Ndryshimet e Asllanajt në KKSB Konsiderohen Politike (TV)

Hysni Kuqi, kryesues i Ekipit Veprues për Siguri në Bashkësi (EVSB), organ komunal ky që merr aksione simbolike për ruajtjen e sigurisë në baza vullnetare, ishte edhe anëtar i KKSB-së, gjatë qeverisjes së AAK-së në Suharekë.

Praninë e tij në këtë këshill e parasheh edhe Udhëzimi administrativ 27/2012 i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili thotë se anëtar i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi është kryesuesi i Ekipit Veprues për Siguri në Bashkësi.

Kryetarit i komunës së Suharekës, Sali Asllani, në këtë rast në vend të kryesuesit të EVSB-së ka caktuar Drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Nuhi Llugaxhiun.

KKSB-ja, është Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi që udhëhiqet nga kryetari i komunës dhe në këtë këshill debatohet për sigurinë në komunë. Komandanti i stacionit policor raporton për sigurinë e komunës në këtë këshill.

Sipas udhëzimit administrativ 27/2012, të MPB-së, anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, për çdo takim paguhen nga 50 euro, ndërsa i kanë obligative 6 takime në vit.

Sipas Hysni Kuçit, i cili prej viti 2009 deri në vitin 2013 ka qenë edhe këshilltar për siguri i ish-kryetarit të komunës së Suharekës, për momentin EVSB-ja, është e papërfaqësuar në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, pasi prej fundit të vitit 2012 Nuhi Llugaxhiu nuk është më anëtar i EVSB-së.

Këtë e konfirmon edhe Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti për Siguri Publike, sipas të cilit koordinator i EVSB-së për komunën e Suharekës është Hysni Kuçi, ndërsa Nuhi Llugaxhiu nuk është pjesë e EVSB-së, për shkak se siç thonë në MPB nuk ka qenë aktiv dhe pjesëmarrës në takimet dhe aktivitet e organizuara nga EVSB-ja e Suharekës.

Arsyetimi i kryetarit të komunës së Suharekës për largimin e Kuçit, është se ky sipas tij, për katër vjet ka qenë në mënyrë të paligjshme në komunë si këshilltar ish-kryetarit Blerim Kuçi.

“Unë objektivisht nuk kam gjetur asnjë dokument që (Hysni Kuçi) ka qenë këshilltar. Nuk e di si është paguar, ose si ka funksionuar katër vjet ai në komunë. ..kjo është arsyeja pse nuk është Hysni Kuçi, por Nuhi Llugaxhiu”, tha Asllanaj.

Hysni Kuçi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ka punuar në cilësinë e këshilltarit për siguri të kryetarit Blerim Kuçi në bazë vullnetare dhe nuk ka pasur të lidhur marrëdhënie pune me kumunën e Suharekës dhe si i tillë nuk ka marrë pagë nga tatimpaguesit e Suharekës.

Njeriu që i ka zënë vendin Kuçit, thotë se nuk është befasi kundërshtimi i emrit të tij nga Hysniu.

“Që nga fillimi (Hysni Kuçi) e ka kundërshtuar emrin tim dhe gjithmonë ka qenë rival me mua, vetëm për shkak se në atë kohë dhe tash jam kryetar i Forumit Rinor të LDK-së. 90 për qind të KKSB-së kanë qenë njerëz të Shtabit Zgjedhor të AAK-së, ndërsa Hysni Kuçi në atë kohë ishte udhëheqës teknik i shtabit të AAK-së”, tha Llugaxhiu.

Përveç kundërshtive ndaj Llugaxhiut, opozita ishte edhe kundër përfaqësimit të mediave dhe organizatave joqeveritare.

Nga ky këshill janë larguar përfaqësuesja e mediave Minire Bytyqi nga radio Theranda dhe Antigona Kolgeci nga “Alternativa për Integrim” si përfaqësuese e OJQ-ve.

Si përfaqësues i mediave në KKSB është emëruar Fadil Bytyqi, ish gazetar i Kohës Ditore, tash i paangazhuar.

Nadire Hoxha nga AAK-ja tha se mediat në komunën e Suharekës nuk janë të përfaqësuara në KKSB.

“Dihet mirë se me udhëzim administrativ  shkruan se organizata çon personin që do me përfaqësua  në atë pozitë, e në Suharekë nuk e di kush e ka dërguar emrin e Fadil Bytyqit, por ka qenë edhe ky një emërimi i kryetarit”, tha Hoxha.

Po ashtu edhe BrahimThaçi, gazetar i pavarur, thotë se mediat lokale nuk janë të përfaqësuara në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.

“Mendoj se është në një shkelje për shkak s komuna nuk i ka ftuar mediat asnjëherë që ato ta zgjedhin përfaqësuesin. Përderisa ai nuk punon në asnjë media lokale, mediat nuk janë të përfaqësuara”, tha Thaçi.

Kryetari i komunës Sali Asllanaj thotë se opozita dhe përfaqësuesit e mediave mund të kenë të drejtë në këtë rast.

“Mund të kenë edhe arsye kur flasin në mënyrë të tillë, por është një defekt i madh që mediat nuk kanë një asociacion funksional, të cilët do të propozonin një kandidat për këshill dhe në mungesë të një propozimi të tillë ne kemi zgjedhur një doajen të gazetarisë të komunës”, tha Asllanaj.

Ndërsa i përzgjedhur i Fadil Bytyqi thotë se reagimi i opozitës dhe një pjesë të mediave për zgjedhjen e tij në këtë këshill është lojë politike.

“Ata nuk e dinë, apo nuk duan ta dinë se ekziston edhe statusi i gazetarit të lirë, të cilin e kam unë”, tha Bytyqi.

Leonard Shala, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka vërejtje në emërimin e përfaqësueses së organizatave joqeveritare, Adelina Tafollit, e cila sipas tij nuk dihet cilën organizatë e përfaqëson.

 “Kemi vërejte që e kemi paraqitur edhe në Asamblenë Komunale për Adelina Tafollin, përfaqësuese thuhet e OJQ-ve, cilës OJQ? A është mbajtur një forum i OJQ-ve të komunës të cilët e kanë propozuar, apo janë preferenca politike”, tha Shala

Por Adelina Tafolli, tha për gazetën Jeta në Kosovë, se në këtë këshill ka ardhur në bazë të konkursit që e ka pa në vebfaqe të komunës.

Adelina Tafolli tha se vjen nga organizata New Time, ndërsa mohon të jetë anëtare e forumit rinor të LDK-së.

“Nuk është e vërtetë se kam ardhur si anëtare e Forumit Rinor të LDK-ës, pasi nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e LDK-së”, tha Tafolli.

Por në një foto në Facebook të Forumit Rinor të LDK-ës, Tafolli shihet në krah të kryetarit të këtij forumi, së bashku me disa anëtarë të të tjerë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar disa herë ta kontaktojë Adelina Tafollinë për të komentuar këtë fotografi, por kontakti me të ka qenë i pamundur.