Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria miraton projektligjin për ndryshimin e Kodit Penal, lista e të dënuarve për dhunim do të jetë publike

Qeveria e ka miratuar sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurit kritikoi sistemin gjyqësor për trajtimin e rasteve të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje.

Kreu i ekzekutivit tha që ky ndryshim po bëhet që prokurori dhe gjyqtari të reagojnë dhe veprojnë më shpejt në këto raste.

“Vite me radhë dëgjojmë për vrasje të grave, muajve e të fundit tronditemi nga dhunimi i vajzave dhe grave tona, shtangemi nga rasti i dhunimit të vajzës 11-vjeçare nga 5 persona të moshës madhore përderisa shoqëria reagon me protesta, sistemi gjyqësor hesht. Ne nuk mund ta bëjmë detyrën as të gjyqtarit as të prokurorit por mund të hartojmë politika që prokurori  e gjyqtari të reagojnë veprojnë më shumë e më shpejtë” – tha kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha që pas rritjes së rasteve me procedurë të përshpejtuar kanë marrë hapat e nevojshëm për rishikimin e masave ndëshkuese për kryesit e veprave penale, “pasi që po konsiderohet se aq sa janë të ndëshkueshme nuk janë të mjaftueshme”.

“Përmes këtij projektligji kemi paraparë që për veprat penale të dhunimit të sulmit seksual dhe të dhunës në familje të shtohen si dënime plotësuese si në vijim: ndalimin e të drejtës së kandidatit në pozitë publike nga 3-10 vite personit fajtorë, ndalimin e punësimit në sektorin publik në të gjitha nivelet personit që shpallet fajtorë për dhunim, ndalimin e të drejtës në përfitimin e patentfshoferit në çdo lloje të kategorisë nga 1-5 vjet personit që shpallet fajtorë, ndalimi i aplikimit si investitor strategjik nga 3-10 vite” – tha ajo.

Haxhiu po ashtu tha që me këtë plotësim-ndryshim lista e dhunuesve do të jetë publike.

“Gjykata urdhëron publikimin e aktgjykimit për personin që shpallet fajtorë për veprën penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje si dhe KGJK e mban regjistrin, ndaj do të jetë publik me emër dhe mbiemër për personat që shpallen fajtorë për vepra penale” – tha ajo.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji do të shkojë në Kuvendin e Kosovës.