Antarët dhe përfaqësuesit nga institucionet dhe OJQ-të lokale në komunën e Gjakovës në takimin përmbarues të projektit “Ofrimi i mbështetjes ligjore dhe psikologjike për gratë që janë viktima të dhunës në bazë gjinore”/ Foto: KALLXO.com
Për gjashtë muaj, 400 gra u informuan për mjetet ligjore për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore
Nga muaji prill e deri në shtator të këtij viti, 50 gra viktima të dhunës, veçanërisht gra nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që jetojnë në komunat e Gjakovës, Deçanit dhe Junikut, kanë marrë ndihmë konkrete juridike dhe psikologjike në kuadër të projektit “Ofrimi i mbështetjes ligjore dhe psikologjike për gratë që janë viktima të dhunës në bazë gjinore”.
Ky projekt është realizuar nga Organizata Joqeveritare “Femrat Aktive të Gjakovës”, është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës dhe është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Gjatë këtyre gjashtë muajve, 400 gra janë informuar mbi mekanizmat ligjorë për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore. Informimi është bërë përmes takimeve derë më derë, online dhe përmes telefonit.
Ndërkaq, më 29 shtator, në Gjakovë është mbajtur një takim në kuadër të këtij projekti, ku është avokuar drejt koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në lidhje me ofrimin e shërbimeve juridike dhe psikologjike për gratë viktima të dhunës në bazë gjinore; rreth problemeve të identifikuara në terren me anëtarët e MKKDHF; prania e përfaqësuesve institucional vendorë dhe bashkëpunimi i tyre gjatë sesioneve të rritjes së ndërgjegjësimit, në ndërtimin e besimit dhe partneritetit midis përfituesve të projektit, grupeve të margjinalizuara dhe autoriteteve lokale.
Ky takim u organizua me diskutime të hapura, ku pjesëmarrësit kanë ndarë mendimet, përvojat dhe perspektivat e tyre që përfaqësojnë ligjërisht.
Juristja Arbnore Shehu Bunjaku e cila në këtë inciativë ka qenë e përfshirë si trajnere, tregoi se në kuadër të këtij projekti janë kryer tri aktivitete.
“Në kuadër të këtij projekti janë kryer tri aktivitete. Njëra ka qenë 50 sesione derë më derë tek komuniteti rom ashkali dhe egjiptian dhe tek komuniteti shqiptar në komunën e Gjakovës, komunën e Junikut dhe Deçanit” – shpjegoi Shehu Bunjaku për KALLXO.com, ku tutje përmendi se ndër problemet më të shpeshta ka qenë mungesa e informacioneve të viktimave për të drejtat e tyre.
“Problemet më të mëdha i kemi hasur gjatë këtyre takimeve tek komuniteti rom, ashkali, egjiptian për shkak se kanë shumë pak njohuri lidhur me të drejtat e tyre ligjore, ku duhet të trokasin për çdo problem, ku raportohet dhuna, braktisja e shkollave që është vepër penale, martesat e hershme që janë vepra penale e kështu me radhë” – tha ajo duke potencuar se përpos këtyre aktiviteteve palëve u është ofruar edhe ndihmë juridike dhe po ashtu është bërë edhe monitorimi i disa seancave gjyqësore.
“Kemi pasur edhe ndihmë konkrete juridike, mbi 50 raste janë tejkaluar domethënë veprimet jurdike ligjore. Përveç këtyre veprimeve, përpilimi i padive, shkresave dhe parashtresave të ndryshme kemi përcjellë palët edhe nëpër institucionet gjegjëse drejt realizimit të të drejtave të tyre, edhe pastaj kanë qenë të parapara edhe 10 monitorime në Gjykatën Themelore në Gjakovë dhe në Gjykatën Themelore në Deçan, nga këto 10 monitorime, janë kryer deri më tani shtatë, kanë ngelur për tu kryer edhe tre. Katër janë kryer në Gjykatën Themelore në Gjakovë dhe tri në Gjykatën Themelore në Deçan” – shpjegoi ajo.
Mirëpo, ajo tha se për ta ka qenë e pamundur që gjatë kësaj kohe të marrin pjesë në monitorimin e disa prej seancave gjyqësore.
“Gjatë këtyre monitorimeve për shkak të natyrave të ndjeshme në shumë seanca në Gjykatën Themelore në Gjakovë nuk kemi mundur të marrim pjesë sepse ka qenë procesi shumë konfidencial” – u shpreh Shehu Bunjaku duke përmendur edhe gjetjet e evidentuara gjatë këtyre monitorimeve.
“Gjatë monitorimeve kemi hasur në gjetje të ndryshme duke filluar nga mungesa e numrit të vogël të gjyqtarëve civilistë, zvarritja e lëndëve për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve ku në Gjykatën Themelore në Gjakovë janë vetëm tre gjyqtarë civilistë dhe një që merret me rastet e të miturve. Për me dashtë mi realizu lëndët me kohë të paktën duhet të jenë gjashtë gjyqtarë civilistë” – shpjegoi ajo.
Disa prej rekomandimeve që u nxorën në këtë tryezë diskutimi ishin shtimi i numrit të rasteve të gjyqtarëve, plotësim-ndryshimi i Ligjit për familje, shtimi i numrit të mbrojtësit të viktimave edhe nëpër komuna të tjera.
Në këtë tryezë diskutimi, Erblina Dinarama, drejtoreshë në strehimoren “Shtëpia e Sigurtë” në Gjakovë, bëri të ditur se momentalisht në këtë strehimore qëndrojnë 25 gra dhe fëmijë.
“Për momentin që ‘Shtëpinë e Sigurtë’ në Gjakovë janë të strehuara 25 gra dhe fëmijë. Kurse, nga fillimi i janarit e deri më 31 gusht kanë qenë 141 nëna dhe fëmijë që kanë ardhur në strehimore” – bëri të ditur ajo.
Ndërkaq, lidhur me raste e dhunës në familje, Enis Gashi, prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, tha se këto raste trajtohen me prioritet.
“Sa i përket rasteve të dhunës në familje, dua t’iu njoftoj që këto raste trajtohen me prioritet. Një pjesë e këtyre rasteve në vend sa i përket, gjykatës, prokurorisë, shkojnë me masë të sigurisë, caktimi i paraburgimit për të dyshuarit që me u siguru viktima, mos me u përsërit vepra edhe e kemi pasur një numër mjaft të madh të rasteve sidomos këtë vit. Kemi një raport për periudhën janar – gusht dikund mbi 50 raste veç me paraburgim. Si numër janë mbi 100 e më tepër mirëpo me paraburgim kanë qenë dikund rreth 50 apo 60 raste” – tha Gashi.
Në anën tjetër, Valbona Doli Rizvanolli, drejtoreshë në OJQ “Femrat Aktive të Gjakovës” theksoi se një ndër problemet kryesore te viktimat e dhunës është ndryshimi i deklaratave.
“Unë konsideroj që tek këto komunitete është edhe një problem përkundër asaj që ne mundohemi t’i vëtdijesojmë. E raportojnë rastin për dhunë seksuale ose dhunë në familje. Në polici e raportojnë që ka ekzistuar dhuna, provat tregojnë që ka pasur dhunë, kur shkojnë te prokurori fillojnë ngadalë-ngadalë ta ndryshojnë deklaratën e tyre. Kur të shkojnë në gjykatë rrënjësisht e ndryshojnë (deklaratën), tërhiqen komplet” – tha Doli Rizvanolli duke shtuar se ky problem rrjedh si pasojë e mungesës së përkrahjes nga shteti.
“Por ku është problemi, pse po tërhiqen? Tërhiqen sepse nuk e kanë mbështetjen e shtetit. Shteti nuk ofron mbështetje për to dhe zgjidhja e vetme është që viktima të kthehet prapë te dhunuesi, dhe zakonisht numrin më të madh të rasteve e shohim se kthehen tek dhunuesi”.
Në lidhje me këtë, prokurori Gashi tha se kthimi i viktimave te dhunuesi ndodh si pasojë e disa faktorëve.
“Te tërheqja e viktimave ose kthimi prapë te dhunuesi ka shumë faktorë që ndikojnë, por disa janë më kryesore nuk është vetëm tek komunitetet por edhe tek shumica. Te dhuna në familje eksiston edhe mentaliteti jonë se ‘Qysh mos me u kthy prapë te burri’, ‘Një shuplakë, nuk u bo kjameti’ edhe tjetra është te faktori ekonomik, s’ka ku shkon, sepse ajo nuk është e pavarur, nuk ka punë edhe nuk ka mundësi tash shteti jonë në këto kushte t’iu ofrojë të gjithave një punësim, një strehim apo diçka tjetër, këto janë edhe faktorë që ndikojnë” – tha ai.
Ndërkaq, Erblina Dinarama, drejtoreshë në strehimoren “Shtepia e Sigurtë” në Gjakovë u shpreh se ka parë raste kur viktimave u ka munguar edhe përkrahja nga anëtarët e familjes.
“Ka raste që viktimën vijnë e vizitojnë familjarët, motra, vëllai dhe e mbushin me fjalë viktimën duka ia përcjellë fjalët e hallkut se nëpër fshatra është rrethi më i gjerë, dhe pastaj viktimës i shkaktojnë edhe më shumë trauma. Kështu që, nuk eksiston gjithmonë mbështetja sidomos në vendet rurale” – potencoi Dinarama.
Tutje, ajo shpjegoi se qëndrimi i viktimave në strehimore nuk është i njëjtë për asnjërën pasi që kjo varet se sa kohë merr viktima për t’u rehabilituar.
“Periudha e qëndrimit në strehimore për asnjërën viktimë nuk është e njëjtë sepse varet nga vet viktima sa është në gjendje të rehabilitohet. Ka gra që e tejkalojnë më lehtë, më shpejtë dhe ka gra që u duhet më shumë kohë. Pra, një nënë nëse nuk është e gatshme që të përkujdeset për fëmijët e vet atëherë nuk mund të bëjmë kërkesa për t’ia siguruar banimin social ose sigurimin e banesës me qira” – shpjegoi Dinarama duke përmendur se plani i veprimit për viktimën bëhet në koordinim me Qendrën për Punë Sociale.
“Domethënë prapë barra bie në shtëpinë e sigurtë që duhet mi rishiku shumë mirë viktimën se a është e gatshme për me jetu vetëm bashkë me fëmijët e saj. Por këtu një ndihmë të madhe e jep qendra për punë sociale sepse plani i veprimit për viktimën bëhet bashkë me Qendrën për Punë Sociale dhe aty ne e vlerësojmë se a është e gatshme (viktima) të dalë të jetojë vetëm apo jo” – përfundoi ajo.
Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.