Ilustrim - Portrait of sad little girl sitting isolated on blue studio background. How it feels to be autist. Modern problems, new vision of social issues. Concept of autism, childhood, healthcare, medicine.

Një gjeneratë në rrezik!

Nuk jam mjeke, psikologe apo profesioniste e Shëndetit publik. Jam një qytetare e shqetësuar, një entuziaste e shëndetit publik dhe një nënë e cila sheh me shqetësim atë që po zhvillohet para syve tanë.

Ky artikull bazohet në vëzhgime personale dhe hulumtime nga burime të ndryshme shkencore. Nuk është këshillë mjekësore, por një thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim.

Në vitet e fundit, një krizë e heshtur po zhvillohet në Kosovë. Çdo ditë, gjithnjë e më shumë fëmijë po diagnostikohen me çrregullime të spektrit të autizmit, ADHD, vonesa në të folur, çrregullime sensorike dhe vështirësi socio-emocionale. Nëse flisni me ndonjë edukatore në Çerdhe, pediatër a psikologe sot, do t’ju thotë të njëjtën gjë: “Kemi më shumë fëmijë kohëve të fundit në klasa që kanë vonesa zhvillimore”.

Kjo nuk është një ndjesi personale. Është një model i mbështetur nga numri në rritje i rasteve që dërgohen te psikologë, logopedë dhe prezencë e lartë e asistentëve shkollorë.

Si është e mundur kjo në një vend që dikur u përball me luftë, varfëri, traumë, por rrallë raportohej për probleme të tilla në fëmijëri?

Kosova përjetoi stres ekstrem para dhe pas luftës së vitit 1999: traumë e përhapur, ushqyerje e dobët, ndotje mjedisore dhe ndërprerje të shërbimeve sociale.

Megjithatë, gjenerata e fëmijëve të lindur gjatë ose menjëherë pas luftës paraqiste rrallë shqetësime të tilla zhvillimore. Ata u rritën me lojë jashtë, gjidhënie, ushqim të gatuar në shtëpi dhe ekspozim minimal ndaj ekranit. Autizmi ishte pothuajse i padukshëm.

Por, ka edhe një shtresë tjetër që rrallë diskutohet: transformimi i jetës familjare dhe komunitare.

Para vitit 1999, shumica e familjeve në Kosovë ishin të mëdha dhe shpesh jetonin në shtëpi shumëanëtarëshe. Lagjet ishin të mirorganizuara, shtëpitë kishin oborre dhe fëmijët kalonin pjesën më të madhe të ditës me kushërinj, fqinjë dhe të afërm. Ishte përgjegjësi kolektive për rritjen e fëmijëv dhe rrallë izolim.

Pas luftës Kosova përjetoi kalimin në familje më të vogla, jetesë në banesa që zëvendësuan shtëpitë dhe dendësi të lartë urbane pa infrastrukturë mbështetëse. Sot, prindërit janë gjithnjë e më të vetmuar, kalojnë orë të tëra në trafik, përballen me stres pune, pasiguri politike dhe rritje të kostos së jetesës. Kosova ka pagat mesatare më të ulëta në rajon dhe kujdesi shëndetësor është luks për shumëkënd.

Kjo nuk është për të fajësuar prindërit. Shumica po bëjnë më të mirën që munden në kushte të pamundura. Ata ndoqën atë që u duk si norma e re. Ekranet u bën dado, sepse nuk kishin askënd tjetër. Terapitë private u bën e vetmja mundësi, sepse Sektori publik nuk ofronte shumë.

Sistemi shëndetësor publik po dështon. Prindërit udhëzohen të kontrollojnë fëmijët për ekspozim ndaj metaleve të rënda, por Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka vetëm dy ekspertë toksikologë dhe asnjëri nuk është në dispozicion të rregullt për shkak të mungesës së hapësirës, pajisjeve dhe stafit. Familjet shpenzojnë gjithçka që kanë në Klinika private. Shumë janë të shkatërruar financiarisht. Dhe, më keq ndjehen emocionalisht të dorëzuar kur, pavarësisht seancave terapeutike, përparimi është i ngadaltë ose mungon.

Ata fajësohen nga gjenerata e vjetër që nuk kupton sfidat e sotme. Dhe, gjykohen në heshtje nga një shoqëri që refuzon të shohë përtej hundës.

 

Ndërkohë, mjedisi është më toksik se kurrë:

  • Ndotja e ajrit në Prishtinë dhe qytete të mëdha është ndër më të lartat në botë;
  • Metale të rënda në Mitrovicë dhe zona të tjera industriale ende ndodhen në tokë, ujë dhe tani në pemë e perime;
  • Plastika, substancat që ndërhyjnë në sistemin hormonal dhe aditivët ushqimorë janë kudo, në atë që fëmijët tanë hanë, pijnë dhe prekin.

Pyesni ndonjë endokrinolg të cilin e njihni se çfarë po ndodh me hormonet tona.

Shkenca ka kohë që konfirmon se çrregullimet neurozhvillimore, si autizmi dhe ADHD, nuk shkaktohen nga një faktor i vetëm. Zakonisht ekziston një predispozitë gjenetike – një ndjeshmëri në biologjinë e fëmijës. Por, kjo predispozitë nuk luan rol vetë. Është mjedisi që përcakton nëse ajo ndjeshmëri do të shndërrohet në një gjendje të diagnostikueshme. Dhe, në Kosovë, mjedisi është shndërruar në një faktor që amplifikon këto ndjeshmëri.

Prindërit dhe gjyshërit tanë kanë kaluar luftëra, dhunë, zhvendosje, varfëri dhe frikë. Këto përvoja lanë gjurmë: jo vetëm emocionale, por biologjike. Fusha e epigjenetikës tregon se trauma e zgjatur mund të ndryshojë mënyrën se si shprehen gjenet dhe se si trashëgohet përgjigjja ndaj stresit. Me fjalë të tjera, gjenerata jonë mund të ketë trashëguar një ndjeshmëri më të lartë ndaj rreziqeve mjedisore – duke jetuar në një botë edhe më të mbistimuluar dhe pa mbështetje.

Kjo nuk është thjesht një krizë prindërore. Është një dështim sistemi dhe është dështim i yni kolektiv.

Teksa familjet me të ardhura të mira kërkojnë terapistë privatë dhe ekspertizë ndërkombëtare, ata me mjete të kufizuara mbeten vetëm – shpesh pa diagnozë, pa strategji dhe pa kuptuar çfarë po ndodh me fëmijën e tyre, duke shpresuar se “me kësmet” do të bëhet mirë. Ndërkohë, ata që përfaqësojnë qytetarët? Kanë gajle më të mëdha.

 

Pavarësisht rritjes alarmante të rasteve mungon:

  • Program kombëtar i shpalljes së kësaj çështjeje në urgjencë kombëtare dhe jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë ne. (Kanceri, infertiliteti, ankthi, diabeti, hipotiroizmi, obeziteti etj.) kanë të gjitha burim të njëjtë. Përpara diagnostifikoheshin pleqtë me diabet tek pas pensionit, sot disgnostifikohen 30-vjeçarët. Mos të flasim për shifrat alarmante të kancerit. Pyetni në onkologji (minus pacientët të cilët trajtohen jashtë shtetit);
  • Mbështetje për prindërit;
  • Fushata edukimi për ndikimin e ekraneve apo rreziqet mjedisore dhe gjithçka tjetër që ka rol në këtë.

Nëse nuk veprojmë tani, pasojat afatgjata do të jenë katastrofike.

Na nevojitet:

  • Njohje publike që kjo është një krizë kombëtare;
  • Qasje universale në depistim zhvillimor dhe ndërhyrje të hershme;
  • Edukim për prindërit dhe mbështetje;
  • Rregullim i ekspozimit ndaj ekraneve dhe promovim i mjediseve të shëndetshme;
  • Investim në toksikologji publike dhe shërbime të orientuara drejt fëmijëve;
  • Sisteme edukimi gjithëpërfshirëse dhe terapeutike FALAS. Po flitet për të ardhmen e Kosovës!

Kjo ka të bëjë me mbrojtjen jo vetëm të fëmijëve tanë, por të së ardhmes së shoqërisë sonë. Sepse, heshtja nuk është më opsion.

Ndaj shpërndaje këtë. Reflekto. Fol!

Sepse, kur mbrojmë prindërit, mbrojmë fëmijët!

Dhe, kur mbrojmë fëmijët, mbrojmë të ardhmen!

 

 

Rreth autores:

Zana Sokoli është Planere Urbane | Arkitekte | Fotografe | Udhëtare | Nënë | Analiste e dinamikave sociale.

Planere urbane dhe arkitekte e përkushtuar në krijimin e qyteteve gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që në qendër të vëmendjes kanë njeriun. Puna ime integron planifikimin urban, mobilitetin, trashëgiminë kulturore dhe angazhimin e komunitetit për të dizajnuar mjedise urbane që janë të qëndrueshme gjithëpërfshirëse.