FOTO-Ilustrim

Martesa që këputi fëmijërinë

Në djepin prej druri kishte vënë të flejë djalin dhjetë muajsh derisa ora 10 e paradites e kishte zënë duke përgatitur një pite për mëngjes.

Majlinda* banore e lagjes “28” në Fushë Kosovë ka vetëm 18 vjet, por ka tre vite që është martuar pak metra nga shtëpia e saj ku është rritur.

Një vit pasi është martuar ajo është bërë nënë e një djali dhe roli i mëmësisë përshkon shumicën e ditëve të saja.

“Ka hangër pire, i kam jep ujë të pijë edhe e kam vendos në djep me flejt djalin se sot i ka dalë gjumi shumë herët” tregon ajo.

Ngjashëm me Majlindën, në repartin e gjinekologjisë në QKUK vetëm në vitin 2019 u bënë  111 lindje nga vajzat nën moshën 18 vjeçare, ndërsa 78 lindje në vitin 2020.

Bashkëshortja e nëna e re në moshë, e cila shkollën e ka braktisur në klasën e tretë thotë se arsyeja e vetme pse është martuar është dashuria. 

“Më ka pëlqyer. Unë e kam pas shtëpinë kah xhamia. Edhe jemi rastësisht jemi takuar, jemi pajtuar me njëri tjetrin, pak e hiç, pak e hiç edhe në fund unë kam shkuar tek ai” rrëfeu ajo.

Jetesa e saj e përditshme në shtëpinë e burrit, megjithatë nuk është e lehtë. Mënyra se si familja dhjetë anëtarëshe mbijeton është mbledhja dhe shitja e  shisheve e kanaqeve nëpër lagje e kontenjerë që nuk u mjafton as për të siguruar ushqimin. E kjo lloj jetese e ka kufizuar atë që edhe të integrohen me pjesën tjetër të shoqërisë.

“Nuk dalim kurrë në qytet na vajzat. Veç qitu mbrenda rrimë, i kryjmë punët, e kqyrim televizion, seriale”, thotë ajo. 

Vajzat nga komunitetet joshumicë, rome, ashkalike dhe egjiptiane në Kosovë janë më shpesh subjekt i martesave të hershme në krahasim me meshkujt në komunitetet e tyre dhe vajzat nga komunitetet e tjera.

Sipas raportit të publikuar nga Qendra për Arsim në Kosovë pothuajse 43% e vajzave rome, ashkalike dhe egjiptiane deri në moshën 18 vjeçare janë të martuara ose në bashkëjetesë krahasuar me vetëm 14 përqind të meshkujve nga komunitetet e tyre dhe 10% të vajzave nga komunitetet e tjera.

Ndërsa, të dhënat e UNICEF-it,  tregojnë se rreth 12% e vajzave nga këto komunitete martohen para moshës 15 vjeçare, krahasuar me vetëm 1% të meshkujve nga këto komunitete dhe më pak se 1% e vajzave nga komunitetet e tjera që martohen para kësaj moshe. 

Por krahas kushteve të rënda ekonomike dhe vendbanimit të papërshtatshëm për jetesë, Majlinda nuk është penduar që është martuar për shkak se e sheh shumë normale në zonën ku jeton.

“Ka që nuk martohen rrinë te nana e vet, e e ruajnë nanën e vet. Ka çika që martohen ka që nuk martohen.Gjithkush atë drejtimin e vet, po tash çka të bëjë jam martuar” u shpreh ajo.

Megjithatë, martesën nën moshën 20 vjeçare, ajo nuk ia sugjeron i asnjë vajze.

“I them vajzave  të reja mos të martohen kur i kanë ma pak se 20 vjet. Ma mirë të qëndrojnë tek nana, nuk ka ma mirë se të qëndrojnë tek nana. Por nëse do kisha punuar, e kisha pas rrogën time, kishim punu, kishim ble do tokë vet, ndoshta ma mirë do ishte” inkurajoi ajo.

Vetëm gjatë vitit 2020 në Policinë e Kosovës janë raportuar 42 raste të bashkësisë jashtëmartesore me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Ndërsa gjatë vitit 2019 janë raportuar  41 raste të tilla.

Majlinda e cila pak vite nga jeta e saj ka jetuar në Gjermani ku edhe ka kryer tri vite shkollë, ishte kthyer në Kosovë pasi që nëna e saj i kishte prishur dokumentat për t’u martuar në Kosovë.

Së bashku me dokumentat e nënës së saj, u prish edhe dëshira e Majlindës për të vazhduar mësimin në Kosovë. Sipas saj, ambienti ku komunitetet e kryejnë shkollimin është shumë i ashpër ndaj tyre sa që nuk i lë as hapësirë për të pasur dëshirë për shkollim.

“Masandej këtu ia kam nis pak shkollës e tani e kam lënë se më ngucshin në shkollë. Mësuesja ka qenë e keqe e djemtë më gjujshin me shishe, më ngucshin, tani e lashë shkollën. Nuk kemi qejf me shku në shkollë se sillen shumë keq me neve” tregoi 18 vjeçarja.

Ndërprerja e shkollimit i paraprin martesave të hershme dhe sipas hulumtimeve të organizatave jo-qeveritare vajzat e komuniteteve jo shumicë në Kosovë janë më të rrezikuara nga kjo dukuri.

Në raportin e organizatës The Ideas Partnership”  thuhet se në mesin e shkaqeve kryesore të martesës së hershme janë mungesa e arsimit dhe situata e rënde ekonomike.

Në moshë të re u martua edhe Ermira* nga Vushtrria.  19 vjeçarja ka afër dy muaj që pas një lindje të vështirë. Ajo ka treguar për sfidat e të qenurit nënë pa qenë e gatshme për lindjen dhe mëmësinë.

“Unë jam martuar me dëshirë[17 vjeçe], por nuk jam pishman aq, se Zoti më ka begatuar me një fëmijë tash vonë. Ama të gjitha vajzave do ju thoja ta vazhdonin shkollimin, se burrë gjen kur duash e shkollimin jo valla” u shpreh ajo.

Sipas UNICEF-it,  vajzat që martohen para moshës 18 vjeç kanë më shumë të ngjarë të përjetojnë dhunë në familje dhe më pak të ngjarë të mbeten në shkollë. 

Pasojat e martesës së hershme Ermira* i ka vërejtur në fillim kur ka parë moshataret e saj duke vazhduar shkollimin, të cilin ajo e kishte lënë në gjysmë. Por goditjen më të madhe thotë se e ka marrë nga shtatëzania dhe mungesa e përgatitjes fizike dhe mentale për të.

“Kur kam përjetuar dhimbjen më të madhe e kam kuptu që të martohesh e re, lë shenjë. Me lind kur nuk di çka është lindja e në dorë ke një fëmijë që ke me ja kushtu jetën atëherë e di rëndësinë e fjalëve që nuk i ke marrë parasysh” u shpreh Ermira.

Sipas Konventës së të Drejtave të Fëmijës dhe Ligji për Familjen në Kosovë, personi nën moshën 18 vjeçare konsiderohet fëmijë.

Mirëpo, Ligji për Familjen nuk është i qartë rreth faktit nëse pas martese, fëmiu do të kalojë  në statusin “i rritur” apo mbetet nën kujdesin e e prindërve të tij/asaj gjer në moshën 18 vjeçare.

Në Kosovë, martesat mund të bëhen vetëm me pëlqimin e plotë dhe të lirë të të dyja palëve dhe atë të bashkëshortëve me moshën mbi 18 vjet. Gjykatat mund të lejojnë martesën e një të mituri mbi moshën 16 vjeçare nëse ai person ka arritur ‘pjekurinë e duhur fizike dhe psikologjike” për ushtrimin e të drejtave martesore dhe përmbushjen e obligimeve martesore. 

Atëkohë, në vitin 2019 kur Ermira* martesën e kishte parë si zgjidhjen e vetme për shpëtim nga jeta që e rrethonte, nuk kishte hasur probleme institucionale për t’u martuar pasi që pas ca javësh mosdëshire nga familja e saj në fund ata ishin dakorduar.

“Prindërit e  vëllezërit nuk kanë pranuar në fillim se ju ka duk larg edhe kanë mendu që nuk mundem me u ambientu me jetën në katun. Por, më vonë e kanë pranuar, e tash fatmirësisht familjet enden shumë mirë mes vete” tregoi ajo.

Krahas të gjitha situatave të këndshme dhe të pakëndshme të këtij rrëfimi, ajo martesën e sheh si një proces të rëndësishëm në jetë, por për të cilin duhesh të jesh shumë e pjekur, e rritur, e shkolluar dhe e gatshme një fazë të re.

“Që të martohesh, duhet të shkollohesh se mas pari fëmijën tënd duhet me eduku e le ma tjerat” , thekson nëna e re.

Sipas Kombeve të Bashkuara rreth 37 mijë vajza nën moshën 18 vjeç martohen çdo ditë në botë. Një në tri vajza në botë janë martuar para moshës 18 vjeç dhe një në nëntë tjera janë martuar para moshës 15 vjeç.

 

Emrat me * janë vendosur nga redaksia për të ruajtur identitetin e të intervistuareve