Ilustrim KQZ

Pas hulumtimit të KALLXO.com, KQZ publikon kontratat e prokurimit për zgjedhjet

Me nënshkrimin e kontratës publike, pas përfundimit të procedurave të prokurimit deri tek nënshkrimi i kontratës, autoriteti kontraktues është i obliguar të bëj edhe ngarkimin e kontratës në platformën elektronike “e-prokurimit” përveç njoftimit për nënshkrimin e kontratës. Një gjë e tillë kërkohet edhe me legjislacion.

Këtë fillimisht nuk e kishte bërë KQZ, ndërsa tek pas hulumtimit të KALLXO.com, situata ka ndryshuar.

“Autoriteti Kontraktues përgatitjen e njoftimit për nënshkrim të kontratës duhet ta bëjë nëpërmjet funksionit ‘nënshkrimi i kontratës’ në sistem të prokurimit elektronik. Gjatë përgatitjes së njoftimit për nënshkrim të kontratës, AK duhet që me kujdes të plotësoj të gjitha të dhënat që kërkohen në hapat përkatës të funksionit ‘nënshkrimi i kontratës’, përfshirë ngarkimin e kontratës së nënshkruar”, thuhet në udhëzues.

Publikimi i kontratës në “e-prokurim” kërkohej edhe me udhëzuesin e mëparshëm. Ku përpos njoftimit për nënshkrim te kontratës, kërkohej që AK duhet të publikojë kontratën e nënshkruar.

Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) në një përgjigje për KALLXO.com tha se Autoriteti Kontraktues “brenda dy (2) ditëve pas nënshkrimit të kontratës do të përgatisë njoftimin për nënshkrimin e kontratës në gjuhët e cekura në nenin 13 të ligjit të Prokurimit”.

KALLXO.com gjeti se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk kishte ngarkuar në sistem të paktën tre kontrata të nënshkruar për zgjedhjet Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021.

Për të mësuar më shumë lidhur me kontratat: shtypjen e fletëvotimeve dhe broshurave, informimin publik për zgjedhje, furnizimin me UV sprej, KALLXO.com iu është drejtuar me e-mail KQZ-së, njëkohësisht duke kërkuar edhe një kopje të këtyre kontratave, mirëpo KQZ nuk u përgjigje në kërkesën e KALLXO.com.

Në anën tjetër, KRPP në përgjigjen përmes e-mail të datës 12 shkurt 2021 e konfirmon se KQZ nuk ka ngarkuar fare kontratat e nënshkruara në “e-prokurim”

“Bazuar në kërkesën e BIRN lidhur me aktivitet e prokurimit “Shtypja e fletëvotimeve dhe broshurave për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021” me numër të prokurimit: 320-21-62-1-1-5, “Furnizim me UV prej për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021”, me numër të prokurimit: 320-21-63-1-2-5” të zhvilluar nga autoriteti kontraktues KQZ KRPP ka kontrolluar të dhënat e kërkuara në platformën e e- prokurimit dhe ju njoftojmë se autoriteti nuk ka ngritur kontratat në platformë të e- prokurimit në asnjeri nga rastet e kërkuar”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

Zgjedhjet lokale 2021

Ndryshe nga tenderët për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të muajve më parë, institucioni i zgjedhjeve në Kosovë, për tenderët për përgatitjet për zgjedhje lokale të cilat pritet të mbahen në muajin tetor. KQZ po i publikon kontrata. KQZ e ka publikuar kontratën për tenderin “Shtypja e fletëvotimeve dhe broshurave për Zgjedhjet Lokale 2021”, tenderit “Furnizim me Vula(gome Vule) dhe jastëk te Vulave për zgjedhjet Lokale 2021”, tenderin “Furnizim me pako te trajnimeve për zgjedhjet lokale 2021.