Foto: Kallxo.com

Vullnetarët në Kosovë shënojnë ditën e tyre mes vizatimeve të fëmijëve

“Kam pikturuar veten duke kënduar sepse kur të rritem dua të bëhem këngëtare. Kushdo që e sheh pikturën time, shpresoj që ta pëlqen e uroj të bëni gjëra të mira për njerëzit përreth jush”.

Kështu ishte mbishkrimi i njërës nga pikturat e vendosura në muret e Termokiss.

Muret e kësaj ekspozite ishin të mbushura me piktura të punuar nga fëmijët e komuniteteve ashkali, rom e egjiptian të cilët janë në situatë të palakmueshme ekonomike.

Kjo ekspozitë u realizua në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit e cila shënohet me 5 dhjetor.

Hana Rizanvolli, vullnetare nga UNDP, tregon për KALLXO.com se pse pikërisht janë zgjedhur pikturat nga fëmijët e këtyre komuniteteve.

“Kjo ka ndodhur sepse ne mendojmë që këta fëmijë nuk kanë një zë, por përmes pikturave ata kanë shprehur dëshirat dhe imagjinatën e tyre”, tha  Rizanvolli.

Foto: Kallxo.com

Për Fatlume Matarovën, studente e shkencave sociale, ky është viti i dytë si vullnetare.

Ajo ka treguar se kjo ditë për të do të thotë rikujtim se të gjithë duhet të merren më vullnetarizëm.

“Vullnetarizmi nuk do të thotë vetëm donacione por edhe dashuria është e tillë. Duhet t i ndihmojmë njerëzit të cilët kanë nevojë sepse askush nuk e ka zgjedhur fatin e vet. Të jesh vullnetar të përmbush, është ndjenjë e mirë kur ndihmon dikë”, theksoi Matarova.

Ulrika Richardson, përfaqësuese e UNDP në Kosovë, theksoi se bashkëpunimi në mes komuniteteve të ndryshme është shumë i nevojshëm.

Ajo shtoi se vullnetarizmi fillon që nga brenda shtëpisë dhe vazhdon të rritet.

Kurse kreu i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha se ishte një gjë e jashtëzakonshme të shikojë ekipet e vullnetarëve që i dilnin në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Sipas tij, njerëzit në Ballkan e kanë në gjenet e tyre vullnetarizmin dhe kjo është për t’u vlerësuar.

Në ambientet e Termokiss me rastin e ditës së vullnetarizmit u shënuan aktivitete të ndryshme të realizuara nga organizatat vullnetare si UNICEF dhe UNDP.

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit  është ditë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme OKB-së më vitin 1985, dhe u dedikohet të gjithë personave të cilët bëjnë punë vullnetarëve dhe inkurajojnë të tjerët të bëjnë një gjë të tillë.

Foto: Kallxo.com