Vujanoviqi Arsyeton Praninë në Inaugurimin e Nikoliqit

Filip Vujanoviq, kreu i shtetit të Malit të Zi, ishte presidenti i vetëm i një ish-republike jugosllave, që mori pjesë në inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, Tomislav Nikoliq, të hënën.

Ai tha se erdhi në ceremoni për të shprehur respektin e tij për vullnetin e popullit serb që zgjodhën Nikoliqin.

“Duhet të bashkëpunojmë si partner, si dy shtete të pavarura që respektojnë sovranitetin e njëri-tjetrit, dhe nuk ndërhyjnë në çështjet e brendshme të njëri-tjetrit, por dinë si të bashkëpunojnë ngushtë”, tha lideri malazez, duke përmendur premtimin e Nikoliqit, për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësie.

Ai shtoi se Mali i Zi ia zgjat dorën një bashkëpunimi të tillë, dhe shprehu shpresën që Nikoliqi do të jetë një partner dhe do të ndihmojë të sigurojë barazinë dhe të ardhmen e të dy vendeve.

Pasi u zgjodh president, Nikoliqi, më parë zëvendëskryetar i Partisë Radikale Serbe, dhe kundërshtar i pavarësisë së Malit të Zi, tha se e njeh Malin e Zi si shtet i pavarur.

Sidoqoftë, shkaktoi kundërshti kur e përshkroi qytetin e Vukovarit në Kroaci – simboli i luftës së tyre për pavarësi në vitet 1990-të – si qytet “serb” dhe ku mohoi se vrasjet masive të myslimanëve në Bosnjë në qytetin e Srebrenicës, në vitin 1995, ishte një akt gjenocidi.

Bakir Izetbegoviq, kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Danilo Tuerk, presidenti slloven dhe Ivo Josipoviq i Kroacisë, të gjithë refuzuan ftesat për të marrë pjesë në inaugurimin e Nikoliqit.