Yll Rugova zotohet se do t'i ndalojë qeset plastikës
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Yll Rugova në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se kauza që ai do e shtyjë nëse bëhet deputetë do të lidhet me mbrojtjen e ambientit dhe kulturës.
Ish drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova thotë se duhet larguar qeset e plastikës dhe të ndalet projekti i ContourGlobalit, për shkak të që e rrezikojnë ambientin.
Tutje, Rugova thotë se kauzë do ta ketë edhe kulturën, e cila sipas tij ka qenë e neglizhuar deri më tani.
Rugova ka deklaruar se është pro martesave në mes të gjinisë së njëjtë, ndërsa për bartjen e shamisë në shkolla, ai thotë se në shkollë fillore nuk duhet të lejohen.
Rugova ka thënë se nëse ai do të bëhet deputet, grupet e diskriminuara në shoqëri si komuniteti LGBTI minoritetet do ta ndjenjë përkrahjen dhe angazhimin e tij.
Ish drejtori i Kulturës në Prishtinë ka deklaruar se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë më qymyr, djegies së qymyrit nëpër shtëpi, shitjes së telekomit, e privatizimi të Trepçës.
Gjithashtu, Rugova është deklaruar edhe kundër ndërtimit të autostradës së Dukagjinit e kundër shkëmbimit të territoreve.
Ndërsa, Rugova është deklaruar pro mbylljes së universitete publike nëpër komuna nëse nuk akreditohen nga agjencia e akreditimit.
Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të LVV-së, Yll Rugova:
KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?
Yll Rugova: Në vijën e 20 masave që i kemi propozuar kanë qenë edhe masat ambinetale. Ka ardhë koha që edhe ambienti të ketë prioritet. Duke përfshirë ndotjen e ajrit, konsiderohet që 3 mijë persona vdesin para kohe në Kosovë për shkak të ajrit të ndotur, çështje të tjera si uji i ndotur, qeset e plastikës, kultura që është e neglizhuar si dhe zhvillimi urban i qyteteve.
KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?
Yll Rugova: Këtë nuk e di.
KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?
Yll Rugova: Lëvizja Vetëvendosje është për taksën progresive. Bizneset e mëdha dhe korporatat do të kenë taksë më të lartë kurse bizneset e vogla dhe të mesme do të kenë lehtësime në taksa.
KALLXO.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?
Yll Rugova: Ndalimi i qeseve të plastikës, Ligji për Muzetë dhe më e rëndësishmja ndërprerja e projektit të Contour-Globalit.
KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?
Yll Rugova: Unë jam nga Prishtina, këtu si kryeqytet kemi nevojë për një infrastrukturë të kryeqytetit. Na duhet një transport publik funksional, hapësira të parkingjeve që funksionojnë mirë, trotuare që janë të liruara nga makinat, shtigje për biçikleta, ajër të pastër, ngrohje qendrore, hapësira kulturore, shkolla, qendra të mjekësisë familjare. Pra, Prishtina ka nevojë për një ndërhyrje të tërësishme për t’u kthyer në kryeqytet të denjë.
KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?
Yll Rugova: Absolutisht jo.
KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?
Yll Rugova: Mundet me ndodhë.
KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?
Yll Rugova: Ka grupe të ndryshme në Kosovë që janë të diskriminuara. Unë do të mundohem të fokusohem në grupet e diskriminuara dhe të margjinale në aspektin sekular. të Do të trajtoj çështjen e komunitetit LGBTI dhe do të trajtojë grupet e minoriteteve etnike. Të gjitha minoritetet janë grupe që duhet të trajtohen.
KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?
Yll Rugova: Mendoj që është shumë me rëndësi që të ndërpritet projekti i Contour Global, sepse është projekt i dëmshëm në të gjitha aspektet, duhet të ndërpritet hidrocentralet që po i shkatërrojnë lumenjtë, duhet të heqim ujërat fekal nga lumenjtë. Duhet të trajtojmë çështjet e gurthyesve dhe tokave bujqësore.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?
Yll Rugova: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?
Yll Rugova: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?
Yll Rugova: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?
Yll Rugova: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?
Yll Rugova: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?
Yll Rugova: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?
Yll Rugova: Mendoj që duhet të bëhet me reciprocitet.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?
Yll Rugova: Kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?
Yll Rugova: Jam për mbylljen.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?
Yll Rugova: Kundër monopolit në homologim.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?
Yll Rugova: Jam për.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?
Yll Rugova: Në shkolla fillore jam kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?
Yll Rugova: Nuk kam qëndrim.
KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?
Yll Rugova: Jam për.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbërt për diasporën?
Yll Rugova: Jam për.
KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?
Yll Rugova: Nuk kam ende financues.
KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?
Yll Rugova: I kam dy vende pune. Besoj që do ta mbajë një ose dy.
KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?
Yll Rugova: I kam diku rreth 1 mijë euro në muaj kurse pasurinë e kam në formë të patundshmëërië, por e kam të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?
Yll Rugova: Jo nuk kam ende pasuri të përbashkët me gruan, pro me siguri do të kem në të ardhmen.
KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?
Yll Rugova: Në spital publik, pastaj kam shkuar në spital privat.
KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?
Yll Rugova: Po shpresoj shumë në spital publik.
KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?
Yll Rugova: Nuk e di numrin e saktë, por nuk besoj që do t’i punësoj unë. Sa kam qenë në Komunë të Prishtinës, kam qenë super i kujdesshëm që të mos ketë punësime me të njoftshëm, sepse kjo është një nga arsyet që kemi stagnuar si shtet.
KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?
Yll Rugova: Me mbetë nën qeverisjen shtetërore.
KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?
Yll Rugova: Nuk besoj që do të ketë nevojë.
KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?
Yll Rugova: Po shpresoj shumë që në aspektin e ambientin, kulturës dhe zhvillimin urban.
KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?
Yll Rugova: Nuk e di, por po e jap një numër që me ia vendos vetës si kuotë, po them 30.
KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?
Yll Rugova: Po shpresoj që shumë.
KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?
Yll Rugova: Kjo besoj që duhet të organizohet sipas ndotjes që e bëjnë. Euro5, Euro6 janë këto standarde dhe besoj se duhet t’i ndjekim standardet evropiane.
KALLXO.com: Sa degjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?
Yll Rugova: Nuk e di, do të jem deputet për herë të parë, do të shohim.
KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?
Yll Rugova: Varet për çka, sepse ngrisin aktakuzë për gjëra absurde nganjëherë.
KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?
Yll Rugova: Prapë, varet për çka.
KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?
Yll Rugova: Kjo çështje e ministrive të shumta mendoj që është problem i madh, por nuk është problemi kryesor që e ka Kosova. Unë mendoj që edhe me 16 ministri nuk kish me qenë skandali më i madh në botë, mirëpo gjithsesi, LVV e ka politikë që Qeveria të jetë nën 15 ministri.
KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?
Yll Rugova: Dy.
KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?
Yll Rugova: Absolutisht jo, kjo duhet të luftohet me çdo kusht.
KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?
Yll Rugova: Ato vetëm janë transparente.
KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?
Yll Rugova: Po, besoj që duhet me u hap çdo dokument. Transparenca duhet të jetë në maksimum.