Kur urrejtja bëhet status

Rrjetet sociale janë shndërruar në forumin kryesor ku diskutohet për gjithçka dhe gjithkënd, duke filluar nga politika, ngjarjet aktuale e deri tek emisionet ‘reality show’, ku secili nën petkun e lirisë së shprehjes në formë statusi, komenti apo ‘live stream’ shpalos për publikun mendimin pothuajse në kohë reale.

Gjithmonë duke pretenduar alibinë e lirisë së shprehjes, komentet denigruese, thirrjet nxitëse edhe me baza politike, etnike, fetare, por shpesh edhe të parashtruar si satirë, janë kthyer në normalitet në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale si Facebook, Instagram, TikTok dhe rrjete tjera.

Për më tepër, jo rrallë këto gjuhë e komente nuk mbesin vetëm virtualisht po konvertohen në ngjarje reale, konflikte, rrahje e përplasje deri në fatalitet, në veçanti tek të rinjtë.

Kjo gjuhë shpeshherë e shfrenuar në rrjete sociale thellon edhe më shumë ndarjet shoqërore, nxit polarizimin e shoqërisë dhe krijon tension të vazhdueshëm shoqëror dhe në veçanti tension politik në kohë të fushatave zgjedhore apo krizave politike.

Në gjithë këtë mjedis të kontaminuar komunikimi, mungesa e mendimit kritik dhe e vetëdijes për kufijtë e lirisë së shprehjes, e bënë fenomenin edhe më të rrezikshëm, duke e keqkuptuar dhe ngatërruar një të drejtë themelore me potencialisht një vepër penale.

Republika e Kosovës ka një kuadër të avancuar ligjor që ndalon gjuhën e urrejtjes në shumë drejtime, duke përfshirë edhe rrjetet sociale.

Po ashtu, edhe rrjetet sociale kanë krijuar mekanizma që ndalojnë dhe sanksionojnë gjuhën e urrejtjes përmes politikave të tyre që ndalojnë qartë përmbajtjet që nxisin dhunë, diskriminojnë apo përçmojnë individë apo grupe të caktuara.

Megjithatë, zbatimi i këtyre rregullave është larg të qenurit i përkryer për shkak të pamundësisë për të detektuar gjithmonë këtë gjuhë apo nuancat e gjuhës së urrejtjes, veçanërisht kur kjo gjuhë maskohet me ironi, sarkazëm apo gjuhë të koduar.

Mirëpo kjo assesi nuk duhet të keqkuptohet se ata që shpërndajnë gjuhë të urrejtjes mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, qoftë ajo civile apo penale.

Në rastet më të rënda, mund të ndërhyjnë direkt institucionet ligjzbatuese si Policia e Prokuroria, që kanë autorizim për të ndjekur dhe hetuar autorët e përmbajtjeve që përhapin urrejtje apo nxisin dhunë përmes internetit. Në këto raste nuk mjafton që autorët që nxisin gjuhë të urrejtjes ta bëjnë këtë përmes llogarive anonime, sepse përmes rrugëve hetimore Prokuroria dhe Policia mund t’i identifikojë dhe arrestojë ata.

Gjuha e urrejtjes në rrjete sociale është e sanksionuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Neni 141 i këtij neni përcakton veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Kjo vepër përfshin të gjithë format e shprehjes publike që përhapin ose nxisin urrejtje në baza racore, ndëretnike, fetare apo të ngjashme.

“1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.”, përcaktohet në nenin 141 të Kodit Penal.

Ky nen ka rëndësi të veçantë në kontekstin e komunikimit online sepse nuk ka përjashtim apo kufizim mirëpo mjafton përmbajta të jetë shpalosur publikisht, pa kufizuar nëse ka qenë përmes televizionit, radios, Facebook-ut apo Instagram-it.

Zbatimi i drejtë dhe i saktë i këtij neni është vendimtar për të vendosur standardet dhe kufijtë në mes të lirisë së shprehjes dhe shprehjeve që dëmtojnë dinjitetin, sigurinë dhe nxisin urrejtje.

Në veçanti kjo është e rëndësishme për rrjetet sociale ku përmbajtja shpërndahet me shpejtësi dhe arrin audienca të mëdha dhe çdo shprehje ka potencial që të krijojë dëme të mëdha dhe të pariparueshme, përçarje ndëretnike apo ndërfetare, tensione politike, frikësim apo margjinalizim të grupeve më të ndjeshme.

Situata bëhet veçanërisht e ndjeshme në kohë të fushatave zgjedhore ku siç u dëshmua në zgjedhjet e fundit në Kosovë, kishte një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër ndërmjet rivalëve politikë dhe mbështetësve të tyre e kjo kulmoi me qindra mijëra euro dënime ndaj subjekteve politike për shkak të gjuhës së urrejtjes së kandidatëve dhe mbështetësve të tyre.

Në këtë drejtim Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa por pastaj edhe Gjykata Supreme e Kosovës konstatuan se pati përdorim të gjuhës së urrejtjes nga partitë politike të shpalosur edhe përmes rrjeteve sociale.

Rol vendimtar në parandalimin e përhapjes së gjuhës së urrejtjes në rrjete sociale kanë edhe mediat. Ato nuk mund të konsiderohen vetëm kanale të informimit tradicional në faqet e tyre zyrtare apo transmetimeve të drejtpërdrejta. Mediat kanë prezencë tejet të madhe, në raste edhe miliona ndjekës edhe në rrjetet sociale ku shpërndajnë lajme, tituj, komente dhe përmbajtje që shkakton reagim publik.

Në këtë drejtim duhet nënvizuar se mediat kanë përgjegjësi editoriale dhe çdo lloj tjetër përgjegjësie edhe për kanalet e tyre në rrjetet sociale për gjithçka që publikojnë duke përfshirë titujt nxitës, apo përmbajtjen që mund të konsiderohet si gjuhë e urrejtjes.

Kjo përgjegjësi madje nuk kufizohet vetëm lidhur me publikimet e mediave ku janë autorë por edhe me dhënien e mundësisë apo lejimin dhe transmetimin e përmbajtjeve që përmban gjuhë të urrejtjes, pra mediat duhet të përdorin mekanizmat e tyre të brendshëm dhe ashtu sikurse obligohen me Kodin e Etikës së Komisionit të Pavarur për Media apo Kodin e Etikës së Këshillit të Mediave të Shkruara, të vlerësojnë materialet edhe në rrjetet e tyre sociale.

Përveç dimensionit penal dhe trajtimit nga mekanizmat rregullues dhe vetërregullues të mediave, PZAP-së në kohën e fushatave zgjedhore dhe mekanizmave të brendshëm të vetë rrjeteve sociale, gjuha e urrejtjes në rrjete sociale mund të trajtohet përmes padive për shpifje dhe fyerje duke e parashtruar rastin në gjykatë.

Kjo procedurë gjyqësore që ka për bazë Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes nuk e përkufizon gjuhën e urrejtjes, por aplikohet nëse objekt i çështjes janë komentet fyese, denigruese dhe shpifëse që mund të përbëjnë ose nxisin urrejtje ndaj një personi.

Në këto raste, Gjykata mund të konstatojë se këto komente janë shpifëse apo/dhe fyese dhe të obligojë fshirjen e tyre, korrigjimin, kërkim faljen dhe madje mund të caktojë edhe kompensim financiar për dëmin material apo shpirtëror që ka pësuar pala e dëmtuar.

Megjithatë atë, duhet evidentuar se ky ligj vlen në rastet kur deklaratat nuk arrijnë nivelin e përgjegjësisë penale por gjithsesi kanë shkaktuar dëm personal, të reparacionit apo profesional.