës pasi audienca kosovare nuk duhet të injorohet.

“Si mund të flas për Industrinë e Filmit, kur nuk krijohen kushte për t’u prodhuar më shumë filma dhe ata filma për tu shpërndarë nëpër kinematë e Kosovës, duhet ta kuptoje se nuk ka industri pa prodhim e distribuim’’.

Rrënimi i Kinemave

Sipas Apollonit, është dështim i QKK-së dhe Ministrisë së Kulturës për mungesë të kinemave në Kosovë.

‘‘QKK është e obliguar me ligj që t’i mbrojë kinematë e dikurshme’’, thotë ai, duke ju referuar nenit 8 të Ligjit për Kinematografinë ku thuhet: ‘‘Kinemave në pronësi shoqërore ose publike, të privatizuara apo të dhëna me qira personave fizikë ose juridikë, vendës ose të huaj, nuk mund t’u ndryshohet qëllimi i veprimtarisë pa pëlqimin e QKK’’.    

Janë së paku kinematë në Ferizaj dhe në Gjilan të cilat pas privatizimit nuk funksionojnë më si të tilla – objekti i ish-kinemasë në Ferizaj është rrënuar dhe shndërruar në objekt të banimit e afarist.   

Më parë, Zharku në prononcime publike ka pranuar se QKK-ja ka pasur një armë të fortë në dorë për t’i shpëtuar kinematë nga privatizimi por që nuk e ka përdorur si duhet.

Foto: Atdhe Mulla

Momentalisht në Kosovë funksionojnë rregullisht vetëm kinematë; Kino ABC, Kino Armata dhe Cineplexx (private), që funksionojnë në Prishtinë. Ndërsa kinema me repertuar jo të rregullt janë Kino Lumbardhi në Prizren, Kino ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë dhe Kino 3D në Viti. Më parë, në shumicën e qyteteve të mëdha  të vendit kanë funksionuar kinema me repertuar të rregullt.

Kino ABC nuk ka treguar për numrin e filmave vendorë të shfaqur gjatë këtyre 10 vjetëve. E Alush Gashi nga Kino Armata, thotë se janë shfaqur rreth 20 filma, 12 prej të cilëve kanë qenë të metrazhit të shkurt dhe të tjerë dokumentar. Këta filma janë ndjekur nga afërsisht 2 mijë shikues.

Defrim Puka nga “Cineplexx” thotë se në kinemanë e tyre që prej hapjes para 2 vite e gjysmë janë shfaqur 6 filma vendor të cilët i kanë shikuar mbi 30 mijë persona.  

Vetëm vitin e kaluar, QKK-ja ka përkrahur 27 projekte filmike në vlerë prej 1,179,400 euro – pa përfshirë projektin ‘‘Hotline’’ pasi mungojnë të dhënat se në çfarë vlere financiare është përkrahur. Projekti në vlerën më të lartë financiare të këtij viti është ‘‘Në kërkim të Venerës’’, që është përkrahur me 200 mijë euro, ndërsa shuma më e ulët është 5 mijë  euro, kryesisht për kategorinë Zhvillim Skenari.

Në mungesë të kinemave, Zharku thotë se një mundësi tjetër e publikut që të ketë qasje në fimat vendorë kanë qenë edhe festivalet e filmit. Që nga paslufta e deri më sot, në Kosovë ekzistojnë 5 festivale të filmit: Dokufest, që organizohet në Prizren; PRIFEST, që organizohet në Prishtinë; Anibar, festival i filmit të animuar që organizohet në Pejë; FerFilm, që organizohet në Ferizaj, si dhe; Hyjnesha në Fron. Në përshkrimin zyrtar të secilit thuhet se shtatë edicionet e mëparshme janë mbajtur në qytete të ndryshme të Kosovës, por duke filluar nga edicioni i 7-të i festivalit do të mbahet në Fushë Kosovë stacionin hekurudhor.

BIRN ka pyetur QKK-në nëse ka të dhëna se sa filma të subvencionuar nga QKK-ja janë shfaqur në festivalet vendore të filmit, por që nuk ka marrë përgjigje.  BIRN ka gjetur se vetëm një numër i limituar i filmave janë shfaqur nëpër festivale.

Sabri Pajaziti nga “Fer Film Festival” thotë se në këtë festival janë shfaqur vetëm tre filma vendorë të metrazhit të gjatë gjatë shtatë viteve të funksionimit të festivalit.

‘‘Ferfilm është festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër. Filmat konkurojnë vet, nuk i ftojmë na. Vetëm natën e parë [të festivalit] shfaqet film i gjatë jashtë konkurrencës’’, tha Pajaziti duke sqaruar se mënyrën e funksionimit të festivalit.

Qendra Kinematografike ka filluar që filmat e financuar t’i shfaq edhe në platëformën online, “Gjirafa”. Në “Gjirafa” thonë se gjatë vitit të parë të marrëveshjes me QKK-në janë publikuar 10 filma vendorë, të cilët janë klikuar/parë rreth 200 mijë herë. Përveç tyre janë shfaqur edhe tre filma të tjerë vendorë falë marrëveshjeve direkte me producentët e tyre.

Drejtori i Qendrës për Art Bashkohor, Avni Shkodra thotë se filmat duhet të shfaqen edhe në hapësirat tjera që domosdo nuk janë kinema.

Rreth shfrytëzimit të hapësirave alternative, Zharku thotë se QKK-ja ka ofruar bashkëpunim – sikurse me rastin e Komunës së Vitisë – edhe me Komunën e Kaçanikut, pastaj se QKK ka shkuar edhe në Bujanoc për një bashkëpunim të tillë.

‘‘Do shkojmë edhe në qytetet që kanë interesim të ja bëjmë ekspertizën ta nxjerrim një raport dhe t’u tregojmë se çka ju nevojitet atyre për me funskionalizu kinemanë’’, thotë Zharku. Mirëpo, sipas tij, kërkesa duhet të vijë nga komunat përkatëse.  

‘‘Ne me zor kërkujt nuk mundemi me shku e me i kërku me investu. Këto janë para të Ministrisë së Kulturës, dhe ka një mekanizëm se si shkojnë procedurat’’, thotë ai kur pyetet se mos është kjo tendencë për t’u arsyetuar.

Stimulimi i mashtrimit

Sipas fjalëve të Zharkut, buxheti për QKK-në në dy vitet e fundit ka arritur në 1.4 milion euro, ku 1.2 milion janë përdorë për subvencionimin e filmave vendorë. Për vitin paraprak, ai tha se nga 800 mijë euro buxhet sa kishin 700 mijë kanë shkuar për subvencionim të filmave. Mirëpo, QKK-ja nuk ka dhënë detaje për buxhetet e viteve 2008- 2016.  

Sidoqoftë, sipas Apollonit, deri tani është vetëm një lajm i mirë se buxheti i QKK-së është rritur. Megjithëse, edhe pse buxhetin e dy viteve të fundit e quan ‘solid’, për të kjo nuk është e mjaftueshme dhe duhet të ketë ndryshime të mëtejshme. ‘‘Të krijosh një film, kudo në botë është e vështirë e në Kosovë shumëfish më e vështirë’’, thotë Apolloni.

Sipas tij, ‘‘krijuesit e filmit në Kosovë përballën me probleme ekzistenciale e kur ia dalin të mbijetojnë, mendojnë edhe për të krijuar ndonjë trohë art’’.

Por, ai bën thirrje për një reformë të thellë në mënyrën se si përkrahet filmi në Kosovë, sepse aktualisht prodhuesit e filmit stimulohen të bëhen mashtrues.

‘‘Rregullorja [QKK-së], por edhe Ligji [për Kinematografi] i detyrojnë artistët të bëhen gënjeshtarë’’, thotë ai duke e lidhur këtë me atë se maksimumi që QKK-ja mund të subvencionojë një projekt filmik është 51 përqindëshi i buxhetit total të filmit.

Sipas Apollonit, filmbërësit kosovarë e kanë të pamundur t’i sigurojnë mjetet e nevojshme financiare për realizimin e një filmi, pra pjesën e 49%.

‘‘Artistët e Kosovës maksimumin që mund ta arrijnë është rreth 70% të buxhetit [total] dhe mandej duhet të bëhen gënjeshtarë, të bëjnë çmos që të arrijnë kuotat e nevojshme (me letra) për të fituar të drejtën e fillimit të xhirimit, e mandej edhe realizimit’’, thotë regjisori.

BIRN ka pyetur më tej QKK-në se a kanë mekanizma tjerë për të vërtetuar buxhetin total të filmave, por ata nuk janë përgjigjur.

Zharku ka thënë se rreth kontrollimit të buxhetit, kur fillon xhirimi i filmave, QKK-ja merr raporte të përditshme, si dhe kanë krijuar ‘‘tavane të buxhetit’’, ku maksimumi që një regjisor mund të paguhet 14 mijë euro, kjo e bazuar në ‘‘tregun vendor’’.

Problemet e kineastëve me Ligjin për Kinematografi në Kosovë kanë ekzistuar edhe më parë ku edhe është kërkuar plotësim-ndryshimi i tij. Në vitin 2016 ishte hartuar Projektligji për Kinematografi, mirëpo, ishte kundërshtuar nga QKK-ja, Shoqata e Producentëve të Kosovës e artistë të tjerë pasi që sipas tyre nuk janë përfillur kërkesat e artistëve, si dhe miratimi i këtij projektligji do pengonte zhvillimin e kinematografisë në Kosovë. Projektligji nuk ishte miratuar dhe prej asaj kohe ende nuk është marr ndonjë hap që të ndryshohet ky ligj.

Mes kundërshtive rreth Ligjit për Kinematografinë, kufizimit të filmbërësve, mungesës së infrastrukturë për kinematografi, përveç këtyre dhe mbi të gjitha, institucioneve shtetërore të kulturës u mbetet të punojnë më tej që të krijojnë që filmat e realizuar edhe përmes parasë publike të jenë të qasshëm për publikun kosovar.

 

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së)