Një Trup i Pajetë Gjendet në Drin

Një familjar i Muhamet (Rexhë) Kerellajt (1961), banues në fshatin Shtupel të Klinës, kishte lajmëruar në polici se më 9 qershor, rreth orës 12, ai është larguar nga shtëpia dhe që nga ajo kohë nuk dihej se ku ndodhej.

Familjarët kanë raportuar në stacionin policor në Klinë duke dhënë edhe përshkrimin e tij. Xhevat Ibra, zëdhënës i policisë rajonale në Pejë, thotë se nga momenti i raportimit, efektivat policorë janë angazhuar në kërkim.

“Sot, rreth orës 08:20, Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor në Klinë ka pranuar një informatë nga familjarët e viktimës se në lumin Drini, në fshatin Zllakuqan të Klinës, rreth 400 metra larg urës së re, kishin vërejtur një trup njeriu, të zhytur nën ujë”, saktëson Ibra.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të policisë, ekipi mjekësor dhe ekspertët e mjekësisë ligjore për të kryer ekzaminimet e nevojshme, kurse zjarrfikësit kanë nxjerrë trupin e pajetë.

Me vendim të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për të konstatuar rrethanat e vdekjes.