Foto: KALLXO.com
Çka përmban një formular për ekzekutimin e masave mbrojtëse për dhunë në familje
Një faqe A4 përmban disa pika të cilat duhet të plotësohen në rast se një viktimë ka një urdhër mbrojtës i cili është lëshuar nga aurotiteti kompetent në këtë rast Gjykata dhe këtë urdhër e mbikëqyrin institucionet e tjera.
Në rast se viktima informon policinë apo QPS-së se personi ndaj të cilit është ngritur urdhëri e ka shqetësuar apo i është afruar, ekipet e policisë drejtohen të viktima për të plotësuar formularin i cili dëshmon shkeljen e urdhërit nga personi i dyshuar.
Kërkesën për urdhër mbrojtje zakonisht e realizojnë Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, por në raste emergjente këtë masë mund ta kërkojnë edhe Policia e Kosovës.
Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se si hetuesit policor në Stacionin Policor të Lipjanit po dyshohet se kanë mbushur formularët për mbikëqyrje të urdhërit mbrojtës në lidhje me rastin e Hamide Magashit, pasi që ajo ishte vrarë.
Kjo ishte hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës ku edhe kanë zbuluar se kjo çështje ka ndodhur, ndërsa mëngjesin e sotëm Komandanti i Policisë në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues janë suspenduar nga detyra.
Çka përmban një formular i urdhër mbrojtjes:
Në momentin kur viktima pajiset me urdhër mbrojtje, dokumenti u dërgohet edhe institucioneve të tjera të cilat janë relevante për të zbatuar urdhërin dhe ta mbikëqyrin atë.
Në rastin e Hamide Magashit, urdhëri- mbrojtjes i është dërguar edhe Qendrës për Punë Sociale në Lipjan edhe Stacionit Policor në Lipjan.
Formulari fillimisht përmban titullin “Formular për ekzekutimin e masave mbrojtëse sipas Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”.
Tutje në po të njëjtin formular paraqitet numri i rastit në polici, të dhënat se cili stacion është duke e bërë mbikëqyrjen apo sigurinë e viktimës, kush po e plotëson formularin si dhe komentet që lënë zyrtarët policor në po të njëjtin formular.
Në fund të kësaj flete shkruhet data kur është bërë ekzekutimi i mbikëqyrjes së masës së urdhërit mbrojtës e cila duhet të nënshkruhet nga hetuesit policor që kanë qenë në teren, por edhe nga viktima.
KALLXO.com mëson se në formularët që kanë mbushur hetuesit policor në Lipjan në lidhje me rastin e Hamide Magashit nuk janë të nënshkruara nga pala e dëmtuar – në këtë rast e vrara nga burri i saj.