Më shumë se gjysma e hetuesve të rinj për krime të luftës janë pa përvojë në hetime

Qindra dosje për krimet e luftës të cilat tashmë janë mbledhur, e bartur dhe priten që të hetohen nga 41 hetues policorë të departamentit më të ri që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës.

Ky departament do të udhëhiqet nga ish- drejtori për krime ekonomike Bashkim Spahiu i cili deri në këtë vit ai shërbeu si shef i sektorit për migrim.

Në fillim të këtij muaji kryeministri Albin Kurti mbajti një takim me zyrtarët udhëheqës të policisë përfshirë edhe ministrin e brendshëm Xhelal Svecla e që më pas u kumtua se brenda institucionit të sigurisë është themeluar një drejtori e re ajo për hetimin e krimeve të luftës.

Këto hetime janë zhvilluar në nivel sektorial në kuadër të Drejtorisë së Krimeve të Rënda për vite të tëra.

Qindra dosje të cilat gjenden në Policinë e Kosovës për krimet e kryera gjatë luftës përkatësisht viteve 98-99 tashmë do të hetohen edhe nga 15 policë të rinj që nga ky muaj.

Policë me pak përvojë ose fare në hetime priten që t’i bashkëngjiten ekipit për hetimin e krimeve të luftës që ndodhën në Kosovë.

KALLXO.com ka kërkuar dosjen e punës për secilin nga hetuesit e ri të cilët janë rekrutuar në këtë drejtori tashmë të re brenda Policisë së Kosovës.

Tetë nga 15 zyrtarët e rinj që do të hetojnë krimet e luftës janë punësuar në Policinë e Kosovës në vitin 2019.

Shumica e tyre kanë kryer shkollimin universitar në Fakultetet Ekonomik dhe Juridik ndërsa të dhënat tregojnë se një tjetër është vetëm me shkollim të mesëm, dy hetues me Fakultet Filozofik, 1 hetues me Fakultet të Edukimit, 1 hetues është inxhinier i kompjuterikës, dhe një hetues ka kryer universitetin në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.

Gjashtë hetuesit e rinj të krimeve të luftës kanë punuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë dhe nuk kanë përvojë në hetime, një zyrtare ka përvojë tre muaj dhe një tjetër ka përvojë një vit në hetime.

Një tjetër zyrtar është i punësuar në polici në vitin 2015, ka qenë polic në nivel të stacionit “Qendra” për katër vite ndërsa deri para se të marrë pozitën e hetuesit të krimeve të luftës, ka punuar në Njësinë speciale Operative.

Shtatë policë të tjerë, me grada të ndryshme, të paktën kanë disa vite përvojë pune në hetime, ndonëse këto hetime janë bërë kryesisht në nivele të stacioneve.

Pozita e hetuesit në maj të këtij viti pranë kësaj drejtorie iu dha edhe Fatlum Shabanit. Ai Akademinë e Kosovës për Siguri Publike e kreu nga nëntori i 2019-ës deri në po të njëjtin muaj të 2020-ës. Më pas i njëjti shërbeu si polic në ekipin reagues të stacionit policor në Podujevë deri në muaj në të cilin gjendemi kur edhe mori pozitën e re.

Sa i përket edukimit, Shabani kreu shkollën e mesme në Gjimnazin “Sami Frashëri”, e më pas në 2012 u regjistrua edhe në Fakultetin Ekonomik në UP, ku i vazhdon ende studimet.

Arbër Berisha është zyrtari policor i radhës që në maj të 2023-ës pranoi pozitën e hetuesit. Ai PK-së iu bashkua në 2019 kur kreu shkollën policore, e më pas nga shtatori i 2019-ës e deri në qershor të 2020-ës ishte zyrtar në ekipin reagues në stacionin policor në Fushë Kosovë.

Në korrik të 2020-ës ai iu bashkua operativën pranë këtij stacioni, në gradën e policit të lartë, ku shërbeu deri sa mori pozitën e re. Berisha shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, ndërsa që nga 2014-ta është duke vazhduar studimet në UP në drejtimin e inxhinerisë së kompjuterikës.

Edhe zyrtari policor Lavdim Ramaj nga maji i këtij viti do të hetoj krimet e luftës. Ai pozitën e kadetit policor e mbajti që nga nëntori i 2019 deri në nëntor të 2020-ës, e më pas deri në 2023-ën punoi si zyrtar në ekipin reagues në stacionin policor në Gllogoc.

Sa i përket edukimit, shkollën e mesme ai e kreu në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa fakultetin e masterin e i përfundoi në drejtim të edukimit fizik dhe sportiv.

Hetimi i krimeve të luftës në PK iu besua edhe zyrtarit Fitim Tahiri. CV-ja e tij tregon se nga 2019-ta deri në maj 2023 shërbeu në stacionin policor “jugu” në Prishtinë, ndërsa në pjesën e edukimit Tahiri ka treguar se shkollën e mesme e ka kryer në Gjimnazin “Hamez Jashari” dhe ka përfunduar në 2016-ën fakultetin e edukimit në Universitet të Prishtinës.

Hetuesi Besnik Havolli është polici i radhës që iu bashkua Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës. Ai AKSP-në e kreu në shtator të 2019-ës, e prej atëherë deri sa pranoi detyrën e re, shërbeu si zyrtar në stacionin policor në Podujevë. Ai shkollën e mesme e përfundoi në Gjimnazin në Podujevë dhe fakultetin juridik në UP.

Valon Ahmeti gjithashtu është një nga hetuesit e ri për krime lufte në PK. Njëjtë si disa nga kolegët e tjerë që iu bashkuan Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, edhe ai shkollën policore e përfundoi në shtator të 2019-ës pranë AKSP-së.

Që atëherë ai shërbeu si zyrtar në ekipin reagues në stacionin policor “veriu” në Prishtinë.

Ahmeti shkollën e mesme e përfundoi në shkollën e mjekësisë ndërsa fakultetin e shkencave politike e përfundoi në UP.

Drejtoria e Hetimeve të Krimeve të Luftës si hetues do ta ketë edhe Fatbardh Rrahimin. Ai pozitën e kadetit policor e mbajti në periudhën nëntor 2019 – nëntor 2020, gjatë kohës sa kryente shkollën policore në AKSP në Vushtrri.

Më pas ai deri në korrik të 2021-ës punoi në ekipin reagues në stacionin policor “qendra” në Prishtinë, e më pas deri në maj të 2022-ës shërbeu në pozitë të njëjtë në stacionin policor në Podujevë.

Rrahimi pozitën e hetuesit e kreu edhe në stacionin e Podujevës për një vit radhazi, deri sa mori pozitën që tashmë mbanë. Shkollën e mesme ai e përfundoi në Gjimnazin “Aleksander Xhuvani”, ndërsa fakultetin ekonomik në UP.

Aulona Dragusha që nga maji i këtij viti po ashtu do të mbajë pozitën e hetueses pranë Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në PK.

Ajo trajnimin themelor për kadet policor e përfundoi në nëntor të 2020-ës, më pas deri në janar të 2021-ës punoi si zyrtare patrulluese në ekipin reagues në Podujevë, e pozitën e njëjtë e ushtroi edhe në stacionin policor “qendra” në Prishtinë deri në maj të 2023-ës.

Dragusha në 2017-ën përfundoi shkollën e mesme “Haxhi Kadri Prishtina”, e më pas vazhdoi në fakultetin juridik në UP, ku ende i vazhdon studimet.

Avni Krasniqi me pozitën e hetuesit, nga viti 2000 deri në vitin 2004 ka qenë zyrtar policor në ekipin reagues në nivel të stacionit policor “Veriu” në Prishtinë.

Nga prilli i 2004 deri në vitin 2016 ka punuar si hetues në po të njëjtin stacion. Në maj të vitit 2016 deri në maj të vitit 2023 ka mbajtur pozitën e mbikëqyrësit të stacionit “Veriu” në Prishtinë ndërsa këtë muaj ai është përzgjedhur që të jetë pjesë e ekipit për hetimin e krimeve të luftës në Departamentin e ri që është themeluar.

 

Krasniqi sipas dosjes ka kryer shkollën e mesme të policisë dhe fakultetin juridik

Ardian Ademaj është hetuesi tjetër i cili nisi punën në Policinë e Kosovës në vitin 2003 dhe në atë kohë punoi në stacionin policor “Alfa” në Prizren. Më vonë po atë vit ai u transferua në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, punë këtë që e kreu deri në vitin 2004 për të kaluar më pas për tre vjet rresht në Njësinë e Standardeve Profesionale.

Në vitet 2017-2018 ai punoi në njësinë e hetimeve rajonale në Prishtinë ndërsa më pas kaloi në Drejtorinë për hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore ku punoi deri në vitin 2014.

Në vitin 2014, ai punoi në Ambasadën Amerikane në Prishtinë më pas u kthye si hetues në njësinë e hetimeve rajonale në Prishtinë, punë të cilën e kreu deri në vendimin e fundit që mori këtë muaj për të punuar si hetues në Departamentin e ri për hetimin e krimeve të luftës.

Ademaj ka kryer shkollën e mesme ekonomike, master të ekonomisë, dhe fakultetin juridik.

Fixhrije Zabërxha përgjatë viteve 2001-2003 ka punuar si zyrtare policore në stacionin “Jugu” në Prishtinë. Për gjashtë vite të tjera, pra deri në vitin 2009 pastaj e njëjta u ngrit në hetuese. Nga 2013 deri në maj të vitit 2023 Zabërxha ka punuar si zyrtare në zyrën e analizave dhe statistikave në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike.

Zaberxha ka të kryer shkollën e mesme.

Valon Islami i është bashkangjitur Policisë së Kosovës në vitin 2015. Ai ka kryer shkollën e mesme dhe fakultetin ekonomik.

Ai ka kryer kursin bazik në akademi e më pas nga 2016 deri në vitin 2020 ka punuar si zyrtar policor në njësinë intervenuese në stacionin policor “Veriu” në Prishtinë. Tutje ai deri këtë muaj ishte pozicionuar si hetues në njësinë e hetimeve në po të njëjtin stacion policor.

Një hetues tjetër është Kushtrim Gashi. I njëjti ka përfunduar fakultetin ekonomik dhe është dukë vazhduar studimet master për menaxhim të burimeve njerëzore.

Gashi është punësuar në vitin 2015 dhe për tri vjet ai shërbeu si zyrtar patrullues në stacionin policor në Fushë Kosovë.

Tutje nga viti 2019-2023 ai ishte pozicionuar në Njësinë e hetimeve të Krimeve Ekonomike.

Besar Tahiraj ka nisur punën në Policinë e Kosovës në vitin 2012. Nga tetori i vitit 2014 deri në vitin 2016 ai ishte hetues në njësinë e hetimeve rajonale në Prishtinë e më pas kaloi në hetues në Drejtorinë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pozicion të cilin e mbajti deri këtë muaj.

Tahiraj ka përfunduar shkollën e mesme, fakultetin filozofik degën e historisë dhe është apsolvent në fakultetin juridik.

Bajram Bajrami është hetuesi tjetër që do të jetë pjesë e ekipit për hetimin e krimeve të luftës. Ai iu bashkangjit policisë në vitin 2014. Në vitet 2015-2017 ai ishte zyrtar policor në stacionin “Qendra” në Prishtinë e që më pas kaloi në hetime në po të njëjtin stacion, ku qëndroi deri këtë muaj.

Bajrami ka përfunduar shkollimin e mesme, fakultetin ekonomik dhe juridik.

Agon Haxhaj është hetuesi tjetër i cili do të jetë pjesë e ekipit. Haxhaj ka përfunduar shkollimin e mesëm dhe është student në fakultetin juridik në një kolegj privat. Në vitin 2014 ai u bashkangjit në Policinë e Kosovës ndërsa nga viti 2015-2019 ai punoi në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.

Tutje nga viti 2019 deri këtë muaj ai ka qenë pjesë e njësisë speciale operative.

I pari i Drejtorisë për hetimin e krimeve të luftës në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu është pjesëtar i kësaj të fundit që nga gushti i 2000-ës, prej atëherë ai shërbeu në shumë pozita, prej asaj të policit e deri tek ajo e drejtorit.

Përgjatë vitit 2000, Spahiu shërbeu si polic në ekipin patrullues në Stacioni Policor Jugu në Mitrovicë.

Spahiu arriti që pas tri viteve të bëhet mbikëqyrës i kësaj ekipe, e pas një viti, në 2004-ës ai u bë udhëheqës i togut Njësia Operative Mbështetëse Rajonale në Mitrovicë.

Gjatë viteve 2005-ës dhe 2006-ës, ai mori pozitën e shefit të kësaj njësie e më pas u emërua Komandant i Stacionit Jugu në Mitrovicë. Aty Spahiu shërbeu deri në vitin 2010.

Nga 2010-ta deri në 2012 Spahiu u transferua në Prishtinë, ku udhëhoqi stacionit Veriu në kryeqytet për dy vite radhazi.

Spahiu pozitën e komandantit e ushtroi edhe në stacionin Qendra në Prishtinë deri në 2013, e përgjatë këtij viti, po të njëjtën pozitë e ushtroi edhe në stacionin policor në Vushtrri.

Nga Vushtrria, Spahiu iu rikthye prapë rajonit të Prishtinës. Për tri vite, deri në 2016 ai mbajti pozitën e shefit të sektorit të operativës rajonale në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës.

Përderisa, nga 2016 deri në 2018, ai pranë kësaj drejtorie shërbeu si shef i sektorit të resurseve, ndërsa më pas ai deri në 2021-ës shërbeu si drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Që nga atëherë, e deri këtë vit kur u emërua prapë si drejtor i një drejtorie në Policinë e Kosovës, Spahiu shërbeu si shef i sektorit për migrim.

Përgatitja akademike e drejtorit të hetimit të krimeve të luftës në PK

Spahiu shkollën fillore e kreu në Runikë të Skenderajt, për të vazhduar më pas shkolli1min e mesëm në “Matematik Natyror”.

Dosja e tij tregon se drejtori i Hetimit të Krimeve të Luftës pranë PK-së ka të kryer fakultetin juridik, e po ashtu masterin juridiko-penal.

Në mesin e përgatitjes së tij profesionale, drejtori Spahiu kreu disa kurse e trajnime. Një nga këto kurse është ai për analizën e nevojave të trajnimit, e po ashtu edhe për të Drejtat e Njeriut.

Spahiu kreu kursin për Menaxhim të vijës së parë të mbikëqyrjes dhe menaxhimi të trazirave – të gjitha nivelet.

Tutje dosja e Spahiut tregon se ai është i përgatitur edhe për menaxhim të mesëm e ekzekutiv, e po ashtu edhe i trajnuar për “Sigurim të Objekteve vitale nga Sulmet Terroriste” – trajnim ky i përfunduar në Ankara të Turqisë.

Spahiu gjithashtu përfundoi trajnimin “Udhëheqja nga zyrtarët ekzekutivë të zbatimit të ligjit” në Budapest, Hungari dhe po ashtu një trajnim dhjetë javorë në “North Western University”, pranë shkollës së Stafit dhe Komandës Policore.

Ndër të tjera, Spahiu është i trajnuar edhe për “Menaxhim të sigurisë në samitet ndërkombëtare”, të cilin po ashtu e kreu në Ankara.

Spahiu u shpërblye edhe më medalje e mirënjohje. CV-ja e tij bën të ditur se ai mbanë medalje për shërbim të besnikërisë dhe mirënjohje e letër falënderime nga Policia e Kosovës, institucione vendore dhe ndërkombëtare.

Sa i përket gradimeve, ai deri më tani ka ndërruar pesë grada, përfshirë këtu edhe shërbimin si polic.

Në 2003 ai u gradua si rreshter, ndërsa pas dy viteve mori gradën e togerit. Në 2006-ën, Spahiu ndërroi prapë gradë, kësaj here ai kaloi në kapiten, pozitë të cilën e mbajti deri në 2017.

Që nga 2017-ta, e deri më sot kur shërben si drejtor për hetim të krimeve të luftës, ai mbanë gradën e majorit.

Sipas  ligjit të ri për paga, me koeficientin e caktuar për 2023-ën, grada e majorit pranë Policisë së Kosovës paguhet me 861 euro, ndërsa drejtori i departamentit paguhet me 1 mijë e 176 euro.

Hetues me shkollë të mesme e me Fakultet Filozofik hetojnë krimet e luftës