Qyteti i automjeteve që nuk gjen vend për ‘një karrocë’

Jetesa midis xhunglës urbane, Prishtinës, ka kufizuar përdoruesin e karrocës Faruk Kukaj që të qarkullojë i lirë nëpër qytetin e tij. Mungesa e infrastrukturës së nevojshme ka bërë që për 58 vite jetë, Kukaj të jetojë nën hijen e botës shoqërore dhe kulturore. Për këto arsye, ai ka kërkuar llogaridhënie duke paditur për diskriminim Komunën e Prishtinës.

Nën ofshamat e frikës se mos po pëson nga veturat, Faruk Kukaj i lindur me paralizë cerebrale, çdo ditë vozitë karrocën e tij në shiritin e automjeteve motorike. Pa zgjidhje tjetër, midis trotuarit për këmbësorë dhe automjeteve, qytetari i Prishtinës mundohet ta gjej një copë liri në lëvizje, lirinë e rrezikshme.

Vështirësia për lëvizje të lirë është kufizimi numër një të cilin detyrimisht e ripërjeton sa herë që zgjohet në mëngjes.

Një varg pengesash që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës në hapësirat publike të Prishtinës – të cilat ia kanë kufizuar të drejtën që të marrë pjesë në jetën shoqërore dhe kulturore, kanë bërë që 58-vjeçari ta padisë për diskriminim Komunën e Prishtinës.

Kukaj po kërkon 320 mijë euro dëmshpërblim nga Komuna për dëmet materiale dhe shpirtërore që iu kanë shkaktuar atij si pasojë e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për përdoruesit e karrocës.

Faruk Kukaj thotë që duke parë që në Prishtinë janë duke u bërë shumë pak lëvizje dhe ndryshime për t’i ofruar qasje në hapësira publike përdoruesve të karrocës, ka vendosur që të shfrytëzoj vullnetin e tij si qytetar dhe të kërkojë të drejtat e tij duke paditur komunën.

“Në këtë mënyrë [duke paditur komunën e Prishtinës] kërkoj të drejtën time që të më krijohet mundësia dhe të ofrohet mbështetja e duhur. Pse të privohem prej krejt aktiviteteve shoqërore, duke marrë parasysh që jam i barabartë me Kushtetutë? Duhet të mendojnë edhe institucionet e jo vetëm unë”–rrëfeu ai.

Jeta e Kukajt si përdorues i karrocës bëhet më e vështirë meqë në mungesë të infrastrukturës së nevojshme në Prishtinë, ai nuk mund të marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore dhe sociale për shkak se objektet nuk posedojnë pjerrina ose kur ekzistojnë, janë pothuajse të pakalueshme për karroca.

I njëjti problem ia vështirëson edhe jetën shoqërore. Mungesa e pjerrinave dhe tualeteve të përshtatshme në lokale dhe restaurante ia pamundëson që të dalë të pijë kafe, të shkojë në kinema ose të dalë për drekë me miqtë e tij.

Njësoj vlen edhe për trotuaret që sipas tij janë shumë të papërshtatshme për të qarkulluar përdoruesit e karrocave.

“Përherë jam ballafaquar me një milion raste dhe sfida, konkretisht nuk kam pas qasje ose pak e hiç,” nisi rrëfimin e tij jetësor në një intervistë për KALLXO.com.

Gjithçka fillon në rrugë…

Përderisa voziste karrocën mes veturave në asfalt, nga shtëpia e tij që gjendet te Fakulteti i Arteve në Prishtinë, deri tek vendi i tij i punës në Dardani, Kukaj ofshante nga frika se mos po e godet ndonjë veturë.

Një karrocë e vogël mes veturave, në një qytet si Prishtina, ngjan me një pikë ujë mes oqeanit. Jo të gjithë vozitësit shprehnin kujdes dhe respekt që të vozisin më përshtatshëm kur pranë kanë një përdorues të karrocës. Në rast se ndjente rrezikun në rrugë, ai nuk mundej të ngjitej në trotuar, për shkak se trotuaret ishin të larta dhe pa rënie.

“Zakonisht qarkulloj rrugës së veturave, se në trotuare ose nuk ka rënie të trotuarit ose të pengojnë me vetura. Unë askund nuk kam hasë në një vend ku kam thanë – këtu jam ma i lirë, apo mundem me lëviz shumë lirshëm” – tregon Kukaj.

Ky qarkullim njëherë ia kishte rrezikuar edhe jetën. Para shtatë ose tetë vitesh ishte goditur nga një veturë e cila i kishte shkaktuar dëme të mëdha duke ia shkatërruar karrocën.

Përdoruesi i karrocës Faruk Kukaj duke drejtuar karrocën e tij në asfalt, në mes të veturave. Foto:Antigonë Isufi/BIRN

“Më ka goditë një veturë te “Tre sheshirat” te Stacioni i Autobusit. Jam kanë tu i kapërcy vijat e bardha me dalë në anën tjetër të rrugës. Për fat nuk kam pësuar dëmtime shumë të mëdha, por mu ka dëmtuar karroca”– rrëfen ai.

Sipas tij, nëse trotuaret do ishin të përshtatshme, të ulëta dhe të kenë ndonjë rënie ku mund të ngjitet me karrocë, jeta e tij do të ishte shumë më e lehtë.

Afër zyrës së tij gjenden rreth 30 shkallë dhe përkrah tyre një pjerrinë në të cilën është e pamundur të ngjitesh me karrocë.

Përderisa tregonte se sa e pamundshme është të ngjitesh në atë pjerrinë në të cilën nuk mundesh të ngjitesh as në këmbë, Kukaj qeshte vetëm nga mendimi se si e kanë ndërtuar një pjerrinë aq të lartë e të ndërprerë me shkallë.

Për shkak se Kukaj nuk posedon një veturë të përshtatshme për vendosjen e karrocës, pothuajse gjithmonë qarkullon vetëm me karrocë.

Por, dimrit kur është më rrezik për shkak të akullit, me raste edhe përdor trafikun urban. Por as ky shërbim publik nuk i përmbush kërkesat për përdoruesit e karrocës.

“Trafiku urban ka rampa për ne përdoruesit e karrocës, por është vështirë me qëndru se nuk i parkojnë në pjesën e duhur ku mundem lirshëm me hypë ose zbritë prej autobusit. Se kur e ndalë autobusin nuk mundem as prej rrugës as prej trotuarit me hyp. Por ka raste kur dalin kondukterat më ndihmojnë,” – tregon 57-vjeçari.

Shkallë, shkallë, shkallë…

Objektet që kanë vetëm shkallë, Faruk Kukajt i shkaktojnë eufori. Mungesa e pjerrinave të brendshme dhe të jashtme në institucione ia pamundësojnë atij që t’i marrë shërbimet bazike.

Para disa vitesh, 58-vjeçari për shkak të problemeve në lëkurë kishte kërkuar ndihmën në Qendër të Mjekësisë Familjare, objekt në të cilin shërbimet ofroheshin në katin e tretë. Pasi kishte arritur ta marrë një udhëzim, ishte drejtuar në Repartin e Dermatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku për shkak të shkallëve ishte detyruar ta marrë shërbimin nën qiell të hapur.

“Kur jam shku atje ka pas shumë shkallë dhe ka qenë fati im që ka qenë muaji maj dhe nuk ka qenë ftohtë. Kanë dalë mjekët më kanë zhvesh e më kanë kontrollu jashtë” –  thotë ai.

“Këqyrshin kalimtarët e rastit si me pa film. Ka qenë një ditë shumë e rëndë dhe e vështirë për mua” – ndau një nga historitë e tij të cilën e kishte përjetuar shumë keq.

Pjerrina e papërshtashme dhe e pakalueshme për përdoruesit e karrocës e vendosur përkrah shkallëve. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Sipas Kukajt, nëpër institucione ka shumë pak raste që ka qasje të plotë për përdorues të karrocave. Ai thotë që në disa vende e kanë vendosur nga një rampë, por në shumicën e rasteve ekziston ‘sa për sy e faqe’.

Para rreth 12 viteve në Kuvendin e Kosovës, edhe pse kishte shkuar për të diskutuar për nevojat e personave me aftësi të kufizuara, 58-vjeçari tregon se si ishte rrëzuar për shkak të nivelizimit të papërshtatshëm të dyshemesë, ku si pasojë kishte pësuar çarje të thellë në kokë.

“Në qendra të mjekësisë familjare vitet e fundit i kanë bërë pjerrinat jashtë, ndërsa brenda nuk ka tualet për persona me karroca, ose ka tualet por e kanë bërë depo, ose kanë shërbime vetëm në katin e epërm” – shpreh shqetësimin ai.

Përveç shërbimeve shëndetësore, për të është shumë e vështirë të tërheq dokumente personale në komunë. Për shembull, sipas tij, pjerrina në objektin e komunës së vjetër, te e-kioska për nxjerrjen e dokumenteve personale, është shumë pjerrët, ose ashensori herë është funksional e herë jo.

“Ka pas rast që kur kam qenë në komunë, kam pasur nevojë fiziologjike dhe kam pyet ku është tualeti për përdorues të karrocës. Më treguan vendin ku është, ish kanë ma larg, kur shkova ka qenë e mbyllur, e çelësin nuk e gjenin. Çka bëj unë tash? I kam detyruar ata të sigurimit me thy derën” –  thotë ai.

Mungesa e pjerrinës, Kukajt ia kishte ndaluar edhe të shpreh vullnetin e tij të lirë përmes votës.

Meqë, 58-vjeçari kishte pasur vendvotimin në katin e dytë të Fakultetit Filologjik në Prishtinë, ai e kishte pasur të pamundur të ngjitet në rreth 30 shkallë, përderisa objekti nuk ka në funksion as ashensor, as pjerrina të brendshme.

“Iu thosha; a mundeni me zbrit kutinë e vendvotimit, ata thonin jo. Kam thënë pra që e refuzoj votimin me kusht. Kërkoj barabartësi të votoj i lirë si çdo qytetar tjetër i Kosovës”– thotë ai.

Kafeja që nuk mund ta pijë

I ulur në karrigen e tij, në zyrën që e kalon pjesën më ta madhe të kohës, Faruku përderisa pinte çajin e tretë, tregon se sa të madhe e ka dëshirën që të dalë pijë një kafe në lokalet e Prishtinës.

Kafen e mesditës ai mund ta pijë vetëm gjatë verës në lokalet që kanë tarracë, përndryshe gjatë dimrit as nuk tenton, për shkak se e ka pamundur të hyjë brenda për shkak se nuk ka pjerrina, por as banjo të përshtatshme për përdorues të karrocës.

I vetmi vend ku mund të shkoj për të pirë kafe është një lokal te Pallati i Rinisë dhe Sporteve, përndryshe në asnjë vend tjetër që nuk ka tarracë nuk ka parë ndonjëherë ndonjë pjerrinë për karroca.

“Ka ndoshta diku ndonjë ku mundem me hy, por pastaj kur hynë brenda nuk ke shërbime tjera të përshtatshme. Në qendër nuk e di që ka vend ku mundem të hyjë. Pothuajse krejt janë veç me shkallë. Kështu që unë nuk mundem me dalë gjatë stinëve tjera, veç verës diku ku ka terracë” – thotë ai.

Faruk Kukaj duke shkuar në zyrën e tij në Dardani, vend në të cilin e kalon shumicën e kohës. Foto: Antigonë Isufi/BIRN

Kukaj thotë që ka shumë vende në të cilat ka dashtë të hyjë por të gjitha kanë pasur vetëm shkallë, dhe mënyra e vetme si mund të hyjë është t’i ndihmoj dikush nga stafi i lokalit.

Sipas tij, ky kufizim e privon atë nga përjetimi i jetës shoqërore.

“Edhe nëse hyjë disi me ndihmën e tjerëve duhet me mendu shumë se çfarë të marrë me pi ose me hangër, se nëse më vjen nevoja fiziologjike çfarë të bëj kur nuk ka banjo të qasshme, ose më duhet me ardhë në shpi ose më duhet me kry nevojën në pantollona” – tregoi ai i dëshpëruar.

Mungesën e tualeteve të përshtatshme nëpër objekte, Kukaj e konsideron njërin ndër problemet kryesore pse ndihet i përjashtuar nga aktivitetet socio – kulturore.

Një nga dëshirat e tij më të mëdha është që të shkoj në kinema për të parë ndonjë film, ose në teatër për shfaqje.

“Kinemaja ABC nuk ka banjo për neve, veç diçka kanë improvizu e me shku në Cineplexx shumë larg” – thotë ai.

Edhe pse një jetë të tërë e ka kaluar në karrocë, baras me sa ka kaluar sfida në qytetin e tij, Faruk Kukaj i bënë thirrje të gjithë përdoruesve të karrocave që të veprojnë e të kërkojnë të drejtat e tyre që ia siguron Kushtetuta e Kosovës.

Kukaj paralajmëron që nuk do të ndalet derisa kërkesat e tij të mbërrijnë në veshin e duhur.

E nëse gjykata nuk merr vendimin e duhur për të, ai thotë që rastin nuk do e lë me aq, por në qoftë se është nevoja do e dërgoj deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Gjykatën e Strasburgut.

“Unë nuk kam askund një vend, ku kam thanë këtu jam më i lirë, apo mundem me lëviz shumë lirshëm”– nisë dhe përfundon Faruk Kukaj për vështirësitë e tij gjatës jetës.