Ilustrim

A dinin mësimdhënësit e Kosovës si t'i trajtonin fëmijët e kthyer nga Siria?

Në vitin 2019, institucionet nga Kosova me anë të një hetimi dhe pune disamujore arritën që të kthenin një grup prej 110 kosovarëve nga zonat e konfliktit në Siri. 

Nga 110 kosovarë, 74 ishin fëmijë, disa nga ta pa asnjërin prind të cilët më pas përmes programave të riintegrimit dhe risocializimit u bënë pjesë e aktiviteteve të ndryshme të organizuara nga institucionet në Kosovë. 

Në anën tjetër, një hulumtim i KALLXO.com, i publikuar javë më parë, shfaq se më pak se 10 për qind e mësimdhënësve në Kosovë kanë qenë pjesë e disa seancave informuese që janë mbajtur për të identifikuar sjelljet e dhunshme dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. 

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka mbajur disa seanca informuese me rreth 320 mësimdhënës se si të trajtohet ekstremizmi i dhunshëm dhe si të ketë parandalim. 

Luljeta Berisha, me profesion psikologe, që punon tash e disa kohë në këtë Qendër tregon reagimin e mësimdhënësve karshi kësaj teme. 

“Ka qenë në fakt edhe për ne interesant sepse jemi gjithmonë afër komunitetit, kemi pasur shumë komente të tilla që ‘po kemi vërejtur këto sjellje dhe nuk e kanë ditë që kjo është pjesë e traumës, shpesh kemi pa që fëmija nuk reagon gjatë orës së mësimit, dikush është më i zëshëm dhe nuk e kanë përceptu (mësimdhënësit) që kjo është për shkak të përjetimeve në të kaluarën”, tregon komentet gjatë kohës së mbajtjes së seancave informuese Berisha. 

Ajo shton se përmes seancave informuese janë munduar që të tregojnë konkretisht trajtimin e rasteve të tilla. 

“Mësimdhënësi është ai që mund të ofrojë shumë sidomos kur duhet me pasë parasysh që mësimdhënësi luan një rol të rëndësishëm te fëmijët”, tregon tutje Berisha. 

Luljeta Berisha, KRCT, Foto:KALLXO.comBerisha thekson se mësimdhënësit kanë kërkuar trajnime të tjera. 

“Realisht edhe ka qenë kërkesë e këtyre mësimdhënësve që kemi punuar që të mbahen edhe trajnime të tjera, cilat janë shenjat e para të radikalizmit dhe ku duhet të jemi të vëmendshëm që të kemi preventivë mirëpo edhe në anën tjetër cka me ata të kthyer sepse ne nëse kemi info të duhura presim të kthehen edhe fëmijë të tjerë, kështu që ka punë edhe me këta që janë por edhe në të ardhmen”, thotë ajo. 

Në anën tjetër, në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka tentuar që të intervistojë edhe dy zëvendësministrat e Ministrisë së Arsimit po të njëjtit në kohën kur është realizuar emisioni kanë qenë me agjendë të ngarkuar. 

Dhjetëra fëmijë të kthyer nga zonat e luftës janë bërë pjesë e programeve të riintegrimit dhe risocializimit nga ana institucioneve në Kosovë. 

Të njëjtit madje janë vendosur nëpër shkolla në bazë të komunave nga vijnë dhe po vijojnë mësimin. 

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar se si në disa shkolla e institucione lokale kanë munguar psikologët, punëtorët socialë, që të trajtojnë traumat e tyre të cilat i kanë përjetuar gjatë kohës sa kanë jetuar në Siri e Irak.