E Mitura “e Zhdukur” Gjendet te Kushërinjtë

Policia Rajonale në Ferizaj ka njoftuar se vajza e raportuar si e zhdukur që nga e mërkura e kaluar “është gjetur te kushërinjtë e nënës së saj”.

Rastin e humbjes së saj, në nënstacionin policor të Hanit të Elezit, e kishte paraqitur e ëma e saj. Po ajo, tani ka raportuar gjetjen e saj.

Prindërit kishin thënë se e F. A., brenda dy muajsh, ishte zhdukur pesë herë për pak kohë, “por jo kaq gjatë”.
 
Qamil dhe Meside A. i kishin thënë Gazetës JnK se vajza e tyre, para tri javësh, ishte dhunuar nga katër persona, “në një servis jashtë Kaçanikut”. Policia, e kontaktuar nga gazeta, ka thënë se nuk është e njoftuar për këtë rast.

27.10.2012

E Humbur Që Nga e Mërkura

Brenda dy muajve ajo ishte zhdukur pesë herë për pak kohë. Por kësaj radhe asgjë nuk është dëgjuar për F.A.-në nga Hani i Elezit prej të mërkurës.

Vajza 15 vjeçe F.A. nga Hani i Elezit që nga dita e mërkurë konsiderohet e humbur, sipas familjes së saj.

Familja nuk ka asnjë informacion rreth vajzës që nga ajo ditë.

Prindërit thonë se F.A. para tri javësh është dhunuar. Polica e rajonit të Feriajt nuk ka informata lidhur me rastin.

Prindërit e vajzës Qamil dhe Meside A., të shqetësuar nga rasti që iu ka ndodhur, i kanë treguar Gazetës Jeta në Kosovë se vajza e tyre ka katër ditë që nuk është kthyer në shtëpi.

Babai i vajzës Qamil A. i tha Gazetës Jeta në Kosovë se vajza e tij “është dhunar para tri javësh”.

“Vajzën para tre javësh ma kanë dhunuar katër persona, në një servis jashtë Kaçanikut”, tha babai i saj. “Ajo ka qenë e rrahur dhe e keqtrajtuar, ndërsa që nga ajo ka kohë ka mbetë me trauma”.

Nëna e vajzës thotë se ky nuk është rasti i parë kur vajza e tyre ka humbur, por herave të tjera policia e gjente shumë shpejt.

“Për dy muaj vajza pesë herë ka dalë prej shtëpisë, ajo është mirë me shëndet, por thonë se po shkon pas një djali”, ka treguar nëna e saj Meside A. “Ne po frigohemi, se atë është duke e trafikuar dikush”.

Prindërit tregojnë se rastin e kanë lajmëruar në polici, por sipas tyre akoma nuk nuk kanë as një informacion se ku gjendet ajo.

Agim Gashi, zëdhënës i policisë për Rajonin e Ferizaj, i tha gazetës se nuk është i informuar për rastin dhe se para të hënës nuk mund ta konfirmojë këtë.