Ilustrim: Një viktimë e dhunës, Foto: Pixaby
Statistika të frikshme - 50 gra të dhunuara seksualisht brenda vitit, përkujdesja ndaj tyre e mangët
Vetëm brenda këtij viti në Kosovë janë raportuar rreth 50 gra të dhunuara seksualisht ndërsa një hulumtim i KALLXO.com zbulon se një pjesë e tyre e kalojnë traumën e dhunimit pa trajtimin e duhur psikologjik e social.
Një 11-vjeçare në Prishtinë ishte dhunuar nga pesë persona, në vitin 2022. Këto raste tashmë nuk janë të izoluara. Vetëm dy javë pas, atë vit, një 16-vjeçare u dhunua nga dy vëllezër dhe një shok i tyre në Gjilan. E rreth katër vite para, Kosova u trondit kur u raportua se një 16-vjeçare në Drenas ishte viktimë tjetër e dhunës seksuale, e të dyshuarit ishin persona me pozita të rëndësishme publike.
Përballë shifrave të frikshme të krimeve seksuale, Kosova vazhdon të ketë ngecje në trajtimin dhe ofrimin e asistencës për socializimin e viktimave.
Vetëm këtë vit, rreth 50 gra kanë qenë viktima të dhunimit dhe 30 të tjera u sulmuan seksualisht, sipas të dhënave të Policisë.
Dhuna seksuale, si fenomen mbarëbotëror, vazhdon të jetë e pa denoncuar mjaftueshëm për shkak të frikës nga hakmarrja, mosbesimit në agjencitë e zbatimit të ligjit, stigmatizimit kulturor dhe shoqëror, si dhe traumave psikologjike që përjetojnë viktimat.
Konventa e Stambollit kërkon që viktimat e dhunës në baza gjinore të marrin trajtim të nevojshëm dhe mbrojtje sociale nga shteti dhe mekanizmat e organizimit të komunitetit apo shoqëria civile.
Në pako hyjnë edhe këshillimet psikologjike apo shërbimet e tjera sociale si këshillimi dhe trajtimet post-traumatike.
Ndërkohë vetëm në tetë qytete të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë e Novobërdë ka qendra për strehimin e viktimave.
Sipas një raporti të misionit të EULEX-it në Kosovë, të dhënat e mbledhura nga EULEX-i tregojnë se, përderisa një numër i konsiderueshëm i rasteve të dhunës seksuale, veçanërisht ato që i prekin të miturit, janë denoncuar tek autoritetet përkatëse gjatë tri viteve të fundit, viktimave ju është ofruar dëmshpërblim efektiv në shumë pak raste.
Raporti thekson se duke e pasur parasysh mungesën e udhëzimeve dhe protokolleve të standardizuara në Kosovë, viktimat nuk mund të kenë qasje në zinxhirin e plotë të ndihmës së nevojshme, posaçërisht për shkak se nuk ekziston një procedurë e plotë për menaxhimin klinik dhe nuk ofrohet kujdes pasues.
‘Nuk kalon java pa lajm për ngacmim ose sulm seksual’
Të dhënat e organeve të rendit për dhunimet dhe sulmet seksuale, i cilëson shqetësuese aktivistja feministe Fjolla Muçaj.
Sipas Muçajt, këto shifra “alarmante” për të gjitha vajzat dhe gratë, tregon së siguria për to nuk është fare prioritet, dhe kjo sipas saj duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare.
“Shqetësues është fakti që nuk kalon java pa e parë ndonjë lajm për të cilin raportohet për ngacmimet dhe sulmet seksuale ndaj vajzave dhe grave. Ndërkaq, një shifër e tillë për vetëm 6 muaj për përdhunimet seksuale, është alarmante për të gjitha vajzat dhe gratë. Një numër kaq i madh i rasteve, na tregon që siguria për gratë dhe vajzat nuk është fare prioritet nga shteti. Një shifër kaq e madhe duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare nga shteti i Kosovës” – shprehet ajo.
“Ndërkaq fatkeqësia qëndron edhe më shumë në qoftë se si shoqëri, lajmet për përdhunimet seksuale, ngacmimet, dhunën fizike dhe psiqike ndaj grave, normalizohen dhe tejkalohen si çdo lajm tjetër në mediat e vendit” – shton ajo.
Sipas aktivistes, fillimisht, shteti duhet t’i orientojë politikat sociale drejt parandalimit të përdhunimeve, ngacmimeve, abuzimeve seksuale.
Sipas saj, ka qenë dhe është kërkesë e vazhdueshme e aktivisteve dhe organizatave që edukata seksuale të futet si lëndë e veçantë në kurrikulat e shkollës.
“Mungesa e një edukate seksuale ka dëme afatgjate që pasojnë me veprime të ngacmimeve dhe përdhunimeve seksuale” – thotë ajo.
Ajo thekson se duke qenë që numri i rasteve është i madh, duhet patur parasysh që strehimorja ka “kapacitete të limituara” dhe patjetër që mbështetja duhet të rritet edhe për organizatat të cilat ofrojnë shërbime sociale për viktimat e dhunës seksuale.
“Në anën tjetër, mbështetja duhet të jetë e vazhdueshme për të mbijetuarat, nga institucionet e Kosovës në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe strehimoret” – thotë ajo.
Në anën tjetër, aktivistja përmend faktin që stigma dhe paragjykimi janë sfidat të cilat gratë dhe vajzat mund të mos raportojnë për rastet e dhunës seksuale, sepse siç thotë ajo, fatkeqësisht, krijojnë barriera të tilla që dekurajon viktimat të ndajnë përvojat e tyre.
“Fajësimi i tyre është një prej stigmave që i bën të mbijetuarat të hezitojnë të raportojnë për shkak të frikës, paragjykimit, mosbesimit e hakmarrjes. Mendësinë e tillë seksiste dhe mizogjeniste ndaj vajzave dhe grave, e shohim pothuajse sa herë që të mbijetuarat raportojnë rastet e tyre. Kjo mendësi na tmerron dhe krijon pasiguri për çdo raportim dhe për të kërku ndihmë në institucionet e vendit” – thotë Muçaj.
“Trajtimi i problemit të stigmës dhe paragjykimeve rreth dhunës seksuale na rikthen prapë te investimi në krijimin e programeve dhe fushatave ndërgjegjësimi dhe edukimi që sfidojnë këtë mendësi. Sistemet dhe institucionet ligjore gjithashtu duhet të sigurojnë mbrojtje dhe trajtim të drejtë gjatë procesit të raportimit” – shton ajo.
Më tej, ajo deklaron për KALLXO.com se një prej institucioneve kyçe sa i përket rëndësisë në shërbime sociale, edukimit psiko-social, mbështetjes gjatë raportimit janë Qendrat për Punë Sociale.
Kësisoj, sipas saj, ndikon direkt në një bashkëpunim më të mirë të QPS me strehimore dhe organizatat që merren me shërbime sociale, për të krijuar një sistem të tillë që vajzat dhe gratë mund të rehabilitohen dhe të rikthehen në funksionim të plotë të jetës së tyre.
‘Viktimat janë të mitura’ , të dhënat e Strehimores
Kosova ka vetëm tetë strehimore, në: Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Novobërdë, Pejë, Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicën Jugore. Strehimoret ofrojnë shërbime strehimi për gratë dhe fëmijët që kanë përjetuar dhunë në familje.
Referimi për strehimore zakonisht bëhet nga QPS-ja, por mund të bëhet edhe nga policia apo institucionet tjera, me kërkesë të viktimës; edhe personat që kanë përjetuar dhunë mund të vetë-referohen.
Këto strehimore funksionojnë në kuadër të Organizatave Joqeveritare vendore.
Ato u ofrojnë viktimave një vendstrehim të përkohshëm e të sigurt për të jetu në rast se rrezikohen nga dhuna në familje. Gjithashtu për detyrë e kanë t’i ndihmojnë viktimat gjatë procesit të rimarrjes së vetes nga dhuna në familje duke përfshirë kujdesin psikologjik, fizik, rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri. Të gjitha shërbimet në strehimore ofrohen falas.
Zana Hamiti nga Strehimorja në Prishtinë thotë për KALLXO.com se viktimat të cilat dyshohen se janë pre e dhunës seksuale janë kryesisht të mitura.
Hamiti tregon se fillimisht ka raste që nuk e paraqesin si dhunë seksuale, paraqitet një herë si dhunë në familje, tani gjatë qëndrimit në strehimore del që ka edhe elemente të dhunës seksuale.
“Kemi pasur raste por kryesisht janë raste të vajzat e mitura që i kemi pasur. Vitin e kaluar i kemi pasur dy raste, momentalisht e kemi një mirëpo është në proces” – thotë ajo.
Ajo tregon se ka vështirësi në këto raste, por shton se kanë staf profesional që merren me viktimat.
“Kemi psikologen klinike, e kemi pas gjithë kohës që ka trajtu, është trajtu edhe në psikiatri të fëmijëve në klinikë, kështu janë shërbimet që merren. Është edhe punëtorja sociale që janë shërbimet 24 orëshe, psikologjia klinike veç shërbimet javore që janë një herë në javë” – shprehet ajo.
Sipas Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, një strehimore e specializuar për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave mund të njoftohet dhe bëhet pjesë e aktorëve që menaxhojnë një rast të dhunës seksuale, për vetë nevojën që mund të ketë viktima/e mbijetuara për strehim afatshkurtër ose afatgjatë.
Strehimorja njoftohet për një rast të dhunës seksuale nga QPS si institucioni përgjegjës për menaxhimin e rastit, nga policia, ose institucione të tjera përgjegjëse që e kanë identifikuar këtë rast.
Gjithashtu strehimorja mund të jetë edhe vetë pika e parë e kontaktit me viktimën/të mbijetuarën e dhunës seksuale dhe mund ta identifikojë vetë rastin gjatë trajtimit që i bën një gruaje të strehuar e që është viktimë e dhunës në bazë gjinore.
Tutje sipas këtij Protokolli, nëse rasti nuk identifikohet nga Strehimorja, por referohet nga QPS apo policia, shoqërimi i viktimës/të mbijetuarës duhet të bëhet nga Policia dhe menaxherja e rastit të QPS.
Trajtimi i viktimave nga ana e OJQ-ve
Në Kosovë nuk ka organizatë të specializuar që merret vetëm me viktimat e dhunës seksuale, përveç katër organizata të cilat merren me trajtimin e grave që kanë pësuar trauma gjatë luftës.
Dyert edhe për viktimat e dhunës seksuale të pas luftës, janë të hapura në Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave e cila vepron në Drenas tash e një dekadë.
Kadire Tahiraj, drejtoresha e kësaj Qendre, në të cilën përveç shërbimeve, këto gra, kryesisht të cilat kanë pësuar traumë në luftë, punojnë varëse dhe brosha punime dore, thotë se kanë marrë vetëm një rast.
“Dhunimet seksuale pasluftës brenda Kosovës që kanë ndodhur i kemi marrë (ndonjëherë) ndonjë rast nga Qendra për Punë Sociale, por jo shumë. E kemi pasur një rast më herët, e ka trajtuar qendra jonë (rasti i vajzës nga Drenasi), por jo tash nuk lajmërohen” – thotë ajo.
Ajo thotë se për shkak të stimgës dhe paragjykimeve rastet në këtë organizatë nuk lajmërohen.
“Edhe trajtimi i viktimave të dhunës pas luftës, është pjesë e punës së organizatës tonë, por për shkak të stigmës dhe paragjykimeve nuk lajmërohen. Ju e dini që në Kosovë ka edhe ngacmime seksuale dhe raste tjera, por rastet që janë të dhunës seksuale dhe dhunës në familje direkt orientohen te strehimorja në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e kështu me radhë”.
“Çdo grua që i kërkohet ose që referohet nga Qendra për Punë Sociale, Policia apo të gjitha, ne jemi të gatshëm për t’ia ofruar shërbimet që janë të nevojshme” – thotë Tahiraj.
Edhe organizata “Lirija” e cila drejtohet nga Ibadete Ismaili – Mustafa, pranon viktima të dhunës në familje, por ka raste thotë ajo, që pastaj identifikohen që janë viktima të trafikimit.
Ajo thotë se pas identifikimit, drejtohen për në Strehimore.
“Ne si organizatë veprojmë prej 2005-es, në fillim kemi qenë vetëm si strehimore, ndërkohë jemi profilizu dhe jemi vetëm për viktimat e dhunës në familje. Në momentin që vjen një viktimë e dhunës në familje, mirëpo ka elemente të trafikimit, vjen Policia e marrin e intervistojnë njësiti që është kundër trafikimit dhe vendoset në strehimore”.
Në anën tjetër, është Organizata Assists Kosovo vepron si front-line për viktimat e dhunë seksuale duke ofruar mbështetje, bashkëpunim me policinë si dhe trajtim psikologjik falas për viktimat e dhunës seksuale përmes psikologëve të tyre vullnetare.
Sipas drejtoreshës, Visare Berisha, rritja në raportimin e rasteve të përdhunimit mund të shihet si një zhvillim pozitiv, sepse sipas saj, tregon se më shumë gra dhe vajza gjejnë guximin për të raportuar raste të sulmit seksual.
“Raportimi i përdhunimit është një hap i rëndësishëm drejt kërkesës për drejtësi për të mbijetuarit dhe për t’u bërë përgjegjës ata që kryejnë vepra të tilla. Duke raportuar, mbijetuesit jo vetëm që i japin fuqi vetes, por gjithashtu ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes për përhapjen e dhunës seksuale dhe nevojën për ndryshim shoqëror” – thotë ajo.
Sipas saj duhet të ketë përmirësimit të legjislacionit dhe zbatimi i ligjit.
“Ligji duhet të jetë i qartë dhe i fuqishëm në luftën kundër dhunës seksuale. Është e rëndësishme që sistemi ligjor të funksionojë me efikasitet për të garantuar drejtësi dhe ndëshkim të përfitueshëm për të gjitha rastet e dhunës seksuale”.
“Theksojmë se parandalimi i dhunës seksuale është një përpjekje të gjithëpërfshirëse dhe afati i zgjidhjes së kësaj çështjeje është i gjatë. Është e rëndësishme të punojmë së bashku për të ndryshuar kulturën dhe strukturat që kontribuojnë në dhunën seksuale dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë” – thotë ajo.
Ajo thotë se organizata ASSISTS KOSOVO përmes komponentes rinore dhe me mbështetje të partnerit tonë EULEX , përmes programit “ Fuqizimi i të rinjve kundër dhunës me bazë gjinore ‘ avokon vazhdimisht në të gjithë mekanizmat për parandalim.
“Dhuna përfundon në momentin e raportimit, atëherë është çështje e institucioneve të vazhdojnë me procedurat ligjore. Krahas kësaj ne punojmë shumë në preventivë dhe vetëdijesim shoqëror duke vënë theks të veçantë në involvimin e të rinjve.
Berisha shton se gjatë hulumtimeve në terren kanë hasur në mos informim të të rinjve për përgjegjësitë e tyre penale.
Sipas saj, avokimi për përfshirjen e lëndës Edukate Seksuale në kurrikulat shkollore është vetëm një mënyrë që të prolongohet procesi i edukimit të gjeneratave të reja.
“Shkollat duhet të ndërtojnë mekanizma të raportimit të rasteve të dhunës seksuale në shkolla. Shembull; Shkolla profesionale “Nexhmedin Nixha në Gjakovë përmes mbështetjes tonë si organizatë dhe me iniciativë të nxënësve (kryetare të klasave) kanë ndërtuar protokoll të raportimit në drejtori” – shton ajo.
Nevoja për t’u trajtuar
Sipas sociologes, Flaka Imeri, rastet e dhunimeve seksuale në proporcion me numrin e banorëve, janë shifra shqetësuese dhe sipas saj, ngjallë edhe frikë tek popullata duke mos u ndjerë të sigurt.
Sociologia Imeri thotë se për t’iu shmangur stigmatizimit dhe paragjykimeve në shoqëri, ka hezitim për t’i raportuar rastet.
“Duke e ditur mentalitetin se çfarë e ka përcjellë shoqërinë tonë në mënyrë për t’iu shmangur stigmatizimit e paragjykimit në shoqëri hezitojnë që mos t’i raportojë dhe për t`iu shmangur etiketimit në rrethin ku jetojnë apo edhe frika për t’u distancuar nga shoqëria vendosin që të mos i raportojnë dhunën të cilën mund ta kenë përjetuar” – ka thënë Imeri.
Ajo thotë se është mëse e nevojshme që organizatat të jenë të specializuara pasi janë në pyetje “raste të ndjeshme”.
“Organizata janë mëse të nevojshme të jenë të specializuara sepse janë raste të ndjeshme për t’u trajtuar dhe në mënyrë konfidenciale duke u mbrojtur integriteti i tyre personal në mënyrë që trauma e tyre mos të ketë mundësi të preket nga rrethi shoqëror” – thotë sociologia.
Gjithashtu, ajo konsideron që nuk ka organizata të mjaftueshme që merren me rastet e viktimave të dhunimit seksual.
“Unë nuk konsideroj të mjaftueshme organizata që merren e rastet e viktimave të dhunimit, jo pse këto aktuale nuk bëjnë punë mjaftueshëm por ngritja e kapaciteteve të tyre është e nevojshme por pse të mos ketë në numër më të madh të këtyre organizatave në mënyrë që të jenë të kategorizuara për rastet e ndodhura, qoftë të merren me grupmosha të ndryshme sepse fokusi do të ishte më ndryshe dhe më me ndikim ku secili në pjesën e vet do ta arritë suksesin maksimal qoftë në trajtim apo edhe mbrojtje të këtyre viktimave” – është shprehur sociologia Flaka Imeri.
Në anën tjetër, psikologia Diadora Cërmjani thotë se është thelbësore të ofrohet mbështetje dhe ndihmë për viktimat duke u fokusuar gjithashtu në parandalimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet.
“Si psikologe, statistikat e rasteve të dhunës seksuale në Kosovë janë thellësisht shqetësuese. Çdo rast përfaqëson një individ që ka përjetuar një ngjarje traumatike dhe numri në rritje sugjeron se ekziston një problem i vazhdueshëm që duhet të adresohet urgjentisht” – ka thënë psikologia.
Sipas psikologes Cërmjani, trajtimi i ofruar për viktimat e dhunës seksuale duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i përshtatur për nevojat e individit.
Disa prej aspekteve kryesore të procesit të trajtimit që sipas saj, përfshijnë janë kujdesi i menjëhershëm mjekësor; mbështetje psikologjike; mbështetje sociale dhe ndihma ligjore.
Ajo thotë së dhuna seksuale mund të këtë pasoja të rënda për viktimat, si fizike ashtu edhe psikologjike.
Disa prej tyre përfshijnë; lëndime fizike, ndikimi psikologjik, çrregullimi i Stresit Post-Traumatik (PTSD), pasojat e shëndetit seksual dhe riprodhues.
Viktimat, sipas psikologes, mund të përballen me probleme të shëndetit riprodhues, infeksione seksualisht të transmetueshme (IST), shtatzëni të padëshiruara dhe vështirësi në funksionimin seksual.
“Sigurisht, stigma dhe paragjykimi mund të kenë një ndikim të thellë mbi viktimat e dhunës seksuale dhe gatishmërinë e tyre për të raportuar këto raste. Në shumë shoqëri, duke përfshirë Kosovën, çështja e dhunimeve seksuale mbetet temë tabu. Kjo mund të çojë në fajësimin e viktimave, mosbesimin ose skepticizmin kur të mbijetuarit/at dalin përpara me përvojat e tyre” – shprehet ajo.
“Stigma e lidhur me dhunën seksuale mund të krijojë pengesa për të mbijetuarit që kërkojnë ndihmë dhe mbështetje. Kjo frikë nga stigma mund t’i heshtë të mbijetuarit, duke përkeqësuar shqetësimin e tyre psikologjik dhe duke i penguar ata të kenë akces në kujdesin dhe drejtësinë e nevojshme që meritojnë” – shton psikologia.
Sipas saj, sigurimi i hapësirave të sigurta për të mbijetuarit për të ndarë përvojat e tyre, ofrimi i shërbimeve këshilluese dhe zbatimi i reformave ligjore dhe sociale që mbrojnë të drejtat e viktimave mund të kontribuojnë të gjitha në uljen e stigmës dhe lehtësimin e raportimit të rasteve të dhunës seksuale.
“Adresimi i këtyre faktorëve kërkon një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin edukimin, fushatat ndërgjegjësuese, reformat ligjore, angazhimin e komunitetit dhe shërbimet mbështetëse për të krijuar një shoqëri më të sigurt dhe për të reduktuar prevalencën e dhunës seksuale në Kosovë- u shpreh ajo.
Synimi i Ministrisë së Drejtësisë për t`i ekspozuar të dënuarit për dhunë seksuale
Të shtyrë nga rritja e numrit të rasteve të krimeve seksuale, Ministria e Drejtësisë ka planifikuar një reformë e cila synon të ulë kriminalitetin por që edhe do t’i ekspozojë para publikut të dënuarit.
Në tetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës prezantoi dhe miratoi në parim nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës.
Më nenin 6, të këtij Projektligji është paraparë që me rastin e shpalljes fajtor për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje, Gjykata menjëherë të bëjë publike aktgjykimin dhe po ashtu Këshilli Gjyqësor i Kosovës të krijoj një regjistër të personave të cilët janë dënuar me vendim të plotfuqishëm për këto vepra, regjistër ky i cili do të jetë i qasshëm për publikun.
Personi që shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit, Gjykata ia ndalon punësimin në sektorin publik në të gjitha nivelet.
Gjithashtu, Gjykata i ndalon të drejtën të përfitimin e patentë shoferit dhe të drejtën në drejtimin e automjetit në çdo lloj të kategorisë, nga një deri në pesë vjet, personit që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit.
Kodi Penal me plotësim-ndryshime u miratua në parim në dhjetor të vitit 2022.
Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale
Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale u miratua në nëntor të vitit 2022.
Në Protokollin Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, secili institucion ka përgjegjësitë e tij se si duhet të veprojë me viktima të dhunës seksuale.
Qëllimi kryesor i Protokollit Shtetëror të Trajtimit të Rasteve të Dhunës Seksuale, është standardizimi i veprimeve të nevojshme për një reagim të vazhdueshëm, gjithëpërfshirës e me përgjegjshmëri, për identifikimin, mbrojtjen, trajtimin, dokumentimin, referimin, fuqizimin e qëndrueshëm dhe ri-integrimin e viktimave/të mbijetuarave/mbijetuarve të dhunës seksuale, përmes ndërhyrjeve të menjëhershme dhe profesionale të institucioneve përgjegjëse.
Roli i Qendrave për Punës Sociale sipas Protokollit
Sipas Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, Qendra për Punë Sociale duhet të njoftohet për një rast të dhunës seksuale nga policia ose institucione të tjera përgjegjëse që e kanë identifikuar këtë rast, por mund të jetë edhe vetë pika e parë e kontaktit me viktimën/të mbijetuarën/mbijetuarin e dhunës seksuale.
Nëse njoftohet nga policia, QPS paraqitet menjëherë për të qenë pranë viktimës/të mbijetuarës/mbijetuarit të dhunës seksuale që në hapat e parë që ndërmerren, e veçanërisht nëse bëhet fjalë për fëmijë viktima/të mbijetuara të dhunës seksuale.
Nëse QPS e identifikon e para rastin e dhunës seksuale, atëherë nëse bëhet fjalë për të rritura/rritur viktima/të mbijetuara të kësaj forme të dhunës, siç u shpjegua edhe në pjesën e parë të këtij protokolli, do t’i sqarojë asaj/atij zbatimin pjesërisht të parimit të konfidencialitetit, për shkak të detyrimit ligjor të raportimit të rastit në polici.
Më pas do të bëjë raportimin e rastit në polici, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke i siguruar viktimës/të mbijetuarës/mbijetuarit edhe ofrimin e të gjitha shërbimeve mbështetëse të nevojshme.
Edhe nëse bëhet fjalë për fëmijë viktima/të mbijetuara të dhunës seksuale, raportimi i rastit në polici është detyrim ligjor.
Qendra për Punë Sociale (QPS) ka përgjegjësinë ligjore të përcjell rastin nga aspekti i shërbimeve sociale nga fillimi deri në fund, me pëlqimin e të viktimës/të mbijetuarës/mbijetuarit të dhunës seksuale madhore dhe në çdo rast që përfshin fëmijë. QPS duhet të caktojë një menaxhere/menaxher rasti e cila/i cili do të mbajë përgjegjësi deri në përfundim (mbyllje) të menaxhimit të rastit.
Ngecjet e gjyqësorit në trajtimin e krimeve seksuale
Një analizë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese(BIRN) vitin e kaluar ka nxjerrë rrjedhën statistikore të lëndëve të krimeve seksuale në gjykatat e Kosovës.
Sipas të dhënave, brenda një periudhe 5 vjeçare në Kosovë janë ngritur mbi 500 aktakuza nga prokuroria për vepra penale të dhunimeve dhe abuzimeve seksuale.
Mesatarja e mbi 100 akuzave në vit duket se është si rezultat i “përkëdheljes” me dënime të buta ndaj kryerësve të krimeve seksuale nga gjykatat e vendit. Kjo praktikë tregon se numri i atyre që shkojnë në burg për veprime të tilla është më i ulët se sa i atyre që shpëtojnë pa therrë në këmbë.
Të dhënat tregojnë që për mbi 1000 denoncime të krimeve seksuale, janë ngritur 521 aktakuza, ndërsa dhunuesit e abuzuesit seksual në shumicën e rasteve i kanë shpëtuar burgut pasi janë dënuar me gjobë, me kusht ose nuk janë gjykuar fare pasi lëndët e tyre janë vjetërsuar.
Në të dhënat e analizuara, BIRN ka trajtuar të gjitha lëndët e veprave penale të krimeve kundër integritetit seksual ku hyjnë dhunimi, trafikimi seksual, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual, keqpërdorimi i fëmijëve në ponografi, prostitucioni dhe marrëdhëniet seksuale brenda familjes.
Për këto vepra, Ligji ka paraparë dënime të ashpra, mirëpo të tilla nuk po shqiptohen nga gjykatat e vendit pasi në shumicën e rasteve dënimet janë minimale.
Databaza nga ku janë nxjerrë të dhënat për këtë publikim shfaqë të dhëna të cilat dëshmojnë se qindra dosje janë vjetërsuar si rezultat i mostrajtimit me kohë nga gjyqësori.
Sipas këtyre të dhënave, nga viti 2016 e deri në vitin 2019 janë parashkruar plot 196 raste të krimeve seksuale.
Më tragjikja është se 39 lëndë janë parashkruar për shkak të mos ndërmarrjes së asnjë veprimi nga ana e gjykatës për një periudhe të gjatë kohore, e cila në zhargonin juridik quhet parashkrimi relativ i rasteve.
Situata është e rëndë në departamentin e përgjithshëm ku të dhënat tregojnë që më shumë raste janë parashkruar se sa janë shqiptuar dënime.
Të dhënat tregojnë që Gjykata Themelore në Prishtinë është vendi ku kanë ndodhur më së shumti vjetërsime. Kjo gjykatë përpos që ka numrin më të madh të lëndëve të krimeve seksuale, në punë ka edhe numrin më të madh të rasteve të parashkruara.
Të dhënat e paraqitura tregojnë se lëndët e krimeve seksuale në gjykatën e Prishtinës më shumë janë parashkruar se sa zgjidhur përgjatë viteve.
Model i ngjashëm është ndjekur edhe nga gjykatat e tjera. Të dhënat tregojnë se për 4 vite në departamentin e përgjithshëm të të gjitha gjykatave të tjera (përjashtim Prishtina) për krime seksuale janë shqiptuar vetëm dy dënime me burgim, njëri nga gjykata e Gjilanit e tjetri nga ajo e Prizrenit.
Trajtimi i rasteve serioze të dhunës seksuale nga krimet e rënda
Dhunimi është në mesin e krimeve të rënda seksuale. Kodi penal parasheh që për në vepër të tillë të shqiptohen dënime të ngjashme me dënimet për vrasje.
Por statistikat tregojnë që fryma e kodit penal është injoruar komplet nga gjykatat gjatë shqiptimit të dënimeve.
Të dhënat tregojnë se ka pasur raste kur dhunimi është dënuar me dënim me gjobë ose me kusht.
Dënimi me kusht nënkupton faktin se i dënuari nuk dërgohet në burg për vuajtje të dënimit nëse nuk kryen ndonjë vepër të re penale brenda një periudhe të caktuar.
Kjo nënkupton se në një numër të madh të rasteve, kryerësit e dhunimit i kanë shpëtuar burgut duke u dënuar me kusht ose me gjobë.
Dënime të tilla janë shqiptuar në disa raste nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila nga viti 2017 e deri në vitin 2020 më shumë ka shqiptuar dënime me gjobë dhe me kusht për kryerësit e veprave penale të dhunimit, se sa dënime me burgim.
Statistikë shqetësuese në trajtimin e rasteve të dhunimit nga Gjykata e Prishtinës përbën numri i rasteve të parashkruara, kjo për faktin se afati i vjetërsimi i tyre është shumë herë më i lartë për shkak të dënimit të ashpër që parashihet për këtë vepër.
Sipas Ligjit, që një vepër penale e dhunimit të vjetërsohet, duhet të kalojnë 20 vite nga koha kur është kryer vepra penale, mirëpo ky kufi ligjor kishte qenë më i shkurtër me Kodin e vjetër penal, ku për veprat e dënueshme mbi 5 vite, lënda vjetërsohej me kalimin e afatit 10 vjeçar.
Sipas të dhënave nga databaza, për vitet 2017 – 2020, gjykatat e shkallës së parë në të gjithë vendin kanë shqiptuar në 27 raste dënime me kusht dhe dënime me gjobë për vepra të tilla ndonëse sipas Ligjit, dënimet janë shumë të ashpra për këdo që kryen vepra të tilla ndaj të miturve.
Të dhënat e publikuara tregojnë për probleme të mëdha edhe në trajtimin e rasteve të keqpërdorimeve seksuale të cilat kryhen nga personat në pozitë ose me autoritet ndaj viktimave të cilat janë të varura nga ta.
Raste të tilla konsiderohen ato të punëdhënësve me punëtorë, mësimdhënësve me nxënësit, mjekëve me pacientët, ku viktima paraqitet e varur financiarisht ose në ndonjë formë tjetër nga personi në pozitë.
Statistikat tregojnë se në gjykatat tona ka pasur raste të tilla që janë gjykuar, mirëpo në asnjë rast nuk është shqiptuar ndonjë dënim me burgim edhe pse sipas Ligjit, kjo vepër dënohet deri në 5 vite.
Trajtimi i krimeve seksuale nga Prokuroria
Të dhënat statistikore nga databaza tregojnë se trendi i krimeve seksuale të cilat paraqiten në prokurorinë e shtetit është i ngjashëm ndër vite. Sipas këtyre të dhënave janë mbi 100 raste të cilat çdo vit raportohen nga viktimat e krimeve seksuale dhe paraqiten në formë të kallëzimeve penale në Prokurorinë e shtetit.
Të dhënat tregojnë se gjatë viteve 2016-2021 janë ngritur 521 aktakuza të cilat kanë të bëjnë me krimet seksuale.
Pos tjerash, të dhënat nga Prokuroria tregojnë se jo të gjitha rastet që janë në trajtim arrijnë të zgjidhen brenda një viti.
Sipas statistikave, sistemi prokurorial brenda një viti arrin t’i zgjidhë vetëm 50% të kallëzimeve penale të cilat paraqiten.
Në vitin 2016 kjo mesatare ishte 60%, ndërsa në vitet e tjera kishte pësuar rënie. Mesatarja në vitin 2017 kishte rënë në 41%, në vitin 2018 në 47% ndërsa në vitet 2019 dhe 2020 kishte arritur në 55%.
Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.