Nuk Dihet a Janë të Njerëzve Eshtrat e Shpellës së Gradishës

Nga një distancë prej 40 metrash të kufizuar me shirita policorë që nuk lejonin hyrjen, mund të shiheshin të premten pjesëtarë të EULEX-it duke nxjerrë eshtra nga gryka e ngushtë e shpellës së Gradishës, në një kodër dhjetë kilometra larg Gjakovës.

Ata më pas eshtrat i rendisnin në një lëndinë pranë shpellës për t’i fotografuar.

Këto veprime pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit, i bënin pasi më parë kishin hyrë dhe qëndruar për disa orë në brendinë e shpellës.

Shpella e Gradishës

Ata eshtrat i futën pastaj në një çantë dhe disa qese najlloni, para se të niseshin drejt Prishtinës, për t’i dorëzuar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore.

Nuk dihet nëse këto eshtra janë të njerëzve, apo të kafshëve, pa u verifikuar nga forenzika. Këtë e tha prokurori i EULEX-it Martin Hacket, i pranishëm në vendin e ngjarjes.

Ai shtoi se në fillim të javës së ardhshme mund të japë më shumë informata.

“Ende është duke u hulumtuar dhe nuk mund të japim më shumë detaje në këtë fazë. Çdo gjë që është gjetur deri tash do të ekzaminohet nga departamenti  i forenzikës. Kjo është krejt çka mund të themi në këtë moment. Në fillim të javës tjetër duhet me pasë informata”, tha Hacket.

Ndërkaq njëri nga banorët e këtij lokaliteti i cili nuk deshi që t’i bëhej publik emri  tha se edhe më herët ka parë eshtra në këtë shpellë, por nuk i janë dukur si të njerëzve.

“Unë jam kanë brenda disa herë në atë shpellë, është bukur e fellë diku rreth 10 metra e fellë, edhe eshna kam pa mrena, po s’ma ka marrë mendja se munden me qenë të njerëzve”, tha ai.

Edhe shefi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i ndodhur në vendin e ngjarjes, nuk ishte i sigurt nëse eshtrat janë të njerëzve.

“Është një shpellë e thellë në të cilën ka pjesë kockore, por në fotografitë preliminare nuk duket qartë se a janë të njeriut apo të kafshëve. Në ndërkohë, ekspertët e EULEX-it janë në kontakt me ekipin e tyre dhe me ekipet vendore, Policinë e Krimeve të Luftës dhe Prokurorinë”, tha Gërxhaliu për “Lajmi.net”.

Për këtë portal foli edhe Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.

“Informacionet janë që në një shpellë atje, në fshatin Radishë, janë hetuar disa mbetje (eshtra). Tani ekipet e nevojshme kanë shkuar atje dhe po përpiqen të kuptojnë nëse eshtrat janë të njerëzve”, tha Gjetaj.

Vendi prej ku u nxorën këto eshtra do të jetë nën kontrollin e Policisë së Kosovës, derisa të kryhen analizat e tyre.

Ekipet në terren