Sa ka siguri në vendet e punës në Kosovë?

102 punëtorë kanë vdekur si pasojë e aksidenteve në vendet e punës që nga viti 2016 në Kosovë.

Për këtë çështje si dhe menaxhimin e punëtorëve, sigurinë e shëndetin në punë dhe kapacitetet e bizneseve për të respektuar Ligjin e punës, të premten e 24 nëntorit në #KallxoPërnime u mbajt debat, pas prezantimit të raportit “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura” nga BIRN.

Në #KallxoPërnime të pranishëm në debat ishin Brahim Selimaj nga Shoqata e Ndërtimtarëve, Naim Bajraktari, Ekspert i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, Zijavere Keqmezi U.D. Kryetare e Rrjetit të Gruas në BSPK dhe Kreshnik Gashi, Kallxo.com.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, Brahim Selimaj tha se ka mundësi me u punu që të zvogëlohet numri i të vdekurve në vendin e punës por që kjo dukuri nuk mund të zhduket.

Ka vend që nga të gjithë të sensibilizohet kjo gjendje dhe sadopak ta zvogëlojmë këtë dukuri sepse është e keqe dhe duhet të bëjnë të pamundurën jo vetëm punëdhënësit por edhe vet punëtorët që ta ruajnë vetveten”, deklaroi Selimaj.

Selimaj shtoi se vdekjet në vendin e punës po vijnë nga pakujdesitë e punëtorëve por edhe ka raste që punëdhënësi nuk ka siguruar kushte adekuate për mbarëvajtjen e punës.

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com tha se është përgjegjësi e punëdhënësit me e pas vendpunishten e sigurtë dhe nuk mund të lihet punëtori fajtor.

Pronari i biznesit është përgjegjës për atë se çka ndodh brenda objektit të tij. Nëse dikush i ka hy (në objekt) pa pajisje mbrojtëse ai duhet me e nxjerr për veshi jashtë, çoftë ai edhe punëtor i tij. Nuk tolerohet që me ia lanë vet punëtorit me vendos a me i respektu rregullat e sigurisë në punë. Tash biznesmenët kanë fillu me kriju një narrativë që punëtorët i kanë pajisjet por nuk po i përdorin. Në fakt punëtori e ka përgjegjësi me e vesh, por ai që e menaxhon vendpunishten duhet me u siguru që njerëzit i respektojnë rregullat”- deklaroi Gashi.

Gashi shtoi se vendpunishtet janë të pasigurta për shkak se kërkohen disa mijëra euro investime për t`u bërë e sigurtë e biznesmenët po i kursejnë këto para. Ai tha se sipas hulumtimit të BRIN po del se bizneset nuk kanë rregullore disiplinore që do të duhej të rregullonte procedurat disiplinore brenda biznesit për ata që nuk i respektojnë rregullat e sigurisë në punë.

Ai shtoi se punëdhënësit flasin me njëri tjetrin për punëtorët se a janë mjeshtër të mirë, por jo a i respektojnë edhe rregullat e sigurisë.

Kurse Naim Bajraktari, ekspert për siguri dhe shëndet në punë nga HSK, tregoi se përgjegjësia është e punëdhënësit që punëtori t`i ketë dhe t`i përdorë pajisjet.

Vetë kompania, çdo kompani që themelohet duhet të ia blejë pajisjet edhe pastaj punëtori a i bën a nuk i bën, përgjegjësi e kujt është? Përgjegjësi fund e krye është e punëdhënësit. Çdo kompani që formohet e ka një procedurë për themelimin e kompanisë së vetë, i ka rregullat që ligji i ka përcaktu por çdo kompani i bëjnë dhe rregullat e veta, mirëpo gjithmonë në favor të ruajtjes së sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve”- theksoi Bajraktari.

Bajraktari theksoi se nëse punëtori është i padëgjueshëm duhet t’i bëhet vërejtje, në rastin e dytë të largohet nga puna.

Zijavere Keqmezi, U.D. e kryetares së Rrjetit të Gruas në BSPK, thotë se tek Ligji për sigurinë dhe shëndet në punë, janë të paraqitura në mënyrën më të mirë të mundshme detyrimet e punëdhënësit dhe ato të punëmarrësit.

Tek ligji për sigurinë dhe shëndet në punë janë të paraqitura në mënyrën më të mirë të mundshme detyrimet e punëdhënësit, detyrimet e punëmarrësit, janë të paraqitura edhe në aspektin shëndetësor aktet juridike, aktet ligjore të brendshme por edhe ato të jashtme të cilat e rregullojnë çështjen e punëtorit si dhe natyrisht edhe sanksionet dhe dispozitat e fundit”- ka deklaruar ajo.

Neve na duhet të punojmë më shumë në menaxhimin e burimeve njerëzore, trajnimet janë të domosdoshme qysh në momentin kur i jepet një punë një punëtorit ato janë obligative për punëdhënësin që t’i ofrojë trajnimet e duhura. Së bashku me trajnime natyrisht që edhe pajisjet mbrojtëse për punë” – shtoi Keqmezi.

Ajo theksoi se nëse një punëtor nuk i respekton rregullat, punëdhënësi me patjetër duhet që të ndërmarrë masa disiplinore.

Kreshnik Gashi nga Kallxo.com tha se sipas hulumtimit të kryer nga BIRN del se mbi 50% e bizneseve të vogla nuk e kanë asnjë rregullativë të brendshme.

Në këto biznese punëtori nuk e di në sa e fillon punën, nuk e di për çka mundet me u disiplinu, qysh janë shkeljet e lehta e ato të rënda, çka është e lejuar e çka jo, çka është konflikt interesi e çka s’është dhe shumë rregulla të tjera. Tek bizneset e mesme statistikat janë pak a shumë të njëjta. Problemi është që kemi gjet edhe biznese të mëdha që nuk kanë rregullativa të shkruara, ata po arsyetohen me kontratat e punës”- deklaroi Gashi.

Gashi shtoi se certifikata shëndetësore ka raste kur nuk po kërkohet nga punëdhënësit, e kjo krijon probleme në menaxhimin e punëtorëve sepse nuk e di a mundet me e kry punën që ia jep.

Brahim Selimaj shtoi se në Kosovë po mungon arsimimi adekuat për kuadrot.

Është dinamikë e madhe e lëvizjes së fuqisë punëtore”- deklaroi Selimaj.

Në anën tjetër, Kreshnik Gashi shtoi se formimi i rregullave ka me iu siguri edhe biznesmenëve biznes të sigurtë.

Po pajtohem që nuk ka kuadro. Për biznesin është çështje e ekzistencës që punëtorin të cilin e rekruton me pas informacione për të se në çfarë gjendje është. Me e pas dosjen e kaluar, çfarë ka bërë ai njeri në biznesin e kaluar, a ka pas procedura disiplinore, a ka kryer shkelje. Biznesmenët duhet me e ditë që para se me pranu dikë në punë duhet me ia lyp një CV dhe e dyta me ia kërku një rekomandim me e pa se biznesmeni i kaluar a po ia lëshon a jo. E di që ka inate por ma mirë kish qenë me rekomandime. E treta është që duhet me e dit punëtori si është në aspektin shëndetësor, duhet certifikata shëndetësore, pa të nuk ish dashtë me mujt me hy n’punë punëtori”- deklaroi Gashi.

Naim Bajraktari, ekspert i sigurisë në punë thotë se shumica e bizneseve nuk e kryejnë vlerësimin e rrezikshmërisë të vendeve të punës.

Jemi çdo ditë në teren. Çdo kompani është e detyruar ta caktojë një person të autorizuar për vlerësimin e rrezikut i cili bëhet aty për aty, ai mund të mos jetë ekspert por caktohet nga punëdhënësi dhe ai i ndjek rregullat e sigurisë. Nuk kemi ekspertë të mjaftueshëm por kjo nuk do të thotë që të mos monitorohet rreziku”- deklaroi Bajraktari.

Inspektorati i Punës sipas tij duhet të shtoj këshillëdhënien për bizneset si dhe të trajnohen sepse inspektorët aktualë nuk kanë trajnime të kryera për sigurinë në punë. Kurse Kreshnik Gashi thotë se në Kosovë është keqkuptuar puna e Inspektoratit të Punës sepse këta të fundit nuk janë vetëm për dënime por edhe për inspektime dhe këshillime. Sipas hulumtimit të BIRN del se bizneset nuk po kërkojnë këshilla apo interpretime nga Inspektorati.

Hulumtimi i BIRN “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura” gjeti se vetëm 3 nga 50 bizneset e anketuara kanë të punësuar persona me aftësi të kufizuar dhe se shumica e bizneseve nuk kanë hapësira pune për këta persona.

Ky hulumtim tregon se gati 1/3 e punëtorëve të anketuar nuk kishin pas kontratë pune, kurse nga ata që kanë pas gjysma e tyre deklarojnë se kontratat nuk ishin në përputhje me trajtimin në praktikë.

Dallimet më të shpesha mes kontratës dhe realitetit ishin paga dhe pushimet.

BIRN Kosova të premten publikoi raportin “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura”.