Çekani i drejtesise - Ilustrim

OJQ-të të pakta, e me kapacitete të limituara për t’iu ofruar ndihmë ligjore viktimave të dhunës 

Çdo grua e cila është viktimë e dhunës në familje gëzon të drejtën për ndihmë juridike falas. Ndryshimet ligjore në ligjin për mbrojtjen juridike falas kanë paraparë që gratë të jenë përfituese të drejtëpërdretja të ndihmës që ofrohet nga agjencia për privatësi. Ligji parasheh që përpos agjencisë ndihmën mund ta ofrojnë edhe Organizatat e shoqërisë civile. 

Një hulumtim i Kallxo.com tregon se disa nga organizatat kanë nisur të mbesin pa fonde të cilat garantojnë financimin e ndihmës juridike. 

Kosova ka një numër të vogël të organizata joqeveritare që ju ofrojnë ndihmë dhe asistencë ligjore grave të cilat janë viktima të dhunës dhe grave me probleme juridike, por edhe ato që ekzistojnë, veprojnë me kapacitete të limituara. 

Përballë shifrave të larta të dhunës në familje, për një pjesë të grave në Kosovë mbetet sfidë qasja në shërbimet ligjore, informimi për këto shërbime dhe marrja e tyre.

Të dhënat nga Policia tregojnë se vetëm në muajin shkurt, 143 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje. Ndërkohë të dhënat tregojnë se vetëm shtatë organizata ofrojnë ndihmë ligjore për viktimat e dhunës.

Ani pse ta pakta në numër, puna e OJQ-ve për t’iu ndihmuar grave që janë viktima të dhunës në familje dhe grave që kanë problem me ligjin mbetet e madhe por e mbushur me sfida si pasojë e kapaciteteve të vogla, vështirësive në aprovimin e projekteve dhe nevojës për fonde më të mëdha.

Në mesin e këtyre OJQ-ve është edhe “Shoqata e Gruas” në Gjakovë e cila për mbi 20 vite ka kontribuar në integrimin e grave dhe qytetarëve në jetën sociale nëpërmjet programeve për këshilla juridike falas për personat në gjendje të rëndë sociale, përmes programeve të edukimit dhe gjithashtu edhe përmes avokimit për barazinë gjinore.

Mirëpo, 2023-ta solli vështirësi të shumta në punën e kësaj shoqate pasi mungesa e projekteve u pamundësoi atyre që t’i kryejnë aktivitetet e tyre pjesë e së cilës është edhe ndihma juridike për gratë që janë viktima të dhunës në familje.

“Këtë vit prej shkurtit neve nuk na kanë aprovuar asnjë projekt. Jemi në pritje por aktivitetet nuk jemi duke i zhvilluar se nuk kemi projekte”- ka thënë për KALLXO.com Qefsere Kumnova, drejtoreshë e kësaj shoqate.

E indinjuar me këtë gjendje, Kumnova shpresat ia ka lënë kohës duke pritur që muajve në vijim kjo shoqatë t’i rikthehet punës dhe normalitetit.

“(Gjendja) Shqetësuese është sa të duash, se nuk ke mundësi as të paguash një zyre, kemi dalë, na u desh ta lëshojmë zyrën. Po shpresojmë, presim pasi të kalojë vera me vazhdu me punu”- ka thënë ajo.

Kumnova përmes një përgjigje për KALLXO.com ka rikujtuar ditët kur kjo shoqatë sillte impakt në shoqëri përmes trajtimit të rasteve të dhunës në familje.

“Ne edhe me dhunën në familje jemi marrë shumë dhe kemi pasur shumë projekte edhe për dhunën në familje që i kemi pasur shumë të suksesshme”- është shprehur ajo.

Ani pse jo në gjendje të njëjtë, të lehtë nuk e ka punën as OJQ Medica Kosova e cila u jep ndihmë juridike falas grave që u shkelen të drejtat, viktimave të dhunës në familje dhe viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Drejtoresha e kësaj OJQ-je, Veprore Shehu, ka shpjeguar se momentalisht kanë vetëm një juriste që merret me këto raste.

Shpenzimet e stafit dhe të zyrës kjo OJQ i mbulon përmes projekteve gjersa gratë i ndihmojnë pa para në këmbim.

“Realisht është një ngarkesë e madhe meqenëse e kemi veç një juriste dhe numri i projekteve dhe volumi i mjeteve që i kemi në dispozicion ta përcakton edhe sa i mban në punë”- ka thënë Shehu.

“Mirëpo, për momentin një juriste është shumë e ngarkuar realisht sepse edhe ofron vetëdijesim edhe ofron përkrahje të drejtpërdrejtë edhe merret me çështje tjera administrative që kanë të bëjnë me ankesa, me institucione tjera publike., me gjykata etj”- ka shtuar ajo teksa ka përmendur edhe disa prej punëve kryesore që kryen kjo OJQ.

“…. kush e inicon divorcin, plus kujdestarinë ndaj fëmijëve, qasjen në prona, krejt këto u ofrohen grave pavarësisht a janë viktima të dhunës në familje apo jo, por në veçanti kanë përparësi viktimat e dhunës në familje”- ka thënë Shehu për KALLXO.com.

Me numër pak më të madh të juristeve (8 juriste) del të jetë Shoqata e Avokatëve “Norma” e themeluar në vitin 1998 punon në mbrojtjen e grave, minoriteteve dhe fëmijëve, organizimin e trajnimeve, seminareve, sesione edukative mbi ligjet aktuale si dhe ofrimin e ndihmës ligjore pa pagesë.

Mirëpo, drejtoresha e kësaj shoqate, Valbona Salihu ka shpjeguar se ofrimi i këtyre shërbimi nuk bëhet çdo ditë pasi që kjo gjë varet edhe prej projekteve që fitojnë.

“Nuk kemi çdo ditë, shumë rrallë janë rastet kohët e fundit, se zakonisht edhe me projekte është ofrimi i ndihmës juridike por edhe vullnetare por nuk kemi diçka të përditshme”- ka thënë Salihu për KALLXO.com

Me të drejtat e grave merret edhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, fokusi i të cilës mbetet kryesisht te gratë që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës për të cilat e ofrojnë psikoterapinë, rehabilitim dhe identifikimin e këtyre grave.

Kadire Tahiraj, drejtoreshë e kësaj qendre, ka shpjeguar për KALLXO.com se kanë vetëm një juriste.

“Ne kemi një juriste, për momentin është në pushim të lehonisë juristja jonë. E kemi edhe sociologen. Ne më shumë mundohemi me ri-integrimin dhe fuqizimin e këtyre grave”- ka thënë Tahiraj.

Ajo ka pohuar se kapacitet e vogla dhe mungesa e fondeve u sjellin vështirësi në punën e tyre.

“Po është shumë vështirë dhe është sfiduese me punu për arsye se kemi edhe mungesë të fondeve edhe është shumë sfiduese edhe gratë taman ta kenë një ligj të implementuar për të drejtat e këtyre grave”- ka thënë Tahiraj.

“Sidomos viktimat e dhunës seksuale (gjatë luftës) po kanë probleme edhe te komisioni, kemi refuzime të panevojshme, të pa arsyeshme të atyre refuzimeve nga njohja e statutit, paraqitja fizike te komisioni është maltretim i madh ndaj këtyre grave që më së shumti është shqetësuese kjo te ne”- ka shtuar ajo.

Nevoja për ndihmë nga shteti

Për këtë problematikë, aktivistja për të drejtat e grave dhe drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, si zgjidhje e sheh ndarjen e një fondi për OJQ-të që ofrojnë ndihma të tilla për gratë.

“OJQ-të e grave por edhe OJQ-të tjera që janë për ndihmë juridike duhet të licencohen dhe me u njoftë edhe raportimi i dhunës edhe te këto OJQ qoftë nga ana e shtetit por edhe nga fondet e huaja dhe nga fondet kosovare, t’iu ndahet një fond i caktuar ashtu siç iu ndahet edhe strehimoreve”- ka thënë Demolli.

Sipas Demollit, ndikimi i OJQ-ve që ofrojnë ndihmë juridike falas është i madh mirëpo, sipas saj, atyre u mungon mbështetja nga dora e shtetit.

“Personat që punojnë në shtet nuk janë aktiv sa jemi ne në avokim si OJQ sa ne e njohim dhe sa është zhvilluar ky sektor i cili është zhvilluar tej mase. Trajnimet që kanë ndodh tek OJQ-të që japin ndihmë juridike falas janë tepër të mëdha por nuk ka një mbështetje nga ana e shtetit”- ka thënë ajo.

Në anën tjetër, Leonida Molliqaj e cila është Drejtore Ekzekutive dhe kryeredaktore në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, ka thënë se institucionet shtetërore duhet t’i ofrojnë shërbimet bazë për gratë që mund të shtypen në shoqëri.

“Ne si organizatë mendojmë që shërbimet për viktimat e dhunës në familje por edhe në përgjithësi për nevojat e grave lidhur me shtypjet dhe padrejtësitë që munden t’i kenë në shoqërinë ku jetojnë duhet me qenë të institucionalizuara në kuptimin që besojmë që institucionet shtetërore duhet t’i ofrojnë shërbimet bazë për gratë e që fatkeqësisht ende nuk ndodh”- ka thënë ajo.

Sipas Molliqajt, edhe në ato raste kur ka të tilla shërbime mungon informimi mbi mundësinë e grave për t’i shfrytëzuar ato.

“Ndërkohë e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë angazhimin e OJQ-ve që ofrojnë shërbime në fusha të ndryshme por të cilat fatkeqësisht kalojnë nëpër sfida edhe nuk kanë mbërri m`i përmbush krejt nevojën që kanë gratë në këtë drejtim”- ka shtuar Molliqaj.

Çka është ndihma juridike falas?

Ndihma juridike falas është një obligim ndërkombëtar për shtetet që nëpërmjet saj të sigurojnë qasje efektive në drejtësi për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta siguruar atë.

Kategoritë të cilat përfitojnë nga kjo ndihmë, parimisht shtetërore, janë të parapara me ligj. Por, kurdoherë që interesi i drejtësisë e kërkon që kjo ndihmë t’u jepet individëve të caktuar ajo jepet pavarësisht këtyre kategorive.

Në Bashkimin Evropian rëndësia dhe funksioni i këtij shërbimi nuk vihet në diskutim. Të gjitha vendet anëtare e ofrojnë atë. Por nuk ekzistojnë standarde apo kritere të unifikuara mes tyre në këtë segment ndaj dhe është e pamundur të matet dhe të bëhet vlerësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimit brenda dhe midis vendeve të ndryshme.

Sipas rregullimit ligjor në vendin tonë, ndihma juridike falas përfshin: informatat dhe këshillat juridike lidhur me procedurat ligjore; përpilimin e shkresave dhe tërë asistencën tjetër teknike që ka të bëjë me kompletimin e lëndës; dhe përfaqësimin në procedurën civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse.

Ofrimi i ndihmës juridike falas në Kosovë

Përpos Organizatave Joqeveritare, ndihmën juridike falas e ofron edhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, me krijimin e së cilës në maj të 20006-tës është institucionalizuar ndihma juridike në Kosovë.

Nga kjo agjenci kanë shpjeguar se viktimat e dhunës në familje e fitojnë të drejtën për përfaqësues ligjorë përmes posedimit të një dëshmie si raporti policor, kartoni urdhër mbrojtës.

“Këto kategoritë si rastet e dhunës në familje automatikisht e fitojnë të drejtën për përfaqësues ligjorë, për avokat. Ia angazhojmë avokatin në këso raste vetëm me një raport policor, kartonin ose me urdhër mbrojtës. Te kjo procedurë kurrfarë kriteri tjetër s’ka nevojë, në momentin që e ka raportin e Policisë ose urdhër mbrojtës ose karton diçka asaj në moment i angazhojmë avokat që përfaqëson procedurat edhe në procedurë penale edhe në civile”- thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie.

Në qershor të këtij viti, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një video mesazhi ka njoftuar se gjatë vitit 2022 ndihma juridike falas u është ofruar mbi 2600 grave.

“Dua të shfrytëzoj rastin që përmes kësaj videoje të bëj thirrje për raportim të dhunës në familje, dhunës në baza gjinore, si dhe shfrytëzim të ndihmës juridike falas që ofron Agjencia për Ndihmë Juridike Falas”- ka thënë Haxhiu.

Ministria e Drejtësisë ka sqaruar se ka disa organizata që merren me ofrimin e ndihmës juridike, si IKD, CLARD, CRPK, SHPRK, QKRMT por ky institucion ka thënë se nuk kanë informata të sakta për OJQ-të që ofrojnë ndihmë ligjore për viktimat e dhunës në familje dhe grave që përballen me probleme juridike.

Po ashtu ky institucion ka thënë se me 6 qershor 2023 është nënshkruar Rregullorja për përcaktimin e kritereve për ofrimin e shërbimeve juridike falas nga organizatat jo – qeveritare në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe është krijuar infrastruktura ligjore për krijimin e partneriteteve.

Korniza juridike e Kosovës sa i përket dhënies së ndihmës juridike

Ndihma juridike falas në Kosovë jepet në përputhshmëri me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilës ‘e drejta në ndihmë juridike falas është e garantuar në rastet kur i akuzuari nuk ka mjete të mjaftueshme për të paguar për ndihmë juridike dhe në rastet kur interesi i drejtësisë e kërkon’, dhe po ashtu me Kartën e të Drejtave Fundamentale të Bashkimit Evropian.

Kur flasim për legjislacionin vendor, ajo e ka burimin nga akti më i lartë juridik i vendit – Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila e përcakton Ligjin për ndihmë juridike falas si aktin kryesor rregullues të saj. Marrë parasysh se kjo ndihmë ofrohet në të gjitha llojet e procedurave: administrative, kundërvajtëse, civile dhe penale, domosdo fushëveprimi i gjerë bën që edhe ligjet e tjera të përmbajnë rregulla për të. 

P.sh. dispozita të caktuara për NJF gjenden në Ligjin për procedurën civile dhe Kodin e procedurës penale. Dobësia e sistemit tonë juridik në këtë pikë qëndron në mosharmonizimin e këtyre dispozitave gjë që shkakton probleme në praktikën juridike.

Sfidat e legjislacionit

Organizimi i ndihmës juridike duke i përfshirë OJQ-të sipas ligjit do duhej t’i nënshtrohej një standardi të rregulluar ligjor.

 Për shumë vite Agjencia nuk ka arritur ta hartojë rregulloren për ta standardizuar këtë punë.

Të dhënat nga Agjencia tregojnë se rregullorja për përcaktimin e kritereve për ofrimin e ndihmës juridike falas nga organizatat joqeveritare në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas është në stad drafti të dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është krijimi i partneritetit mes ANJF-së dhe OJQ-së përmes përcaktimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta.

 Edhe akte të tjera janë duke pritur: Rregullorja për themelimin e Komisionit për Ankesa; Udhëzimi administrativ për tarifat dhe kompensimin e shërbimeve të kryera nga avokatët lidhur me shërbimet e autorizuara të ndihmës juridike falas; Udhëzimi administrativ për procedurat e angazhimit të avokatëve në shërbimet e autorizuara të ndihmës juridike falas; Udhëzimi administrativ për përmbajtjen e formularit për paraqitjen e kërkesës për ndihmë juridike falas.

 

Çka përmban një formular për ekzekutimin e masave mbrojtëse për dhunë në familje?

Në dhjetor të vitit të kaluar KALLXO.com ka shkruar një artikull përmes të cilit ka shpjeguar se çka përmban një formular për ekzekutimin e masave mbrojtëse për dhunë në familje.

Një faqe A4 përmban disa pika të cilat duhet të plotësohen në rast se një viktimë ka një urdhër mbrojtës i cili është lëshuar nga autoriteti kompetent në këtë rast Gjykata dhe këtë urdhër e mbikëqyrin institucionet e tjera.

Në rast se viktima informon policinë apo QPS-së se personi ndaj të cilit është ngritur urdhri e ka shqetësuar apo i është afruar, ekipet e policisë drejtohen të viktima për të plotësuar formularin i cili dëshmon shkeljen e urdhrit nga personi i dyshuar.

 Kërkesën për urdhër mbrojtje zakonisht e realizojnë Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, por në raste emergjente këtë masë mund ta kërkojnë edhe Policia e Kosovës.

 

Çka përmban një formular i urdhër-mbrojtjes

Në momentin kur viktima pajiset me urdhër mbrojtje, dokumenti u dërgohet edhe institucioneve të tjera të cilat janë relevante për të zbatuar urdhrin dhe ta mbikëqyrin atë. 

 Formulari fillimisht përmban titullin “Formular për ekzekutimin e masave mbrojtëse sipas Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”.

Tutje në po të njëjtin formular paraqitet numri i rastit në polici, të dhënat se cili stacion është duke e bërë mbikëqyrjen apo sigurinë e viktimës, kush po e plotëson formularin si dhe komentet që lënë zyrtarët policor në po të njëjtin formular.

Në fund të kësaj flete shkruhet data kur është bërë ekzekutimi i mbikëqyrjes së masës së urdhrit mbrojtës e cila duhet të nënshkruhet nga hetuesit policor që kanë qenë në teren, por edhe nga viktima.

 

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.