Jahjaga - Presidentja Më e Paguar në Rajon

Presidentja Atifete Jahjaga, shefja e shtetit më të ri në Ballkan dhe njëkohësisht edhe më të varfër, mbetet liderja më e paguar në rajon – me një pagë mujore më të lartë krahasuar me homologët e saj dhe krerët e qeverive të vendeve fqinjë, bazuar në hollësitë e deklarimeve të pasurisë të burrështetasve në rajon që i ka krahasuar Gazeta Jeta në Kosovë.

Në Kosovë është përmbyllur deklarimi i pasurisë së zyrtarëve për vitin 2013 dhe kjo është hera e katërt që këto deklarata botohen online nga Agjencioni Kundër-Korrupsionit i cili vitin e kaluar kishte iniciuar 244 raste hetimesh për konflikt të mundshëm interesi. Deklarimet e kësaj natyre janë bërë standard për transparencën e qeverive demokratike.

Jahjaga, e vetmja presidente femër në rajon, prin me një pagë mujore prej 2 mijë e 873 eurosh, ndërsa ka deklaruar se ka 47 mijë e 853 euro të mbajtura në llogarinë bankare.

Megjithatë, ajo nuk ka deklaruar se ka në posedim ndonjë pasuri të paluajtshme, aksione në shoqëri komerciale ose letra me vlerë.

Homologët e saj që kryesojnë presidencën tri-anëtarëshe të Bosnjës, Bakir Izetbegovic, Zeljko Komsic, Nebojsa Radmanovic kanë një pagë mujore prej diku 2 mijë e 500 eurosh, sipas të dhënave të organizatës joqeveritare Qendra për Iniciativa Civile.

“Jahjaga, prin me një pagë mujore prej 2 mijë e 873 eurosh.

Ata pasohen nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili sipas ligjit për buxhetin e Shqipërisë për vitin 2013 merr një pagë mujore prej 1 mjë e 841 eurosh (257, 000 lekë).

I gjashti në rang-listën e liderëve më të paguar në rajon radhitet presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq, i cili në janar të këtij viti deklaroi se merr një pagë mujore në vlerë prej 1 mijë e 317 eurosh (150 mijë dinarëve serbë).

Nikoliq posedon një të tretën e pronës prej 16 hektarësh, 83 arësh dhe 36 metrave katrorë, të cilën e ka të trashëguar.

Presidenti serb ka një banesë pesëdhomëshe në bashkëpronësi, ndërsa posedon edhe dy makina – një Lada Niva të vitit 1998 dhe një Audi A6 të vitit 2003 të siguruar në bazë të kontratës për dhuratat.

Nikoliq ka mohuar, ndërkaq, të ketë para të kursyera nëpër banka.

Kryetari i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, merr një pagë mujore prej rreth 1 mijë e 200 eurosh të parapara me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Ivanov ka deklaruar se në pronësi të familjes së tij hyn banesa e bashkëshortes në Shkup, me vlerë të 81 mijë e 195 eurosh (5 milionë denarë maqedonas), dhe një parcelë toke prej gati 3 arësh (293 metra katrorë) në fshatin Nerez i Epërm të Shkupit me vlerë të 24 mijë e 359 eurove (1 milion e gjysmë denarë maqedonas).

Në emër të fëmijëve ai ka përmendur posedimin e një makine të tipit Toyota Auris, me vlerë prej 7 mijë e 903 eurosh (486 mijë e 640 denarë), ndërsa nga shitja e një veture tjetër deklaron se ka fituar 12 mijë e 293 euro (757 mijë denarë)

Nga shitja e një apartamenti, ndërkaq, familja e të parit të Maqedonisë thuhet se ka fituar 55 mijë e 213 euro (3 milionë e 400 mijë denarë).

Në formularin e pasurisë së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në Maqedoni, Ivanov ka deklaruar edhe kursime devizore dhe në denarë të depozituara në Bankën Komerciale të Maqedonisë në vlerën prej 10 mijë e 439 eurosh dhe 273 dollarësh (206 euro).

Bashkëshortja e tij, ndërkaq, ka njoftuar se ka kursime në vlerë prej 1 mijë e 949 eurosh (120 mijë denarëve).

Vetëm Thaçi ndërton shtëpi

Ndonëse nuk prin për nga paga mujore, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është i vetmi kryeministër në rajon që banon me qira në banesën e një biznesmeni. Qiradhënësi i kryeministrit e kishte konfirmuar se kreu i ekzekutivit jeton në banesën e tij në muajin prill. 

Derisa të ketë përfunduar ndërtimi i shtëpisë së tij, Thaçi duhet ta ndajë qiranë shuma e së cilës nuk dihet nga paga e tij mujore.

Të hyrat vjetore nga buxheti i Kosovës të kryeministrit Thaçi kapin shumën 17 mijë e 318 euro, që në muaj i bien 1 mijë e 443 euro.

Për ndërtimin e shtëpisë e tij me vlerë prej 220 mijë eurosh, kryeministri i detyrohet Bankës “NLB Prishtina” mbi 100 mijë euro që i duhet t’i paguaj brenda 120 muajve.

Shtëpia në ndërtim e kryeministrit

Thaçi posedon tokë bujqësore në vlerë prej 180 mijë eurosh të cilën e ka trashëguar nga familja, ndërsa toka e blerë për ndërtimin e shtëpisë së tanishme ka një vlerë prej 157 mijë eurosh.

Kreu i ekzekutivit kosovar posedon një shtëpi tjetër, të trashëguar nga familja me vlerë prej 80 mijë eurosh, ndërsa në nga kursimet thotë se ka blerë një Volkswagen Passat në vlerë prej 13 mijë eurosh.

Kryeministri Thaçi ka 2 mijë e 430 euro të kursyera në bankë, ndërsa bashkëshortja e tij mban 5 mijë e 35 euro në llogarinë e saj të kursimeve.

Rrogë më të vogël se Thaçi ka homologu i tij malazias, Millo Gjukanoviq, i cili që kur është emëruar në postin e të kreut të qeverisë së Malit të Zi nuk ka deklaruar rrogë që tejkalon shumën prej 1 mijë e 275 eurosh.

Në deklaratën e fundit të pasurisë, Gjukanoviq ka përmendur edhe pagën mujore të bashkëshortes e cila është e përafërt me rrogën që merr ai.

“Pagën më të lartë mujore nga kryeministrat e rajonit, ndërkaq, e ka ai i Bosnjës, Vjekoslav Bevanda me 2 mijë e 560 euro. 

Por, gazetarët e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues (International Consortium of Investigative Reporters -ICIJ) kanë zbuluar se Gjukanoviq posedon ose kontrollon aksione në kompani të ndryshme që kapin vlerën e të paktën 14,7 milionë dollarësh.

Diku 25 euro më shumë se Gjukanoviq përfiton në muaj kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski që ka nëj pagë mujore prej 1 mijë e 300 eurosh.

Në formularin  e pasurisë së tij, Gruevski ka treguar përfitimet e tij financiare devizore dhe në denarë, në periudhën prej vitit 1999 deri në vitin 2008.

Gjatë kësaj kohe në raste të ndryshme ai ka depozituar 32 mijë e 611 euro, 16261.212 denarë (264 euro), 540 funta britanike (683 euro), 230 dollarë(174 euro) në pesë banka të licencuara të Maqedonisë.

Gruevski ka deklaruar para të gatshme të vetat në vlerë prej 438 eurove (27 mijë denarëve maqedonas) dhe kursime të bashkëshortes prej 5 mijë e 900 eurosh.

Në kuadër të pasurisë së deklaruar të Gruevskit hyjnë dhe 25 fotografi artistike që thuhet se kanë një vlerë prej 6 mijë e 991 eurosh (430. 500 denarë).

Më shumë se Gruevski, përfiton homologu i tij serb, Ivica Daçiq, i cili ka raportuar se të ardhurat neto nga pagat e tij për postin e kryeministrit dhe të ministrit të punëve të brendshme kapin vlerën prej 1 mijë e 515 eurosh (172 mijë e 488 dinarë) në muaj.

Daçiq gjithashtu ka deklaruar edhe mëditje për udhëtime jashtë vendit në periudhën 5 shtator 2012 deri më 31 janar 2013 në vlerën e 738 eurove dhe 382 dollarëve (288eurove).

Daçiq ka pranuar se posedon një banesë tridhomëshe prej 119 metrash katrorë në bashkëpronësi me bashkëshorten e tij Sanjan, të cilën ka thënë se e ka blerë me kredi, pa e treguar vlerën e saj. 

Ai ka treguar se ka kursime parash nëpër banka, gjithashtu pa e deklaruar vlerën e tyre.

Daçiq nuk ka shkruar asgjë në rubrikën e definimit të mjeteve të udhëtimit të cilat i ka në pronësi.

Më shumë se kreu i ekzekutivit të Serbisë paguhet ai i shtetit shqiptar me 1 mijë e 719 euro në muaj.

Sipas Ligjit për Pagat e Zyrtarëve të Lartë në Shqipëri, kryeministri i ardhshëm Edi Rama do të marrë të njëjtën pagë mujore.

Pagën më të lartë mujore nga kryeministrat e rajonit, ndërkaq, e ka ai i Bosnjës, Vjekoslav Bevanda me 2 mijë e 560 euro.