Përleshje në Parlament

(E plotësuar)

Lëvizja Vetëvendosje reagon për incidentin që ka ndodhur në orët e paradites në Kuvendin e Kosovës që ka përfshirë dy deputetët nga radhët e saj.

VV tha se deputeti i saj në kuvend, Rexhep Selimi ishte provokuar nga deputeti i PDK-së, Latif Gashi duke e kërcënuar që të mos flasë për SHIK-un gjatë një prononcimi për media.

Lëvizja thekson se VV është e vendosur në qëllimin e vet për të zbuluar të vërtetën për të cilën gjë ka kërkuar në mënyra të ndryshme hetimin mbi aktivitetin e Shërbimit Informativ të Kosovës, SHIK.

Në reagimin e saj, VV thekson se Gashi ka provokuar Selimin e cila ka eskaluar në një përleshje fizike, për të cilën Lëvizja shpreh keqardhje.

“Në atë moment, në përleshjen fizike është përfshirë edhe agjenti tjetër i SHIK-ut në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili e ka përsëritur provokimin e Gashit,” thuhet në reagimin e VV-së.

Për incidentin ndërmjet deputetëve ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës, KDI e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

KDI thekson se debatet në kuvend gjatë vitit 2011 e sidomos në fillim të vitit 2012 janë përcjellë me një gjuhë jo-tolerante të cilat janë degjeneruar në spastrim hesapesh personale “deri në përmasat e terrorit verbal dhe po krijonte rrethana për akte dhune”.

“Dhuna që shpërtheu sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës, së pari mes deputetit Latif Gashi dhe Rexhep Selimi e pastaj edhe mes deputetëve Florin Krasniqi e Bekim Haxhiu e ka historinë e vet, dhe buron pikërisht nga përdorimi i vazhdueshëm i një gjuhe të papranueshme për demokracinë parlamentare,” thekson KDI.

KDI shton se gjuha jo-parlamentare e debatit si dhe përleshjet e dhunshme mes deputetëve krijojnë shumë dilema tek qytetarët mbi sigurinë e përgjithshme, liritë civile dhe demokracinë në vend.

14:36
Disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe “Vetëvendosjes” raportohet të jenë përfshirë në përleshje fizike, të enjten.

 

Bëhet fjalë për deputetët e VV-së, Rexhep Selimi e Florin Krasniqi dhe të PDK-së, Latif Gashi dhe Bekim Haxhiu.

Për Gazetën Jeta në Kosovë ka folur Rexhep Selimi i cili tha se ka qenë një konflikt në mes tij dhe deputetëve të PDK-së.

“Po, aty kanë qenë Latifi dhe Kamishi. Ka qenë një konflikt i vogël, jo ashtu si po e përshkruajnë mediat tjera”, Selimi i tha Gazetës JnK duke mos dhënë detaje tjera.

Gazeta “Zëri” raporton se incidenti ka ndodhur derisa deputeti opozitar Selimi po jepte një intervistë për media duke përmendur Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) gjë që ka nxitur reagimin e ish-anëtarit të kësaj organizate, deputetit të PDK-së Latif Gashi.