Protesta e 9 janarit. Foto: Atdhe Mulla

Domosdoshmëria e ndryshimit

Reputacioni i brendshëm dhe ai i jashtëm i shtetit të ri ka një kohë që ka filluar të venitet. Fill pas shpalljes së pavarësisë, euforia dhe entuziazmi për të filluar një epokë të re të shtet-ndërtimit kaploi zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Kosovës. Por siç ndodh rëndom, si në çdo periudhë tranzicioni, Kosova u përball me sfida nga më të ndryshmet: korrupsionin endemik si dhe çalimi në korrjen e suksesit për të subjektivizuar ndërkombëtarisht projektin e ri të qytetarëve të Kosovës.

Korrupsioni endemik ka arritur që të krijojë një qeveri e cila legjitimitetin e gjen përmes gatishmërisë për të vazhduar një proces aspak popullor të dialogut me Serbinë për riarranzhimin e brendshëm juridik. Marrëveshja e Brukselit krijoi një situatë të re të cilën shumë studiues të çështjeve politike në Kosovë e konsiderojnë fatale në kuptimin e dialogut pa afat me shtetin e Serbisë – subjekt ndërkombëtar i cili nuk e njeh Kosovën dhe nga i cili pret të arrijë marrëveshje të cilat i hapin rrugën asaj për të arritur synimin e saj kryesor strategjik të politikës së jashtme: integrimin në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, problemi kryesor i Kosovës qëndron në atë që kasta aktuale politike, në mungesë të gatishmërisë për t’i thelluar reformat e nevojshme për të mundësuar zhvillimin e balancuar ekonomik, sundimin e ligjit si dhe demokratizimin institucional e shoqëror, ka varur fatin e saj në dialogun në Bruksel. E dihet fare mirë efekti i një formule të tillë të angazhimit ndërkombëtar, në kohën kur kryeministri i vendit përballet me disa lëndë në prokurori lidhur me ish qeverisjen komunale; në kohën kur ish kryeministri përballet me akuza publike të rënda të krimit të organizuar dhe krijimit të një rrjeti të strukturuar të korrupsionit masiv sa ishte në udhëheqje të qeverisë në dy mandatet e kaluara.

Marrëveshjet e nënshkruara në mes të vitit të shkuar lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe si dhe demarkacionin me Republikën e Malit të Zi e thelluan hendekun në mes të opozitës dhe qeverisë. Nisja e thellimit të hendekut, filloi me moskapitalizimin e partive të Bllokut, synimi i të cilave ishte zhvendosja e PDK-së në opozitë. Tashmë që hendeku është rritur, janë rritur edhe gjasat që qytetarët e Kosovës t’i nënshtrohen edhe një herë kutive të votimit.

Ashtu siç potencoi njëri ndër protagonistët e skeçit politiko-satirik, Stupcat, “lufta fillon kur t’përfundon”, qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar që tek pas shpalljes së pavarësisë ka filluar epoka e vështirë e shtet-ndërtimit. Metodat gjithnjë e më të radikalizuara të opozitës për të detyruar qeverinë që të tërheqë nënshkrimet, të cilat tanimë kanë avancuar në dorëheqjen e saj, pasqyrojnë realitetin që në thelb përkon edhe me kahjen pa rrugëdalje të cilën ka marrë shteti jonë i ri.

Mbase veprimet e opozitës së sotme mund edhe të shërbejnë si precedent i rrezikshëm për veprimet e opozitës së ardhshme, nesër, duhet ta kemi në vëmendje që është vështirë e parashikueshme që precedenti do të arrijë “frytet” e tij. Është vështirë e parashikueshme sepse opozita e nesërme, nëse ndodh rotacioni i qeverisë në muajt në vazhdim, përbën elemente të cilat mund të jenë vetë-shkatërruese. Kjo për arsye se opozita e nesërme do të vazhdojë të jetë e sulmuar publikisht për dëmet e mëdha që i ka shkaktuar qytetarëve përmes krijimit të një rrjeti masiv korruptiv sistemor si dhe rrugën pa krye të dialogut pa fund me Serbinë.

Mirëpo, një gjë është e qartë: Kosova do të vazhdojë të jetë në krizë derisa ajo të forcohet. Në mungesë të zgjidhjeve të lehta apo të atyre të pagjasa me shkop magjik, shoqëria duhet ta shohë krizën si një element pozitiv i cili është i domosdoshëm për kalitjen, pjekjen dhe emancipimin e saj.

Protesta madhështore e 9 janarit ka dëshmuar që qytetarët e Kosovës e dëshirojnë një shtet normal. Shtet i cili iu shërben dhe i cili është i denjë për të jetuar dhe për ta përfaqësuar në arenën ndërkombëtare.