Shpërndahet Kuvendi, Kosovën e Presin Zgjedhjet

Qershori do të jetë muaji i zgjedhjeve në Kosovë.

Me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur shpërndarjen e këtij institucioni duke u hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Seancës së jashtëzakonshme në Kuvend, i parapriu një takim i Presidentes së Kosovës me liderët politikë Hashim Thaçin (PDK), Isa Mustafës (LDK) dhe Behgjet Pacollit (AKR). Për dallim nga dita e djeshme, në takim nuk ka qenë i pranishëm asnjë përfaqësues i AAK-së, ndërsa ka munguar përsëri përfaqësuesi i “Vetëvendosjes”.

Në këtë takim, presidentja Jahjaga ka thënë se do të veprojë menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit, duke filluar konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Deri më tani është folur për 8 qershorin si datë të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Legjislacioni kosovar parasheh që në rast të shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen jo më afër se 30 ditë dhe jo më larg se 45 ditë nga shpërndarja.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë thotë se pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo më vonë se 10 ditë pas shpërndarjes.

Në seancë, deputeti nga PDK-ja, Arsim Bajrami, ka paraqitur kërkesën për shpërbërjen e Kuvendit në emër të 57 deputetëve nënshkrues.

Duke u arsyetuar me “ruajtjen e stabilitetit politik”, Bajrami ka kërkuar nga 114 deputetët prezentë që ta mbështesin mocionin.

“Kërkojmë që të gjitha grupet parlamentare ta mbështesin këtë mocion, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i ka dhënë mbështetje mocionit, në emër të grupimit më të madh të deputetëve në legjislativ.

“Grupi Parlamentar i PDK-së e mbështet nismën e deputetëve nënshkrues për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të lira e demokratike në nivel nacional”, tha Grabovci.

Për partinë më të madhe opozitare, LDK-në, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është kërkesë e kamotshme.

Prandaj Ismet Beqiri, shef i këtij grupi parlamentar, ka thënë se për vendin është e rëndësishme të mbahen zgjedhjet e parakohshme, pavarësisht a bëhet kjo me shkarkim të Qeverisë, ose me shpërbërje të Kuvendit.

“Për ne si LDK është shumë e rëndësishme nëse ky Kuvend vendos të hapen rrugë për zgjedhje. Esenca është të shkohet në zgjedhje dhe qytetarët me votën e tyre këtë qeveri ta dërgojnë në shtëpi”, tha Beqiri.

Por mocioni nuk është mbështetur nga “Vetëvendosja”.

Meqë kërkesa për seancë të jashtëzakonshme i referohet një marrëveshjeje ndërmjet liderëve të partive politike, kryetari i kësaj partie Albin Kurti, tha se Kuvendi nuk është i informuar se çka përmban kjo marrëveshje.

“Duhet ta dimë çka përmban kjo marrëveshje për të cilën po votojmë”.

“Kryeministri i Kosovës duhet të japë dorëheqje. Ai e ka premtuar ushtrinë e Kosovës dhe nuk e ka realizuar premtimin. Nëse nuk e ka realizuar këtë premtim, rendi moral e institucional thotë se ai duhet të japë dorëheqje. E nëse ai nuk jep dorëheqje, opozita duhet ta rrëzojë qeverinë. Nuk duhet të lejojmë që Qeveria ta rrëzojë Kuvendin”, tha Kurti. 

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, u shpreh kundër shpërbërjes së Kuvendit.

Në vend të këtij hapi, ai riktheu në vëmendje mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, nismë e cila nuk pati sukses tre muaj më parë.

Gjini kërkoi nga partitë opozitare që ta harmonizojnë një tekst të ri të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, por kjo kërkesë nuk u pranua nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Mocioni i përbashkët i dy partive që e kemi para vetes e sjell në fund edhe qeverinë e Kosovës, por mendoj se qytetarët e kanë merituar ta kenë një qeveri të shkarkuar dhe është mëkat që kjo nuk ka ndodhë”, tha Gjini.

Edhe Myzejene Selmani nga AKR-ja ka thënë se ky subjekt nuk i premton votat e veta për këtë mocion pasi që, sipas saj, bëhet fjalë për marrëveshje ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, e jo për marrëveshje ndërmjet liderëve politikë, ashtu siç është prezantuar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka një pajtueshmëri që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“PDK-ja ka marrë një vendim të merituar në interes të stabilitetit të vendit tonë. Konsideroj se një vendim i tillë është i domosdoshëm në këtë fazë”, tha Thaçi duke folur në emër të partisë që drejton.

Ai ka renditur disa arsye pse ka kërkuar shpërbërjen e Kuvendit në mesin e të cilave ka varguar pamundësinë për ta votuar formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe një vend të Qeverisë për themelimin e disa komunave të reja.

“Është detyrë thelbësore e KQZ-së dhe institucioneve shtetërore që të sigurojnë zgjedhje të lira dhe demokratike. Qeveria e Kosovës do t’i kryejë të gjitha obligimet ndaj KQZ-së në mënyrë që zgjedhjet të jenë të organizuara mirë”, tha Hashim Thaçi.

Kuvendi i Kosovës është shpërbërë vetëm pesë muaj para se ta përfundonte mandatin e rregullt katërvjeçar.

Por për Fatmir Limajn, i cili e filloi mandatin si deputet i PDK-së dhe ndërkohë krijoi parti të veten, Nismën për Kosovën, shpërbërja e Kuvendit është gjë e mirë.

 “Kush më shumë e kush më pak, asnjëri nga deputetët nuk do të dalë nga ky Kuvend me kokën lart”, tha Limaj.