Një mijë euro gjobë për Petrit Selimin

Petrit Selimi, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, në mars të këtij viti obligohej për herë të parë të bënte deklarimin e pasurisë pasi që kishte marrë pozitën e zëvëndës ministrit të Punëve të Jashtme. 

Por, ai kishte harruar ta bënte këtë. 

Për këtë arsye Gjykata Komunale për Kundërvajtje e Prishtinës më 30 tetor 2012 e ka dënuar atë me gjobë prej një mijë eurosh. 

Selimi, i cili në aktvendim përshkruhet si njeri i gjendjes së mesme ekonomike,  kishte kryer kundërvatje duke mos deklaruar pasurinë në afatin e rregullt të përcaktuar nga Agjencia Kundër Korrupcion. Data 31 mars ishte dita e fundit kur deklarata e pasurisë duhej dorëzuar në këtë agjenci shtetërore. 

Kundër Korrupsioni në maj të këtij viti dorëzoi në gjykatë kërkesën për fillimin e procedurës kundërvajtjës ndaj zëvëndës ministrit. 

Selimi, që u gjet fajtor nga gjykata kishte deklaruar gjatë seancës gjyqësore se për të ishte e para herë që duhej deklaruar pasurinë dhe se ishte jashtë vendit në një vizitë në kohën kur duhej dorëzuar formularët në Kundër Korrupsion. Ai po ashtu ka pohuar se pas kthimit nga udhëtimi zyrtar ka mbushur formularin e deklarimit të pasurisë dhe se e ka dorëzuar në Agjenci. 

Por, në faqën zyrtare të AKK’së, tek pjesa për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme ende nuk figuron deklarata e Selimit. 

Ndërkaq zëvëndës ministri i Punëve të Jashtme kur është kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë ka deklaruar se nuk do të bëjë ankesë ndaj këtij vendimi por do të paguaj gjobën prej 1 mijë eurosh.  

Këtë dënim ai e vlerëson si gabim të shtrenjtë që nuk do të përseritet në të ardhmën.  

“Kam bërë gabim për të cilin kam kërkuar ndjesë duke pranuar se faji për mos-dorëzim me kohë është krejtësisht i imi. Isha jashtë vendit dhe më ka ikur nga mendja afati ligjor. Duke marrë parasyshë se kjo ishte edhe hera e parë e deklarimit për mua si zyrtar i sapo emëruar në funksion, ky gabim i shtrenjtë nuk do të përsëritet më”, ka thënë Selimi.