Foto: BIRN

Vendet ku ka më shumë nxjerrje ilegale të thëngjillit në Kosovë dhe numri i gjobave në procese gjyqësore

Thëngjilli që gjendet në sasi të madhe në nën tokën e Kosovës sipas të dhënave zyrtare nuk shfrytëzohet vetëm nga KEK-u apo punëtorët e tij.

Kompetencën ekskluzive për nxjerrje të thëngjillit e ka vetëm KEK-u. Kjo ndërmarrje një pjesë të qymyrit ia shet kompanisë “Kosova Thëngjilli” e cila e bën përpunimin dhe shitjen e tij si produkt i përpunuar që kryesisht shitet jashtë Kosovës. Por, një pjesë e qytetarëve me ftohjen e motit, nëpër shumë zona të ndryshme në Kosovë përdoret thëngjillit për ngrohje.

Në një përgjigje për KALLXO.com Lartana Frangu nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, thuhet se nxjerrja e thëngjillit ende vazhdon nga banorët e vendeve ku ka shtrirje të tij.

“Edhe pse në vitet e fundit kemi rënie te nxjerrjes së thëngjillit nga Ndërmarrjet, kemi nxjerrje të tij nga personat fizik me mjete tradicionale ( nga banorët  lokal ku shtrihet thëngjilli)”, ka thënë Frangu.

Ajo përmendi edhe disa prej komunave ku ushtrohet më shumë kjo veprimtari.

“Nga KPMM-ja janë identifikuar për nxjerrje të thëngjillit këto lokacione: Komuna Vushtrrisë, me lokacion fshatrat Zhilivod, Bivolak, Strovc, Komuna Skënderaj, me lokacion fshatin Polac, dhe Komuna Obiliq, me lokacion fshatin Sibovc”, tha Frangu.

Nxjerrja ilegale e qymyrit nga operatorë ilegal në afërsi të Vushtrrisë – FOTO KALLXO
Nxjerrja ilegale e qymyrit nga operatorë ilegal në afërsi të Vushtrrisë – FOTO KALLXO

Tutje, ajo theksoi se nga KPMM janë evidentuar 36 operime ilegale me thëngjill të shoqëruara gjoba, ku 30 janë në proces gjyqësor.

“Nga KPMM-ja, deri më tani janë 36 operime ilegale me thëngjill të shoqëruara me gjobë, 30 janë në proces Gjyqësor”, shtoi Frangu.

Kurse, Bajram Kadriu, zyrtar i lartë për komunikim në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) tha se kanë dal disa herë në inspektime bashkë me Policinë, ku kanë bërë kontrolle nëpër tregjet e Prishtinës dhe komunave tjera dhe thëngjilli i konfiskuar është deponuar në hapësirat e KEK-ut.

“Në vitet paraprake Inspektorati i MMPHI, disa herë ka dalë në inspektime bashkë me Policinë, dhe kudo që ka hasur raste të shitjeve Inspektorati së bashku me policinë dhe KPMM-në ka bërë kontrollime në tregjet e Prishtinës dhe komuna tjera dhe kudo që ka hasur në shtije të thëngjillit, ka bërë konfiskimin e thëngjillit të zënë në treg, i cili është deponuar në hapësirat e KEK-ut”, ka  thënë Kadriu.

Ai tutje theksoi se inspektorati has në shumë vështirësi në zbatim të vendimeve pa ndihmën e Policisë, pasi shitësit zakonisht ikin nga vendi i ngjarjes.

“Inspektorati ka vështirësi në zbatimin e këtyre Vendimeve pa asistencë të Policisë sepse sapo të afrohen organet inspektuese, operatorët që janë persona fizik ose ikin nga vendi i ngjarjes nëse janë të parkuar me kamionë, ose nuk ndalen nëse janë duke lëvizur”.

Njësoj, sipas tij, veprojnë edhe në vendburimet e thëngjillit ku bëhet nxjerrja ilegale, ku disa herë Inspektorati ka ndërhyrë së bashku e Polici dhe KPMM duke bërë ndalimin e operimit si dhe shqiptimin e masave ligjore ndaj operatorëve ilegal. Gjithashtu ka bërë edhe shiritimin e vend eksploatimit (gropimeve), në disa vende të Komunave të ndryshme ku janë prezentë këto aktivitete ilegale.

Për të ndaluar këtë veprimtari, në vitin 2018 Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një Vendim me të cilin ndaloi çfarëdo mase për dhënien e thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e ndërmarrjes së KEK-ut si Shoqëri aksionare.

Po ashtu, në vitin 2018 nga Ministria e Arsimit është marrë Vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në Institucionet Edukativo Arsimore dhe Aftësuese.

Edhe Komuna e Prishtinës në po këtë vit (2018), ka nxjerrë vendim për ndalimin e shitjes së thëngjillit brenda tërë territorit të Komunës së Prishtinës ku për zbatimin e tij janë të obliguara Drejtoria e Inspektoratit të Komunës si dhe Policia e Kosovës.

 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.