Ushtarë turq po ruajnë zonën ndërsa mbështetës të presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdogan protestojnë në sheshin Taksim në Stamboll pas tentativës për grusht shteti më 16 korrik 2016. (AP Photo/Emrah Gurel)

Streha e pasigurt: Rritet numri i turqve që duan azil në Ballkan

BIRN-i ka zbuluar që me qindra shtetas turq kanë aplikuar për azil në vendet e Ballkanit që nga puçi i dështuar në vitin 2016, duke kërkuar mbrojtje nga ndjekja e tyre që po bëhej edhe përtej kufijve të Turqisë së Rexhep Taip Erdoganit.

 

Nëse në të kaluarën ka ndodhur rrallë që turqit të kërkojnë azil në vendet e Ballkanit, që nga mesi i vitit 2016 kjo është bërë shprehi e zakonshme, sipas një hulumtimi të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Përderisa arsyet prapa çdo kërkese individuale janë konfidenciale, koha e kësaj rritje tregon për frikë të shumëpërhapur të shtrirjes së gjerë të ligjeve të Turqisë nën udhëheqjen e Presidentit Rexhep Taip Erdogan kur ai shtypi një tentim puçi në korrik të vitit 2016.

Kërkesat për azil i kanë vënë një numër të madh të vendeve të Ballkanit në dilemë diplomatike, të gjendur përballë përfitimeve diplomatike dhe financiare nga marrëdhëniet e ngrohta me Ankaranë, dhe pritjet e BE-së që ata t’i rezistojnë përpjekjeve të Ankarasë për të mbledhur përkrahësit e klerikut, të cilin e akuzojnë si ideatorin e puçit të dështuar.

Trendi është më se i qartë në Kosovë, sidomos nga fundi i marsit të vitit 2018 kur gjashtë turq u morën nga rruga dhe u dërguan në Turqi në një operacion të udhëhequr nga agjentë të inteligjencës turke, jashtë çdo procesi legal të ekstradimit.

As edhe një shtetas turk nuk kishte kërkuar azil në Kosovë ndërmjet vitit 2014 dhe 2016. Në vitin 2017, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, shtatë persona kanë kërkuar strehim zyrtar. Në vitin 2018, kanë qenë 76, prej të cilave 50 janë miratuar.

Në total, në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni e Veriut dhe Bullgari, më shumë se 250 qytetarë kanë paraqitur kërkesa për azil që nga viti 2016, sipas të dhënave të siguruara nga BIRN.

Nazmi Ulus, udhëheqës i shkollës Mehmet Akif në Kosovë, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të institucioneve arsimore të themeluar nga kleriku me bazë në ShBA Fethullah Gulen, ka marrë azil në gusht të këtij viti.

Ai tha që jeta e personelit të tij ishte përmbysur që nga koha kur Ankaraja e drejtoi gishtin për puçin te Guleni dhe e tregoi gatishmërinë e vetë për të përdorur masa të fshehta për të kapur përkrahësit e tij jashtë vendit.

“Përpiqem që mos të jem vetë, mos të jem vonë për shtëpi dhe gjithmonë i tregoi gruas ku jam”, tha Ulus për BIRN.

“Për arsye sigurie në Kosovë, shumica e shokëve tanë kanë kërkuar azil”, tha ai.

Infografika: BIRN

Azili si mbrojtje

Që nga shtypja e tentim puçit më 15 korrik 2016, Erdogani ka zhvilluar një fushatë hakmarrjeje; përafërsisht 150.000 shërbyes civilë, ushtarë, zyrtarë policie, mësues, gjykatës dhe akademikë janë larguar apo suspenduar nga sektori publik nën dyshimin për lidhje rrjetin e Gulenit, përderisa më shumë se 70.000 njerëz janë burgosur në pritje të gjykimit.

BE-ja dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave thonë që ai është duke përdorur përpjekjen për puç si pretekst për të heshtur kundërshtarët. Ankaraja thotë që niveli i shtypjes thjesht tregon se sa thellë ka qenë shtrirja e Gulenit në shtetin e Turqisë.

Por Erdogani nuk është ndalur në kufijtë e Turqisë. Në Ballkan dhe gjetiu, Ankaraja ka ndjekur ata që kanë qenë të lidhur me Gulenin, qoftë përmes masave të fshehta apo taktikave të forta të përkrahura edhe nga ndikimi diplomatik dhe financiar i Turqisë në rajon.

Turqit që folën për BIRN-in thonë së jetojnë nën frikë të përhershme që autoritetet e dobëta në shtetet e Ballkanit do të vihen nën presion. Duke shikuar të dhënat, shumë e shohin azilin zyrtar si mbrojtjen e tyre të vetme.

Sikurse në Kosovë, edhe Maqedonia e Veriut fqinje ka parë një rritje të aplikimeve për azil nga shtetasit turq; nga zero në vitin 2016 ky numër shkoi në 13 në vitin 2017 dhe 10 në vitin 2018.

Në Bosnjë, nga zero aplikacione në vitin 2014 dhe tri në vitin 2015, para puçit, numri shkoi në 19 në vitin 2016, pastaj 29 në 2017 dhe 22 në vitin 2018. Deri më tani këtë vit, 53 turq kanë aplikuar për azil në Bosnjë, që e sjell numrin total prej pas puçit në 123.

Në Kosovë, personeli në shkollat guleniste frikësohen nga një operacion tjetër nga inteligjenca turke sikurse ai i zhvilluar në mars të vitit 2018.

“Ne e shohim që Erdogani është shumë i fuqishëm dhe demokracia e Kosovës nuk mundet t’i rezistojë këtij presioni”, tha njëri nga të punësuarit në Kolegjin ‘Mehmet Akif’, e që deshi të mbetej anonim. Një tjetër, që po ashtu folu në kushte anonimiteti, tha: “Nganjëherë kur shohim policinë kemi ndjenja të përziera; ndjehemi të mbrojtur por po ashtu të frikësuar se diçka si 29 marsi (2018) mund të përsëritet”.

Drejtori Ulus tha që dyshon se autoritetet turke mund të përdorin “mënyra tjera” për të kapur kundërshtarët e supozuar. “Unë dyshoj që shokët tanë janë në rrezik kudo”, tha ai për BIRN.

‘Dorëzimi’ që ndodhi gjatë muajit mars 2018 pati si pasojë largimin e ministrit të punëve të brendshme si dhe shefit të sigurisë në Kosovë, pasi që Kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj kishte thënë që ai nuk ishte informuar fare. Një hetim parlamentar që ndodhi më vonë ka identifikuar 31 shkelje të ligjeve dhe procedurave, të cilat ky Komision kishte thënë që do t’i dërgonte në Prokurori.

Por Turqia ka përdorur po ashtu edhe metoda konvencionale.

Infografika: BIRN

Presioni për ekstradim

Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut ka pranuar 17 kërkesa për ekstradim nga Turqia, MPB i ka thënë BIRN pa dhënë shifra për vitet paraprake. Një person ishte ekstraduar. Në prill të këtij viti, Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, vizitoi Shkupin, ku ai bëri thirrje për ekstradim të “strukturave terroriste” të Lëvizjes Guleniste.

Akar po ashtu vizitoi Prishtinën gjatë të të njëjtit udhëtim, por institucionet e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të BIRN-it në lidhje me numrin e kërkesave për ekstradim që i kanë pranuar nga Turqia që nga koha e puçit.

Edhe Bullgaria po ashtu është përballur me rritje të numrin të aplikimeve për azil si dhe kërkesave për esktradim.

Gjatë viteve 2014 dhe 2015, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë së Bullgarisë, Turqia ka dërguar 11 kërkesa për ekstradim te fqinji i saj Bullgaria, respektivisht pesë dhe gjashtë kërkesa. Nga to, një kërkesë është miratuar në vitin 2014 dhe tri në vitin 2015.

Kjo shkallë është rritur pas puçit, me shtatë kërkesa në vitin 2016, 11 sosh në vitin 2017 dhe tetë në vitin 2018. Gjysma e tyre ishin miratuar. Përveç të ekstraduarve nga Turqia, edhe tetë të tjerë ishin deportuar nga Bullgaria në vitin 2016, një proces ky më i shpejtë ligjor dhe më pak kompleks se sa ekstradimi.

Për shembull, në gusht të vitit 2016, biznesmeni turk Abdullah Buyuk, një përkrahës i Gulenit ishte deportuar nga Bullgaria për në Turqi përkundër faktit që dy gjykata në Bullgari kishin vendosur kundër kërkesës për ekstradim të parashtruar nga Turqia. Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë kishte pretenduar që ai nuk kishte dokumentet e kërkuara ligjore për të qëndruar në Bullgari, prandaj edhe thjesht mund të deportohej.

Mehmed Yumer, një nga botuesit e gazetës turko-bullgare Zaman e që ishte mbyllur vetëm pak pas tentimit për puç, ka thënë që Bullgaria nuk është destinacion i preferuar i shumëve turqve.

“Pas rastit të Buyuk, mesazhi ishte përhapur, ‘Mos ejani në Bullgari’,” kishte thënë ai. “Dhe, ata nuk po vijnë më këtu, madje as njerëzit që kanë punuar këtu. Kjo ka qenë vendimtare për ta.”

‘Lista e zezë’ e Bosnjes

Megjithëkëtë, numri i aplikimeve për azil në Bullgari është rritur paksa – nga rreth 10 sa ishte në vitin 2014 dhe një në vitin 2015 në 17 sosh në vitin 2016, 18 në vitin 2017 dhe 13 sosh në vitin 2018, sipas të dhënave të siguruara nga BIRN në Agjencinë Shtetërore për Refugjatë përmes kërkesave për qasje në informacion. BIRN nuk ka arritur që të jetë plotësisht i sigurt nëse numri i dhënë për vitin 2018 është shifra e plotë për këtë vit.

Vetëm një aplikim për azil ka qenë i suksesshëm në vitin 2014.

Anëtarët e rrethit Gulenist në Bullgari kanë thënë që gjërat kanë ndryshuar për këtë lëvizje.

“I ashtuquajturi rrethi intelektual ekziston ende,” tha njëri nga ta në kushte anonimiteti. “Mirëpo mënyrat e saj të të shprehurit kanë ndryshuar, si për shembull gazeta Zaman Bullgaria, që është mbyllur”, ka thënë ai për BIRN.

“Njerëzit që ende kanë lidhje me Turqinë tërhiqen prej jush.”

E për dallim nga Bullgaria, Bosnja u ka rezistuar presioneve për të ekstraduar turqit, përkundër lidhjeve të forta në mes të Sarajevës dhe Ankarasë.

Siç raportohet, së paku 10 turq që janë në Bosnje janë në ‘listën e zezë’ për ekstradim të Turqisë, mirëpo gjykatat e Bosnjës deri më tani kanë refuzuar të gjitha kërkesat duke u bazuar në atë që as Bashkimi Evropian e as Kombet e Bashkuara apo shtetet vetanake evropiane nuk e njohin lëvizjen e Gulenit si “organizatë terroriste”, siç pretendon Turqia.

Gjatë fjalimit në një konferencë shtypi të mbajtur në muajin korrik, Nedim Ademoviq, një nga avokatët e turqve që po kërkohen ka thënë që Bosnja është nën presion për të zgjidhur këtë çështje jo përmes mjeteve ligjore por “përmes marrëveshjeve politike”.

“Bosnja është një shtet i vogël nën presione të mëdha,” ka thënë ai. “Ajo duhet të mbrojë reputacionin e saj ligjor ndërkombëtar.”

Turqit drejt Greqisë e Gjermanisë

Që nga puçi i dështuar, turqit kanë shkuar përtej kufijve perëndimorë për në Greqi.

Vitin e kaluar, 7,918 turq ishin regjistruar si persona që kishin kaluar ilegalisht përmes tokës apo detit për në Evropë, përmes së ashtuquajturës Rruga e Mesdheut Lindor që përdoret nga migrantët dhe refugjatët nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.

Zyra Përkrahëse Evropiane për Azil ka raportuar për rreth 24,500 kërkesa për azil të turqve në vitin 2018 në BE, një rritje prej 48 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Në vitin 2018, turqit kryesisht kanë bërë kërkesa për në Gjermani dhe Greqi – me 10,160 sosh dhe 4,820 respektivisht.

Vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti, një numër i përgjithshëm prej 996 turqve kanë kaluar në territorin e Greqisë, ka thënë FRONTEX, agjencia që menaxhon me mbrojtjen e kufijve evropianë.

“Miqtë e mi janë rrëmbyer”

Në shtator 2018, shtatë persona që pretendohet të jenë gulenistë janë rrëmbyer nga Moldavia dhe janë dërguar përmes një linje ajrore për në Turqi.

“Tre nga shtatë mësimdhënësit e rrëmbyer në Moldavi kanë qenë miq të mi,” ka thënë Ahmet, emrin dhe lokacionin e të cilit BIRN është pajtuar që mos ta publikojë.

Ahmet ka thënë që ai frikësohej që tani ishte radha e tij, përkundër faktit që shërbimet e sigurisë në vendet e Ballkanit ku jeton ai aktualisht, sipas tij, kanë premtuar që do ta mbrojnë atë dhe miqtë e tij.

Mirëpo ai ka thënë po ashtu që zyrtarët e shërbimeve të sigurisë e kanë paralajmëruar atë që nëse inteligjenca turke do të ndërmerrte ndonjë operacion sekret, ata do të ishin të pafuqishëm në këtë drejtim.

Zyrtarët i kanë thënë atij që ai dhe miqtë e tij do të mund të detyrohen të kthehen në Turqi përmes tokës apo detit. Ata po ashtu do të mund të largoheshin nëpër kufij përmes veturave diplomatike.

Ai ka thënë që mbetet ende i frikësuar edhe përkundër faktit që gjykata ka refuzuar kërkesat për ekstradim që Ankaraja ka dërguar për Ahmetin.

Ahmet ka cituar një gjykatës nga Azerbajxhani që kishte marrë vendim vitin e kaluar që qytetari turk Mustafa Ceyhan nuk duhet të ekstradohet. Mirëpo ky qytetar turk ishte lidhur dhe futur në një veturë jashtë gjykatës dhe ishte dërguar për në Turqi.

“Regjimi i Erdoganit dëshiron t’i kidnapojë njerëzit e lidhur me lëvizjen e Gulenit,” ka thënë Ahmet për BIRN. “Ata mundohen ta bëjnë këtë gjithkund. Megjithatë ata kanë arritur të kenë sukses në këtë drejtim vetëm me lejen e vende ku jetojnë ata duke bërë marrëveshje me qeveritë e këtyre vendeve.”

“Turqia ka anuluar pasaportën time, por Interpoli nuk e ka pranuar këtë,” ka thënë ai. E kur pasaporta e tij të skadojë, Ahmet ka thënë që ai nuk do të mund ta marrë të riun në Ambasadë, kështu që ai do të kërkojë azil në një “vend të duhur”.