Ministria e Infrastrukturës i Mbetet Borxh Bizneseve

Qeveria e Kosovës po tregohet borxhli i keq në raport me kontraktorët e ndërtimit të rrugëve. Ajo nuk ka arrit t’i shlyej borxhet ndaj kompanive që janë duke punuar në zgjerimin e rrugës në Veternik, në hyrje të Prishtinës.

Ishte premtuar se punët në këtë projekt të përfundojnë në fund të muajit tetor, përkatësisht fillim të muajit nëntor. Një gjë e tillë nuk ka ndodh. Në të dy anët e rrugës punët kanë ngecur.

Njëra pjesë e rrugës apo Lot 1 sipas planit dinamik ka pasur 150 ditë pune për përfundimin e Projektit, kurse Lot 2 kishte 110 ditë për përfundimin e Projektit dhe ende nuk kanë përfunduar.

Kompania “Sallahu” e cila është duke i zhvilluar punimet në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës Veternik, Lot 1” në anën e majtë në dalje të Prishtinës në drejtim të Shkupit, ka treguar për gazetën Jeta në Kosovë se Ministria e Infrastrukturës nuk e ka kryer obligimin e pagesës për punët të cilat kjo kompani i ka kryer.

Naim Sallahu,  nga kompania “Sallahu”, tha se deri më tani i kanë kryer 90 për qind të punëve të parapara në këtë projekt. Këto punë, sipas tij, janë financuar nga mjetet e kompanisë, për shkak të mosrealizimit të pagesave nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.

Sallahu, theksoi se vlera e tenderit e kontraktuar në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë “SALLAHU” është  1 milionë e 600 mijë euro .

E Ministria e Infrastrukturës sipas tij ka obligim për projektin e lartcekur një shumë prej 857,149.63 euro duke mos e përfshirë punën shtesë e cila arrin vlerën 160,016.67  euro.

Edhe Ministria e Infrastrukturës e ka konfirmuar për gazetën JnK, se projekti nuk mund të përfundoj sipas planit dinamik.

Në ministrisë që udhëhiqet nga Pal Lekaj thonë se problemet e pazgjidhura pronësore janë arsyeja e zvarritjes së punëve.

Por, kjo ministri nuk ka treguar se sa është borxhi i saj ndaj kompanive kontraktuese, por e ka pranuar se punët janë kryer me financa të kompanive.

“Ato një kohë kanë ndërprerë punimet. Vazhdimi i punimeve është bërë me vetiniciativë në mënyrë vullnetare të kompanive pa insistim nga ana e ministrisë. Natyrisht që ministria do t’i bëjë pagesën për punët  e kryera, posa te jete e mundur”, thuhet në përgjigje të ministrisë së Infrastrukturës, e cila udhëhiqet nga Pal Lekaj.

Përveç mos-zgjidhjes së problemeve me shpronësimet dhe mungesën e mjeteve, në këtë projekt është edhe një problem tjetër. Nuk janë pranuar ende nga komisioni punët shtesë që kanë dal në këtë projekt, e që tashmë janë përfunduar.

Sallahu, pronar i kompanisë kontraktuese thotë se kërkesën në ministri për punët shtesë e kanë bërë me 25 gusht 2017, por ende nuk kanë marr asnjë përgjigje.

Ai tregon se bazuar në kërkesën e menaxherit të projektit këto punë shtesë janë përfunduar, mirëpo ministria po e zvarritë pranimin e tyre.

“është duke u zvarritur formimi i komisionit nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës  për pranimin e punëve shtesë pasi që të njëjtat janë përfunduar, si dhe është një pjesë nga profili 12 e deri te profili 15 për të cilën pjesë nuk është paraparë asnjë zgjidhje dhe e njëjta nuk mundë të përfshihet as me punët shtesë pasi që tejkalohet limiti I punëve shtesë për Anex kontratë”, thuhet në përgjigje të kompanisë.

Sallahu, ka treguar gjithashtu se nuk kanë qenë të informuar nga ana e ministrisë së Infrastrukturës për mungesë të buxhetit.

“Punimet janë zhvilluar sipas dinamikës së paraparë dhe për të njëjtat nuk kemi qenë në dijeni që nuk do të realizohen pagesat e punëve të kryera”, tha Sallahu.

Ai tregon edhe kërkesën e ministrisë për përfundim të punimeve, ndërkohë që borxhin nuk ia kanë paguar.

“Me iniciativën e Ministrisë së Infrastrukturës, kundrejt mos realizimit të pagesave nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës të njëjtit kanë kërkuar që të bëhet përfundimi I pjesës nga Albi Mall e deri tek rrethi i spitalit dhe shiriti të prehet më 01.12.2017 edhe pse të njëjtit kanë obligim ndaj këtij projekti më shumë se një milionë euro”, ka shtuar Sallahu.

Gazeta ka kontaktuar edhe me përfaqësuesit e kompanisë ”Beni Com”, e cila është duke i bërë punimet në Lot 2. Përkundër premtimit, ata nuk ka kthyer përgjigje, lidhur me pagesën ose mos pagesën e punëve.

Madje në pjesën e aksit rrugorë ku është duke i kryer punimet kjo kompani, në Lot 2, kohë më parë ka pasur rrëshqitje të dheut. Gazeta ka kërkuar përgjigje nëse rrëshqitja e dheut është shkaktuar nga pakujdesia e kompanisë, apo për shkak të projektit të bërë nga ministria.

Ministria e Infrastrukturës nuk kanë qenë konkret në pyetjet e gazetës për arsyet e shembjes së dheut.

“Ne lidhje me rrëshqitjet e dheut në Lot 2 tani për tani nuk mund të japim përgjigje konkrete për shkak te gjendjes në teren shkaktuar nga moti. Pritet të bëhet një ekzaminim i gjendjes me krijimin e kushteve”, thuhet në përgjigje të MI.

Ndryshe, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në shtator të vitit 2017 kishte vizituar punimet për zgjerim të rrugës në hyrje të Prishtinës, përkatësisht lagjen Veternik, projekt ky i financuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Ministri ishte zotuar që do t’i mbështesin projektet me vija të parapara buxhetore ashtu sikurse që do të kërkojnë llogari nga operatorët ekonomik, për t’i kryer punët me kohë.

Skender Canolli, menaxher i projektit ishte zotuar se punimet në njërin prej akseve do të finalizoheshin në fund të muajit tetor.

Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në shtator të vitit 2017, kishte kërkuar nga kompanitë kontraktuese për ndërtimin e rrugëve që t’i kryejnë punët në afatin e përcaktuar kohor, në mënyrë që të mos ketë vonesa të pajustifikueshme. Në të njëjtën kohë ishte zotuar në përmbushjen e obligimeve nga ana e qeverisë.

“Jemi në punë dhe besoj se ata që marrin punë, pra punë kryesit e hetojnë se edhe ne jemi të saktë në punë. Duhet ta kuptojnë se vonesat e tyre në kryerjen e punimeve do të ishte lajm i keq për ne, për ata dhe për Kosovën. Kjo nuk do të tolerohet më. Skenat që kemi parë në të kaluarën nuk do të tolerohen. Nëse dikush ka marrë përgjegjësi për t’i kryer punë këtij vendi, ose do t’i kryej në afat kohor ose do të përjashtohet nga mundësia që të marrë punë nga publiku”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

 

09 Janar 2018 - 16:04

Amire Qamili 09/01/2018 - 16:04
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend