Foto: KALLXO.com

MINT: Mirëpresim çdo hetim, por jemi të bindur që asnjë dëm nuk ka ndodhur me rezervat shtetërore

Ministria e Industrisë, Ndërmarrëssië dhe Tregtisë ka reaguar për bastisjen e kryer në zyret e departamentit për rezerva shtetërore në këtë ministri.

Gjatë aksionit u arrestuan dy zyrtarë të kësaj ministrie dhe një biznesmen. Ata janë arrestuar nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

MINT në komunikatë ka theksuar se mirëpresin çdo hetim edhe pse janë të bidnur se nuk ka ndodhur ndonjë dëm me rezervat shtetërore.

“Sot, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë erdhën Njësia hetuese e Prokurorisë Speciale, me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontroll në zyret e dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Drejtorit të Departmentit për rezervat shtetërore, z. Hafiz Gara dhe Drejtorit të Deparmentit të integrimeve evropiane, z.Irfan Lipovica. Për më tej Prokuroria Speciale ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta”- bënë të ditur MINT.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”- thuhet më tej në komunikatë.

Sipas MINT, për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku.

“Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe kordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”- thekson ministria.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thekson se pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cënojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, u ka bërë thirrje edhe mediave që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria .

Mëngjesin e sotëm, Policia kishte aksion në MINT gjatë të cilit u arrestuan dy zyrtarë të saj dhe në pronat e Ridvan Muharremit, i cili po ashtu u arrestua.

Këto bastisje vijnë pas një publikimi të një audioincizimi të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Dy zyrtarët e MINT, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dëgjohen në disa audio-incizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.

Afera në ministrinë e Rozeta Hajdarit, dërgohen në mbajtje tre të arrestuarit