Fushë-Kosova me Shkolla të Stërngarkuara

Qyteti i Fushë-Kosovës ka mungesë të hapësirave shkollore. E vetmja shkollë e mesme në këtë komunë, nuk ka objekt të vetin. Tash e 12 vjet nga paslufta, nxënësit e shkollës së mesme ‘Hivzi Sulejmani’ mësojnë të ndarë në 3 objekte të shkollave fillore.

Në objektin e shkollës fillore “Selman Riza”, përveç nxënësve të kësaj shkolle, mësojnë edhe nxënësit e shkollës së mesme “Hivzi Sulejmani”, më konkretisht drejtimi i gjimnazit. Në mungesë të klasave, të gjitha hapësirat e planifikuara për kabinete mësimore, janë shndërruar në klasa. Tash e një kohë të gjatë në këtë shkollë nuk ka asnjë kabinet, ku nxënësit do të kishin mundësi që mësimet t’i bëjnë edhe në praktikë. Për më tepër, kjo shkollë punon në 3 ndërrime. Kjo gjendje për drejtorin e kësaj shkolle, Sahit Dragusha, është shumë e rëndë, mirëpo ai shpreson që shkolla e mesme së shpejti do të vendoset në ndërtesë të re.

Situatë e njëjtë është edhe në shkollën fillore “Mihail Grameno”, në të cilën përveç nxënësve të saj, mësojnë edhe drejtimi ekonomik i shkollës së mesme “Hivzi Sulejmani”. Në këtë shkollë, nga klasa e parë deri në të nëntën, numri mesatar i nxënësve në klasa është 42.

Sipas Ismet Gashit, drejtor i kësaj shkolle, ka klasë në të cilën mësojnë 46 nxënës. Numri i nxënësve të rinj në këtë shkollë është në rritje e sipër dhe kjo mesatare ndryshon dita-ditës, shtoj drejtori. “Vetëm nga shtatori i këtij viti, në këtë shkollë kanë ardhur 110 nxënës të rinj. Kjo po bëhet pasi që Fushë-Kosova vazhdimisht po rritet për nga numri i popullsisë”, tha ai.

Xhevahire Rrahmani, arsimtare e gjuhës shqipe në këtë shkollë, tha se numri i madh i nxënësve në klasa paraqet problem për notimin e tyre.

“Lënda e Gjuhës shqipe iu mundëson nxënësve që të notohen disa herë, si p.sh me test, me gojë, me vjersha, me referate etj, dhe kështu e kam më të lehtë që të vij deri te nota përfundimtare. Mirëpo si veprojnë ata arsimtarë, të cilët i kanë vetëm disa orë gjatë javës. Ata e kanë problem kur dihet se ora zgjat vetëm 40 minuta dhe nuk arrin t’ia kushtosh as edhe një minutë një nxënësi”, i tha kjo arsimtare, Gazetës JnK.

Shpend Leci, nxënës i klasës së 8-të të shkollës fillore “Mihail Grameno”, thotë se mundohet t’i përcjellë vazhdimisht mësimet dhe shpjegimet e arsimtarëve, por numri i madh i nxënësve pengon në mbarëvajtjen e një orë mësimore.

Problem tjetër pati shoku i tij i klasës, Drin Lladrovci. Ai kishte ardhur i fundit në klasë dhe nuk mundi të sigurojë karrige për 6 orë të mësimit. Fatin e njëjtë e kishin pasur edhe Malësor Bunjaku dhe Bujar Smaku, nxënës të klasave të teta. Kjo për faktin se klasa e tyre kishte mungesë të karrigeve.

As drejtori i arsimit në Komunën e Fushë Kosovës nuk është i kënaqur me kushtet në të cilat mësojnë nxënësit e kësaj komune. Ai tha se qyteti i Fushë-Kosovës vazhdimisht po rritet për nga numri i banorëve. Kjo rritje po ndikon që çdo ditë nëpër shkollat fillore të vijnë nxënës të rinj. E në anën tjetër, shkollat nuk po kanë hapësira për të krijuar klasa të reja.

“Të ndodhur në këtë situatë të cilën nuk po mundemi ta ndryshojmë jemi te detyruar që të formojmë klasa edhe me 45 nxënës  Kjo mund të ndikojë negativisht në cilësinë e arsimit. Ata nxënës që janë më të mirë, mund të arrijnë të mësojnë diçka… por, për ata që janë më të dobët, 40 minuta nuk mjaftojnë asgjë”, shprehet Ismail Shabani.

Mirëpo, sipas tij, suksesi i përgjithshëm i nxënësve të Fushë-Kosovës arrin gjithmonë mbi mesataren e nivelit të vendit.

Në mungesë të hapësirës shkollore po pësojnë edhe nxënësit në nivelin parashkollor, të cilët nuk vijojnë mësimin fare. Shkollat e Fushe Kosovës janë ndër shkollat e pakta te vendit që nuk kanë klasa me parashkollorë.

E sa i përket cilësisë së mësimit, drejtori i shkollës fillore “Mihail Grameno” mendon ndryshe. Përkundër vështirësive që po hasin ai dhe mësimdhënësit, nxënësit e shkollës të cilën ai e udhëheq gjithmonë po arrijnë suksese në garat e diturisë. Ai përmend si shembull ilustrativ, pjesëmarrjen në kuizin PROKID, me ç’rast nxënësit e kësaj shkolle zunë vendin e katërtit në nivel vendi.
 
Ndërtimi i objektit të shkollës së mesme “Hivzi Sulejmani” është në fazën përfundimtare dhe sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, kjo shkollë duhet të jetë e gatshme në mars, eventualisht në fillimin e vitit të ardhshëm shkollor.