Aplikacioni i mesazheve Telegram - Foto: REL/TASS

Kosovarët nisin të përdorin grupet e rrezikshme në 'Telegram'

Njëri nga rrjetet e rrezikshme sociale i njohur për shpërndarje të propagandës ruse “Telegram”, ka nisur të përdoret në audiencën shqiptare të Kosovës.

Rrjeti i cili në Kosovë vlerësohej se nuk përdorej shumë nga audienca shqiptare, ka nisur të përdoret në shpërndarje të materialeve shantazhuese “pornografike”. 

Një hulumtim i KALLXO.com ka zbuluar se këto javë në vend është krijuar një grup i cili në kohë rekorde ka arritur të mbledhë mbi 112 mijë anëtarë. Në grup  shpërndahen të dhëna personale, emra, mbiemra, numra të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave.

Deri më tani në këtë grup janë publikuar 20 mijë e 993 fotografi dhe 19 mijë e 516 video intime.

Pjesë e publikimeve në grup janë edhe fotografi të montuara që njihen si “Deep fake”, të personave, fytyrave publike të cilët kanë reaguar apo raportuar për këtë grup.

“A ka ndonjë foto, qysh me pa ma shumë foto”- shkruan njëri nga anëtarët me emrin e koduar si “Private Account”. “Sa ke çmimi dhe e kahit?”- është një pyetje tjetër e “Bafto Baftjari” që është pjesë e këtij grupi.

‘Rregullat’ e grupit dërgohen disa herë që anëtarët të kujdesen që mos t’i shkelin ato.

“Rregullat e grupit: Dërgoni numra foto/video snapa etj. Vetëm shqip. Për me i dërgu foto/video klikoni këtë. Lajmërim nëse fotot/videot sjan në lidhje me grupin do të bëhesh ban (përjashtohesh) automatikisht nga adminat”- ka shkruar administratori i grupit. 

“A ka najno ka Drenasi?”- vazhdojnë kërkesat në grupin tashmë të famshëm. “Në Prizren a kemi diçka si shpejt”- është një kërkesë tjetër.

Ajo çka mund të vërehet në këtë grup është se kontaktet nuk shihen, pra mund ta fshehësh në mënyrë që të mos identifikohesh. Kryesisht anëtarët kanë emra të të ndryshëm të koduar, ndërsa ka edhe të atillë që kanë kërkesa por edhe publikojnë me emër e mbiemër.

Në Kosovë, shpërndarja e paautorizuar e fotografive apo pamjeve të tjera është vepër penale e dënueshme me Kodin Penal.

Hetimet e prokurorisë 

Për shkak të publikimeve të paautorizuara dhe materialeve pornografike, grupi është vënë nën llupën e prokurorisë.

Njëri nga antarët e grupit është arrestuar javën e fundit.

Sipas një dokumenti të siguruar nga KALLXO.com, më 14 janar të këtij viti një 18-vjeçar nga Prizreni me inicialet L.B., dyshohet se përmes telefonit të tij fillimisht kishte kërkuar nga një vajzë që të kryente disa veprime sipas dëshirës së tij, por që e njëjta nuk kishte pranuar.

Sipas dosjes, refuzimi i vajzës për të kryer veprime çoi deri te kërcënimi ndaj saj nga i dyshuari L.B., se do t’i publikonte apo shpërndante fotografi të së njëjtës si dhe të dhëna të tjera personale.

Dosja thotë se vajza nuk i ishte bindur kërkesave të 18-vjeçarit dhe më pas ky i fundit kishte publikuar fotografi të viktimës në rrjetin social “Telegram”, konkretisht në një grup në të cilin atë kohë ishin të anëtarësuar rreth 80 mijë persona. Aktualisht grupi ka mbi 100 mijë persona.

Kur vajza kishte kuptuar këtë çështje, menjëherë i ishte drejtuar organeve të rendit të cilët kishin nisur edhe të trajtonin ngjarjen e cila përfundoi me arrestim e të dyshuarit më 5 shkurt.

Ekipet e hetuesisë kibernetike kishin arritur që të siguronin prova të shumta materiale që pretendohet se ishin veprime të kundërligjshme të kryera nga i dyshuari L.B., dhe me këto veprime dyshohej se kishte kryer veprën penale të fotografimit e incizimit të paautorizuar.

Rrjeti social “Telegram” është krijuar në vitin 2013, ndërsa themeluesit e tij janë dy vëllezër Pavel dhe Nikolai Durov – të dy me prejardhje ruse.

Ekipi i “Telegram” është i vendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa ishte detyruar të largohej nga Rusia për shkak të rregulloreve lokale.

Qëllimi i këtij aplikacioni ishte mbrojtja e privatësisë, përgjimit nga palët e treta. Ndërsa arsyeja se pse “lejohet” paligjshmëria në këtë aplikacion në bazë të të dhënave zyrtare të vetë “Telegram”-it është se të gjitha bisedat janë në grupe private dhe se nuk përpunohet asnjë kërkesë në lidhje me to.

Në “Telegram” aktualisht mund të gjesh kanale dhe grupe të ndryshme të cilat u dedikohen specifikisht aktiviteteve ilegale.

Rrjeti social “Telegram” është përdorur dhe vazhdon të përdoret ende për të shpërndarë propagandë në lidhje me luftën në Ukrainë.

Grupe të shumta ruse janë të hapura në këtë aplikacion të cilat shpërndajnë shkrime të shumta në lidhje me situatën aktuale në botë.