Prizren – dyshohet se është dhunuar seksualisht një e mitur

Për dy ditë radhazi një vajzë e mitur po dyshohet se është dhunuar nga dy persona, të cilët tashmë janë kapur nga forcat e rendit.

Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, e gjithë ngjarja fillimisht ishte iniciuar si “Person i zhdukur”.

Siç mëson KALLXO.com, e mitura është 13-vjeçare, ndërsa njëri nga dy të dyshuarit që ka rënë në pranga të Policisë është i moshës rreth 20-vjeçare.

E mitura fillimisht nga familjarët ishte raportuar si e zhdukur më 16.03.2024 rreth orës 23:10 në Stacionin Policor në Suharekë, thuhet në raportin e Policisë të datës 22.03.2024.

Policia, me vendim të prokurorit rastin e kishte iniciuar dhe kishte filluar hetimet. Nga këto veprime hetimore, zyrtarët policor nga sektori rajonal i hetimeve arritën që ta gjejnë të miturën në qytetin e Vushtrrisë.

Siç është bërë e ditur 13-vjeçarja është gjetur më 18.03.2024 në 22:45h, e më pas ka filluar edhe bashkëbisedimi me të.

Viktima deklaroi se gjatë dy ditëve sa ka qenë e raportuar si e zhdukur ka qenë nën shoqërimin e dy personave të rritur, në kohë të ndryshme.

Për deklaratat e të miturës, zyrtarët më pas njoftuan edhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që të hapet rast “Dhunimi”.

Raporti i Policisë ka bërë të ditur se njëri nga të arrestuarit është shoqëruar në zyret e policisë dhe është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

Ai mësohet se e pranoi se kishte qenë në hotel me të miturën.

Policia ka thënë se dy të dyshuarit, pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.