Ilustrim - Foto: Kallxo.com

OJQ-të në Kosovë - Një perspektivë mbi nevojën e rrjetëzimit ndërkombëtar 

Bashkëpunimi ndërkombëtar përmes rrjetëzimit me OJQ-të përtej Kosovës dhe rajonit mbetet ende i mangët për një pjesë të OJQ-ve në Kosovë. Kësisoj, shkëmbimi i ideve, përvojave dhe qasjeve novatore për organizatat në Kosovë mbetet i kufizuar vetëm përmes bashkëpunimit me OJQ-të vendore.

Që nga viti 2005 Organizata joqeveritare “Foleja” në Prizren punon për integrimin dhe të drejtat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Ndër qëllimet kryesore të punës së tyre 18 vjeçare mbetet ngritja e kapaciteteve të grave dhe vajzave që vijnë nga këto komunitete.

Këtë mision ‘Foleja’ e zhvillon duke ngritur vetëdijesimin e këtyre komuniteteve në fushën e arsimit e shëndetësisë e po ashtu duke kultivuar shprehi të punës, kulturës, shëndetësisë dhe vlerave të edukimit qytetar.

Mirëpo, shpesh rruga drejt përmbushjes së këtij misioni kufizohet vetëm me bashkëpunim dhe rrjetëzim me organizatat vendore, pas pasur mundësi që perspektivat dhe format e reja të punës t’i mësojnë dhe shkëmbejnë me OJQ-të ndërkombëtare.

Gjyzel Shaljani, koordinatore e projekteve në këtë organizatë shpjegon se pavarrësisht dëshirës dhe interesit, “Foleja” ende nuk ka ndonjë rrjetëzim me OJQ-të ndërkombëtare.

Bashkëpunimi me organizatat përtej Kosovës dhe rajonit mbetet më i shpeshtë në rastet kur kjo OJQ fiton projekte nga OJQ-të jashtë Kosovës. 

“Rrjetëzim kam dëshirë me pas mirëpo, nuk e kam pas ofertën, nuk kam pas njohuri të mjaftueshme se si me i identifiku ato organizata joqeveritare…. Do të kisha dëshirë që si organizatë e grave rome, ashkali dhe egjiptiane të ketë rrjetëzim ndërkombëtar me OJQ-të që i kanë programet për minoritetet në përgjithësi, por me theks të veçantë edhe (komuniteteve) rom, ashkali, egjiptian”- thotë Shaljani për KALLXO.com.

Sipas, Institutit Baltik për Çështjet Rajonale – BISER, bashkëpunimi ndërkombëtar i OJQ-ve sjell një mori përfitimesh si shkëmbimi i burimeve dhe njohurive, krijimi i projekteve të përbashkëta dhe mundësitë për mbledhjen e fondeve.

“Bashkëpunimi ndërkombëtar ndihmon gjithashtu në ndërtimin e marrëdhënieve dhe rrjeteve që mund të jenë thelbësore në kohë krize”- thuhet në një artikull të publikuar nga BISER.

Për të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nga viti 2007 punon edhe Rrjeti i Organizatave të Grave rome, ashkali dhe egjiptase të Kosovës- RROGRAEK.

Njëjtë si “Foleja” as kjo organizatë nuk ka rrjetëzim me OJQ-të ndërkombëtare.

Xhulieta Devolli nga kjo organizatë shpjegon se RROGRAEK ka disa anëtarë, organizata që punojnë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave të këtyre komuniteteve.

“Organizata jonë është anëtare e rregullt e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). Përndryshe, deri para fillimit të pandemisë globale, COVID 19, RROGRAEK-u kemi qenë anëtare e Rrjetit Ballkanik të OJQ-ve për të drejtat e grave rome. Mirëpo, gjatë pandemisë, bashkëpunimi me rrjetin Ballkanik u shkëput”- shpjegon Devolli për KALLXO.com.

Rrjetëzimin me OJQ-të ndërkombëtare ajo e cilëson si tejet të rëndësishëm.

“Rrjetëzimi me organizatat tjera, të kyçura në fushën përkatëse të veprimit, ka një rol tejet të rëndësishëm, në shkëmbimin e njohurive, informatave dhe përvojave të duhura, për t’i realizuar objektivat dhe qëllimet strategjike, që çdo organizatë jo qeveritare i ka synim”- shton Devolli.

 

Rrjtëzimi ndërkombëtar i OJQ-ve si ndihmë për zgjerim të perspektivës dhe resurseve

Përmes avokimit, kampanjave dhe trajnimeve, OJQ “Education Code” në Prishtinë punon që të mbështet fuqizimi social dhe ekonomik i grave në shoqërinë kosovare.

Pjesë e misionit të tyre mbetet edhe nxitja e grave dhe inkuadrimi i tyre në vendimmarrje.

Mimoza Stanovci, themeluese e kësaj OJQ-je shpreh nevojën për një bashkëpunim më të madh të shoqërisë civile në nivel ndërkombëtar.

“Është e vërtetë që është një mungesë tejet e madhe e shoqërisë civile ndërkobëtarisht. Ka nevojë me pasë një lidhje më të gjatë, sidomos me shoqërinë civile të Europës, për shkak se ne edhe e synojmë Unionin Europian”- thotë ajo.

Përpos Europës, Stanovci të rëndësishëm e sheh edhe bashkëpunimin me organizatat përtej kontinentit.

“Edhe pse objektivat e problematikave nuk janë të njëjta, për shkak se secili shtet i ka disa problematika që ndryshojnë prej shtetit në shtet, por rrënjësisht në përgjithësi shoqëria civile vepron në të njëjtën mënyrë në cilin do shtet”- shton ajo.

Në kryeqytet gjithashtu gjendet edhe Klubi i Shahut të Grave dhe Vajzave “Malësorja” që punon për zhvillimin e garave kombëtare të lojës së shahut, trajnimin e personave në lojen e shahut dhe certifikimin e vajzave në shah.

Pavarësisht njohjes dhe luajtjes së këtij sporti nëpër mbarë botën, as Klubi i Shahut të Femrave “Malësorja” nuk ka ndonjë rrjetëzim ndërkombëtar.

Ani pse themeluesja e këtij Klubi, Shehrije Gërbeshi pohon se rrjetëzimi do t’iu sillte shumë përfitime, ajo shpjegon se një mundësi e tillë nuk iu është ofruar ndonjëherë.

“Nuk kemi asnjë rrjetëzim me organizatat e huaja, për shkak se nuk na është ofruar asnjëherë… Dëshira jonë është me pas bashkëpunim me organizata ndërkonbëtare, sidomos me ato të sportit sepse mbajmë një shpresë për ndonjë garë ose lojë miqësore mes vete, do të ishte kënaqësi”- thotë Gërbeshi.

Ajo shton se aspekti financiar, komoditeti, shkëmbimi dhe i eksperiencave do të zhvilloheshin nga një bashkëpunim i tillë.

“Kishim parë edhe eksperiencat e tyre (të huajve) me i ballafaqu me tonat… një bashkëpunim do ta kishim arritur sepse do t’i kishim pa edhe taktikat edhe lojën dhe logjikën e tyre”- thotë Gërbeshi.

Ajo shpjegon se mungesa e mjeteve financiare ia pamundëson kësaj OJQ-je edhe pjesëmarrjen në garat jashtë Kosovës.

“E kam pas para dy jave një shansë në Gjermani, ka qenë një lojë një javëshe, apo një seminar i shahut… e kam pasur ftesën, mirëpo shumën prej 2500 euro nuk ma mbuloi askush dhe kështu që nuk mundëm me arritë”- shpjegon Gërbeshi.

“Ambasada më përkrahu për vizë, por ato të holla mbetën dhe për pesë ditë nuk munda të qëndroj atje. Akomodimin, të gjitha i kam pas të mbuluara, mirëpo arsyeja ka qenë e mjeteve që nuk i pata”.

Rreth 40 kilometra prej Prishtinës, në Mitrovicë gjendet organizata “Business Women Mitrovica” e cila punon për përfshirjen e grave në tregun e punës në Mitrovicë, dhe në këtë mënyrë synon të fuqizojnë rolin e gruas në ndikimin e saj në revitalizimin ekonomik dhe në pajtimin ndëretnik në mes të veriut dhe jugut të Mitrovicës.

“Business Women Mitrovica”, bashkëpunimin e tyre  shpesh e zhvillojnë përmes projekteve me disa OJQ dhe intitucione vendore brenda vendit si Rrjeti i Grave të Kosovës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, Agjencia për Barazi Gjinore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Presidenca e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, kjo organizatë nuk ka një rrjetëzim përtej vendit.

 “Jo, nuk kemi rrjetëzim (me OJQ-të ndërkombëtare…. as nuk kam dëgju diçka prej kolegeve tjera që kanë (rrjetëzim) e për atë e kemi lënë…”- thotë Melihat Beshiri, drejtoreshë e kësaj organizate.

Ndërkaq, në komunën e Vitisë gjendet Organizata për Reforma Lokale – EULOC që synim ka promovimin e vlerave europiane në kuadër të reformave lokale, në fusha si: të drejtat e njeriut (pa dallim gjinie, race, gjuhe, feje apo përkatesie politike dhe etnike), promovimi i të drejtave te komuniteteve dhe integrimin e tyre në shoqëri, në procesin e vendimmarrjes dhe bashkëpunimit; çështjeve rinore dhe perparimit të qeversjes së mirë në nivele komunale në kontekst të përmbushjes se kritereve europiane dhe promovimi i tyre.

Ani pse promovimin e vlerave europiane është pjesë e punës së tyre, i tillë nuk është edhe rrjetëzimi me OJQ-të në Europë.

Megjithatë, Melihate Osmani, menaxhere e kësaj OJQ-je shprehet se nevoja për bashkëpunim ndërmjet organizatave vendore dhe rrjetëzimit është e madhe.

“(Rrjetëzimi) do të na ndihmonte të kishim ide më funksionale, për fuqizim, po ashtu dhe projekte më madhore, për të gjitha sferat në të cilat ne punojmë”- thotë Osmani.

Foto nga hapja zyrtare e panairit “Promovimi vlerave kulturore tw komuniteteve ne rajon tw Mitrovicws”. FOTO:Bussines Women
Mitrovica, Facebook.

Artpolis – Perspektiva dhe misioni përtej kufinjve

E themeluar rreth 10 vite më parë, Qendra e Artit dhe Komunitetit –  Artpolis përmes teatrit punon për fuqizimin e grave dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për të drejtat e grave.

Këtë mision Artpolis ka arritur ta zhvillojë edhe përmes rrjetëzimit me OJQ-të ndërkombëtare.

Kësioj, kjo qendër është pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Arteve Performuese – ISPA dhe Rrjetit ndërkombëtar për artet interpretuese bashkëkohore – IETM

Përveç tyre Artpolis tashmë ka krijuar rrjetëzim të gjerë me organizata rajonale dhe ndërkombëtare, institucione kulturore, si dhe artistë dhe aktivistë nga rajoni dhe bota falë edhe organizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt, që ekziston që nga viti 2013.

“Padyshim se të jesh pjesë e rrjeteve ndërkombëtare ka ndikim jashtëzakonisht pozitiv në rritjen profesionale të organizatës dhe profesionistëve vendorë duke pasur parasysh se ato të japin qasje në burime më të mëdha, qoftë financiare, të ekspertizës, por edhe shkëmbime të njohurive dhe ngritje të kapaciteteve”- thotë për KALLXO.com Berat Bajrami, Koordinator i Projekteve dhe i Marrëdhënive me Publikun në Artpolis.

Foto nga shfaqja “Fefu dhe Shoqet e Saj” që është produksion i Artpolis. Foto: Artpolis, Facebook.

Rrjetëzimin me OJQ-të ndërkombëtare, Bajrami e cilëson mundësi të punës së një OJQ-je në nivel global.

Sipas tij, kjo gjë mundëson krijimin e partneriteteve dhe bashkëpunimeve të rëndësishme artistike, të cilat në aspektin afatgjatë krijojnë mundësi për t’i mësuar praktikat dhe iniciativat më të suksesshme ndërkombëtare.

 “Në anën tjetër, (rrjetëzimi me OJQ-të ndërkombëtare) zgjeron edhe aspektin e trajtimit të temave, duke shkuar ndoshta nga temat lokale tek ato globale, duke zgjeruar përpjekjet e OJQ-ve apo institucioneve kulturore në avokim të përbashkët për të sjellë ndryshime pozitive shoqërore në shkallë më të gjerë, rrjedhimisht më të qëndrueshme”- thotë Bajrami për KALLXO.com.

Nevojën për rrjetëzim të OJQ-ve lokale me ato të huaja e thekson edhe Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore.

Sipas Demollit, gratë në Kosovë dhe rajon përballen me një mori problemesh, dhe sipas saj, rrjetëzimi i OJQ-ve do të ndihmonte për lobim më të madh për të drejtat e grave.

“Edhe në Kosovë edhe në regjion ekziston një mizogjeni e madhe dhe një lëvizje anti-feministe, e anti-grave sa që është e vështirë me e ndryshu situatën çkado që bëjmë. Ka nevojë për me u rrjetëzu, me i adresu problemet se janë të ngjashme, edhe prezenca e dhunës, edhe pasiguria e grave, edhe papunësia….”- thotë Demolli.

Sipas saj, mbështetja ndërkombëtare e lehtëson punën e OJQ-ve për t’i çuar përpara punët për të cilat ato lobojnë.

“Sa më shumë zëra kritikë, sa më shumë rrjetëzime, sa më shumë frymë pro të drejtave të njeriut do të na ndihmonin të ecnim përpara…. Është më lehtë kur e ke një mbështetje ndërkombëtare për një çështje të caktuar”- shton ajo.

Në Kosovë, sipas të dhënave të departamentit për OJQ-të në Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë mbi 12 mijë e 400 organizata aktive – që përfshin shoqata, fondacione dhe institute.


Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.