Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Pjesëtari i Policisë Dëshmon në Gjykimin e ish-Koleges

Bashkim Spahiu i cili është pjesëtar i Policisë së Kosovës dëshmoi në gjykimin e Xhevahire Vatovcit, ish zyrtares së prokurimit në Policinë së Kosovës, e akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Spahiu, i cili ishte edhe anëtar i komisionit për vlerësimin e tenderit për furnizim me karburant në vitin 2009, tregoi para trupit gjykues se si janë vlerësuar ofertat nga komisioni, pjesë e së cilës ishte edhe vetë Spahiu.

Komisioni sipas Spahiut përveç vatovcit dhe vetë atij, përbëhej edhe nga tre persona tjerë.

Spahiu, në pjesën më të madhe të deklaratës së tij para trupit gjykues, tha se nuk i kujtoheshin gjërat pasi që ka kaluar një kohë e gjatë.

Ai gjatë dëshmisë mbrojti punën e komisionit në të cilin bënte pjesë.

“Komisioni punën e ka kryer si duhet dhe në bazë të rekomandimit të komisionit është nënshkruar edhe kontrata”, tha Spahiu.

Duke iu përgjigjur pyetjes së të akuzuarës se a ka bërë ajo ndonjë presion në anëtarët e komisionit në çfarëdo mënyre, Spahiu e mohoi presionin e Vatovcit mbi anëtarë të këtij komisioni.

Para dëshmisë së Spahiut u dha fjala hyrëse në të cilën prokurorja bëri të ditur se do të paraqesë prova dhe fakte me të cilat do të vërtetohet aktakuza, ndërsa Blerim Presteshi, avokati mbrojtës i së akuzuarës e kundërshtoi aktakuzën duke thënë se të gjitha provat do të argumentojnë të kundërtën e asaj çka është paraqitur në aktakuzë.

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prishtinë më datën 17 tetor 2011 ka ngritur aktakuzë ndaj Xhevahire Vatovcit duke e akuzuar se në cilësinë e në cilësinë e zyrtares së Zyrës së Prokurimit në Policinë e Kosovës dhe si kryetare e komisionit për vlerësim, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për ndërmarrjen private “HIB Petroll” SH.P.K. nga Ferizaj ka shpërdorur pozitën zyrtare dhe ka tejkaluar autorizimet zyrtare duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë.

Sipas aktakuzës, “HIB Petroll” SH.P.K në bazë të derivateve të shpenzuara gjatë periudhës 06 prill 2009 deri 31 dhjetor 2010 ka përfituar shumën prej 280.370,91 euro, shumë kjo me të cilën ka dëmtuar buxhetin e Policisë së Kosovës.