Gjilan, aktakuzë për konfliktin në komunikacion

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë për të pandehurin A.A, për tentim vrasje.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me inicialet A.A, më 22 shtator 2018, në fshatin Beguncë, komuna e Vitisë, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.S.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje në komunikacion, i pandehuri fillimisht e ka goditur me grushte të dëmtuarin, pastaj ka shtënë me armë zjarri katër herë në drejtim të tij, me ç’rast dy plumba kanë rënë në xhamin e parë të veturës por nuk kanë depërtuar tek i dëmtuari dhe pas kësaj i njëjti me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria ka njoftuar se me këtë veprim ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘’Vrasje në tentativë’’.

Gjithashtu, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim, pa autorizim dhe leje përkatëse një  armë zjarri dhe një karikator, të cilat edhe i janë konfiskuar, me ç’rast ka kryer edhe veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të pa autorizuar të armëve’’ .

Prokuroria, ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor për këto vepra penale dhe t’i shqiptojë sanksion penal, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.