Foto: Loreta Cuka, BIRN

Fondet - Sfida që përcjellë organizatat që avokojnë për të drejtat e grave

‘Djepi i Buzëqeshjes’ është një prej organizatave që është mbyllur për shkak të mungesës së fondeve e dhjetëra të tjera që avokojnë në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë janë duke u përballur me mungesë të mjeteve financiare.

Janë afër 200 organizata joqeveritare të cila avokojnë në fushën e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë, e të cilat ballafaqohen me mungesë të mjeteve financiare për të ushtruar veprimtarinë e tyre.

“Djepi i Buzëqeshjes” ka vepruar duke bashkëpunuar me organizatën “Medica Kosova”, e mision i tyre ka qenë reduktimi i simptomeve traumatike të shkaktuara nga lufta, posaçërisht tek viktimat e dhunës, si dhe integrimi i tyre në jetën sociale dhe publike.

Sipas Veprore Shehu nga “Medica Kosova”, kjo organizatë po ashtu është duke pasur probleme me financim.

“Këtë vit, në shkurt na kanë përfunduar tri projekte shumë të mëdha në të njëjtën kohë, kemi mbet keq jemi t`u u harrnu që themi ne Gjakova për me i mbulu shpenzimet tona”- tha Shehu.

E njëjta tha se kanë pasur projekt edhe me institucione qendrore, ku për pesë vite radhazi kanë marr një shumë të caktuar parash për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre. Mirëpo, edhe ky projekt ka përfunduar.

“Na ka përfundu edhe projekti edhe me institucione qendrore, për pesë vite i kemi marr nga një shumë të parave për mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Jemi në pritje të zgjatjes së afatit, tash po presim me marr përgjigje”- ka thënë ajo.

Ajo thotë se janë duke pritur që të rilicencohen, që të vazhdojnë me aplikime në projekte të tjera.

Procesi i licencimit Shehu thotë se është sfidë në vete.

“Është shty prej institucioneve shumë ky proces, është sfidë në vete edhe kjo se na duhet me u licencu në kohë edhe me mbërri hapin me apliku në projekte”- shtoi ajo.

Tutje Shehu tha se donacionet e huaja veçse kanë filluar që të fokusohen në vende të tjera, e që është bërë problem që të merren donacione nga jashtë.

Shehu tha se ka mbetur në dorën e shtetit që të angazhohet në këtë pjesë.

Edhe organizata joqeveritare “4 Change” ka tash e disa vite që më nuk është aktive.

Kjo organizatë që fushë-veprimtari e saj kanë qenë fuqizimi i të drejtave të barabarta u mbyll për shkak të problemeve që kishin në financim, dhe jo vetëm.

Alba Hajdini, që drejtonte këtë OJQ që vepronte në Prishtinë, thotë se një ndër çështjet kryesore që e ka sjellë organizatën deri tek mbyllja lidhet edhe me fondet e pamjaftueshme.

“Financa nuk kemi pas shumë, kjo ka ndiku që kur nuk ke kohë shumë me u marr me një OJQ me u marr me të si primare mandej të pakësohen edhe mundësitë edhe kushtet”- thotë Hajdini.

Ajo tutje shton se paratë nuk kanë qenë problemi i vetëm, koha që duhej t’ia kushtonin organizatës ka bërë që kjo OJQ të mos jetë më aktive.

“Tani është që edhe anëtaret nuk kanë pas shumë kohë, nuk ka qenë primare për ne OJQ”- shprehet tutje ajo.

Shemsie Seferi, drejtuese e “Shoqatës për Emancipimin e Femrës – Alma” në Pejë, thotë se mungesa e fondeve po rrezikon mbylljen e kësaj organizate.

Ajo thotë se Organizata që ajo drejton aktualisht nuk është plotësisht aktive për shkak të problemeve me të cilat po ballafaqohen.

“OJQ nuk është plotësisht aktive, po për momentin kemi problem me zyre. Nuk kemi fonde për me pagu qira, etj”- shprehet Seferi.

“Çështjet e fondeve munden me ndiku që me u mbyllë organizata, qysh jo”- shton tutje ajo.

Për tejkalimin e probleme që kjo organizatë ka, Seferi thotë se kanë vetëm një zgjidhje, fondet e mjaftueshme.

Madje e njëjta shton se kjo nuk vlen vetëm për organizatën që ajo drejton, por për shumë organizata tjera joqeveritare që pikësynim kanë fuqizimin e barazisë gjinore.

“Për me pas OJQ-në që me vazhdu me qenë aktive duhet vetëm një përkrahje financiare e qëndrueshme”- tha Seferi.

Me një problem tjetër që ajo thotë se janë duke ‘luftuar’ është edhe çështja që projektet, sipas saj zakonisht po fitohen nga OJQ-të e mëdha.

 Përkrahja e OJQ-ve

1 milion euro është shuma e cila është ndarë gjatë 2022-ës për organizatat joqeveritare që mision kryesor kanë të drejtat e grave.

Nga maji 2022 deri në shkurt 2023 mjetet që janë ndarë për mbështetje financiare për këto organizata janë rritur për 500 mijë euro, e sipas Ministrisë së Drejtësisë për periudhën e parë katër mujore të këtij vitit Qeveria ka ndarë edhe 500 mijë euro të tjera.

“Për vitin 2023, Qeveria e Kosovës, ka mbështetur subjektet juridike gjegjësisht OJQ-të, për periudhën janar-prill në vlerë prej 500 mijë eurove, ndërsa MD është në proces e sipër të mbështetjes financiare në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro për periudhë maj-dhjetor/2023-shkurt 2024”- thuhet në përgjigjet e MD-së për KALLXO.com.

Sipas këtyre përgjigjeve, Ministria e Drejtësisë në fillim të këtij viti ka përfshirë në përbërjen e saj Departamentin për Politika të Shërbimeve Sociale.

Ky departament deri në dhjetor të vitit 2022 është thënë se ka funksionuar në kuadër të Ministrisë së Financave.

Madje, MD ka thënë se në fillim të këtij viti, në përputhje me përgjegjësitë që i takojnë kësaj Ministrie, ka hapur thirrjen për subvencionim të OJQ-ve të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për qytetarë në nevojë sociale.

Në anën tjetër, Ministria në fjalë ka treguar se në vitin që lam pas, Ministria e Financave, ka mbështetur financiarisht organizatat në vlerë prej 1 milion eurove.

Sipas përgjigjeve që ka marr KALLXO.com, nga kjo shifër 400 mijë euro janë ndarë për strehimoret që janë në Kosovë, ndërsa 600 mijë të tjera për OJQ-të që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

 Të dhënat që ka ndarë ministria në fjalë, kanë treguar se nga kjo vlerë monetare në 2022 janë mbështetur 44 subjekte juridike, ku prej tyre dhjetë kanë qenë strehimore dhe 34 organizata joqeveritare të tjera.

 Më 3 tetor 2023, Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar kontratat për subvencionim të katër organizatave për shërbime sociale, në vlerë prej 65,000 euro.

 Organizatat përfituese nga ky subvencion janë:

Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë, HandiKOS-Gjakovë, AUTIZMI, dhe Shoqata humanitare e prindërve me persona me aftësi të kufizuara mendore “Hadër”.

 Në janar të këtij viti kanë përfituar edhe 10 strehimore dhe 31 organizata tjera të shoqërisë civile të licencuar në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare në vlerë prej 1,435,000 euro.

 Buxheti total për shërbimet sociale familjare kapë vlerën 1.5 milionë euro, subvencione të cilat janë destinuar për ngritjen e kapaciteteve dhe shërbimeve sociale në tërë Republikën e Kosovës.

 Në anën tjetër, Rrjeti i Grave të Kosovës në vitin 2012 ka krijuar Fondin e Grave të Kosovës. Krijimi i këtij fondi ka ardhur pas zhvendosjes së prioriteteve të ndihmës dhe zvogëlimit të buxheteve që kanë detyruar shumë donatorë në Kosovë që të mbyllin programet e tyre të granteve apo të zvogëlojnë fondet për organizatat joqeveritare.

 

Sipas RRGK-së ky fond ofron grante të vogla për organizatat e grave që nuk kanë qasje në burime të tjera të financimit dhe të cilat kërkojnë të punojnë për të drejtat e grave, veçanërisht në mesin e grupeve nga vendet rurale apo grupeve të margjinalizuara.

 Ky fond i veçantë po ashtu ofron mundësi për zhvillim të kapaciteteve për organizatat përfituese, por edhe për ato vetëm aplikuese.

 Sipas të dhënave të Rrjetit të Grave të Kosovës, me sistemet dhe procedurat transparente, efikase, efektive dhe të vërtetuara të nën-dhënies së granteve të këtij fondi, që nga themelimi i janë administruar 197 grante për 107 Organizata të Shoqërisë Civile.

 Vlera totale e këtyre granteve është gjithsej 1 milion e 11 mijë e 387 euro.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.