Eksperti amerikan: Tri prova pse "gylenistët" e deportuar nuk ishin të rrezikshëm

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, AKI, në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’, andaj edhe duhet të dëboheshin menjëherë ka shkaktuar hiq më pak se 31 shkelje ligjore.

Mirëpo, raporti i ekspertit amerikan Tienmu Ma, i siguruar nga BIRN konstaton se gjashtë shtetasit të deportuar në marsin e vitit të kaluar nuk paraqisnin rrezik për kryerjen e një sulmi terrorist ose ndonjë akti tjetër të dhunshëm në Kosovë.

Këtë konstatim ai e nxjerr duke u bazuar në dëshminë e ish-shefit të AKI-së Driton Gashit dhe në faktin që në operacion nuk kanë qenë të angazhuar shumë policë për shkak të ‘mosrrezikshmërisë’ së personave, si dhe në faktin se AKI-ja ka pritur një javë për t’i kërkuar policisë dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

“Në bazë të provave të tjera bë dispozicion të Komisionit, mund të nxirret konstatimi faktik se, çfarëdolloj kërcënimi që gjashtë shtetasit turq paraqisnin për sigurinë kombëtare, ky kërcënim nuk ishte i natyrës që kanë paraqitur rrezik për sulme terrorist apo ndonjë akt tjetër të dhunshëm”, thuhet në raportin e ekspertit amerikan.

Në lidhje me konstatimin e tij, eksperti amerikan bazohet në tri prova të cilat ai i ka nxjerrë gjatë analizimit të dokumenteve dhe intervistave të cilat i ka zhvilluar komisioni hetimor parlamentar.

E para, dëshmia e ish-shefit të AKI-së, Driton Gashit, i cili flet për rrezikun që kanë pasur këta shtetas turq.

“Nuk ka qenë rrezik i një akti terrorist, nuk ka qenë rrezik. Akt terrorist jo, nuk ka qenë ajo”, ka thënë Driton Gashi në dëshminë e tij para komisionit hetimor parlamentar.

Tutje Gashi në dëshminë e tij ka thënë që grupi i gjashtë shtetasve turq nuk i ka takuar grupit të organizatave të cilat synimet e tyre i arrijnë me dhunë.

“Nuk janë të dhunshëm. Nuk është i dhunshëm ose nuk arrijnë ose nuk ka … ideologji që me arrite synimet e veta me dhunë si i kanë organizatat e tjera që janë poashtu islamike”, ka thënë tutje Gashi në dëshminë e tij.

Përveç kësaj, eksperti amerikan konstatimin e tij e bazon edhe në mënyrën sesi kanë qenë të organizuar njësitet e policisë në këtë operacion, sepse në të ka qenë vetëm njësiti i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj të Policës së Kosovës dhe jo njësite të tjera për arsye se kishte qenë  ‘vlerësimi paraprak i AKI-së se këta shtetas nuk janë të kategorisë së personave të rrezikshëm’

Eksperti amerikan në raportin e tij ofron edhe një provë tjetër mbi të cilën ai nxjerrë konstatimin që personat në fjalë nuk paraqesin rrezik për kryerjen e një sulmi terrorist ose ndonjë akti tjetër të dhunshëm.

Sipas tij, nëse shtetasit turq do të paraqisnin rrezik për sigurinë kombëtare Departamenti për Shtetësi Azil dhe Migrim si dhe AKI nuk do të prisnin gjashtë ditë pra që nga 22 marsi deri më 28 mars për t’i kërkuar Policisë së Kosovës që të marrë masa për shtetasit turq.

“Po të ekzistonte një rrezik real për kryerjen e një akti terrorist apo ndonjë akti tjetër të dhunshëm, AKI-ja dhe DShAM-ja, sigurisht nuk do të kishin pritur një javë deri sa të njoftonin policinë për rrezikun që mund të paraqisnin personat në fjalë si dhe për nevojën e arrestimit të tyre”, theksohet në raportin e ekspertit amerikan.

Eksperti amerikan konstaton se njëri nga turqit u ekstradua gabimisht

Eksperti amerikan Tienmu Ma i angazhuar nga komisioni hetimore parlamentar për ndriçimin e rastit të ‘gylenistëve’ ka në raportin e tij të cilin e ka siguruar BIRN ka konstatuar se njëri nga gjashtë shtetasit turq është deportuar gabimisht.

Sipas tij kjo paraqet shkeljen më e rëndë e cila ka ndodhur në operacionin për deportimin e gjashtë sepse institucionet e Kosovës me vetëdije të plotë kanë deportuar gabimisht shtetasin Hasan Huseyin Gunakan në vend të Hasan Hysein Demir.

Nëse rrëfimi i z. Sylejmanit del të jetë i vërtetë – është një provë me rëndësi të jashtëzakonshme sepse do të tregonte që ai bashkë me të paktën një zyrtar të AKI-së shkaktuan më dijeni të plotë dëbimin e një individi që nuk kishte pasur as vendim të ligjshëm për revokim të lejeqëndrimeve as urdhër të ligjshëm për largimin me forcë”, thuhet në raportin e ekspertit amerikan.

Sipas tij një depërtim i tillë paraqet shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut si dhe konventave të tjera, Kushtetutës së Kosovës si dhe udhëzimin administrativ të MPB-së.

Implikimi i shefit të AKI-së në deportimin e turqve

Raporti Ekskluziv i siguruar nga KALLXO.com për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova i hartuar nga eksperti amerikan i angazhuar nga Komisioni Hetimor i Kuvendit, ka nënvizuar përfshirjen e ish-drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, në këtë aksion.

Gashi ishte shkarkuar nga pozita e shefit të AKI-së pak ditë pas ngjarjes për t’u strehuar më pas në kabinetin e presidentit Hashim Thaçi ku edhe sot punon.

Sipas raportit, pas 17 ditë planifikimi të operacionit, gjashtë shtetasit turk të dëbuar nga Kosova janë dorëzuar tek autoritetet turke në prani të ish shefit të AKI-së, Driton Gashi.

Në dokumentin e siguruar  thuhet se në orën 10:09 ka përfunduar kontrolli i shtetasve turk në zonën VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

“Në këtë kohë prezent ishin shefi i njësisë së emigracionit, zyrtarët e DMH-së (Drejtoria për Migrim dhe të Huaj) dhe Drejtori dhe zyrtarët nga AKI,” thuhet në rrjedhën e ngjarjeve të raportit të parë nga KALLXO.com