Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

16-vjeçarja në Gjilan dyshohet se u dhunua nga dy vëllezër dhe nga shoku i tyre, ky i fundit ende në kërkim

Një 16-vjeçare ka deklaruar në Policinë e Kosovës se është dhunuar nga persona të moshës madhore gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti në Gjilan.

Policia ka thënë se për rastin janë dy persona të dyshuar, ndërsa Prokuroria e Gjilanit ka njoftuar se ka dorëzuar në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me mbrojtësin e viktimave në rajonin e Gjilanit, Driton Hashani, i cili ka treguar se për rastin në fjalë është edhe një person në kërkim.

“Dy nga ta janë të arrestuar dhe është bërë kërkesa për caktimin e paraburgimit, ndërsa njëri person ende është në kërkim” – ka thënë Hashani.

Hashani ka treguar se dy nga personat që janë arrestuar janë vëllezër, ndërsa personi i tretë është shok i tyre.

“Dy nga të dyshuarit janë vëllezër, personi në kërkim është shoku i tyre” – tha ai.

Siç mëson KALLXO.com, denoncimi i të miturës është bërë në polici para dy ditëve, më 6 shtator 2022.

Raportimi ka ardhur pak ditë pas një rasti tjetër ku dyshohet se është dhunuar 11-vjeçarja.

KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar dhe janë dërguar në paraburgim gjashtë persona.