Kronologji: Java e parë e sulmeve ruse ndaj Ukrainës

Zhvendosja masive, viktimat në rritje dhe sanksionet ndërkombëtare e shënojnë javën e parë të sulmit rus në Ukrainë.

Pushtimi rus i Ukrainës po futet javën e tij të dytë pa asnjë shenjë të një armëpushimi të afërt, pavarësisht një vërshimi të sanksioneve perëndimore që synojnë ekonominë ruse.

Në ditët kur trupat ruse filluan ofensivën e tyre të enjten e kaluar, dhuna është intensifikuar në disa qytete të mëdha të Ukrainës, duke bërë që qindra mijëra njerëz të largohen nga Ukraina në kërkim të një jetë më të sigurt.

Zyrtarët ukrainasë thonë se vdekjet dhe plagosjet po shtohen ndërsa forcat ruse nisin sulme të reja dhe një autokolonë e madhe ushtarake afrohet më pranë kryeqytetit, Kievit.

Në vijim po japim një kronologji të zhvillimeve në ditët para pushtimit të Rusisë, reagimin ndërkombëtar dhe ngjarjet kryesore që kanë shënuar luftën deri më tani:

21 shkurt: Presidenti rus Vladimir Putin i njeh Luhansk dhe Donetsk, dy rajone separatiste në Ukrainën lindore, si shtete të pavarura dhe urdhëron trupat ruse të veprojnë si “paqeruajtëse” atje.

SHBA i ndalon investimet në këto rajone, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bën thirrje njerëzve të qëndrojnë të qetë, duke thënë: “Ne nuk kemi frikë nga askush dhe asgjë”.

22 shkurt: Parlamenti rus autorizon Putinin ta përdorë forcën ushtarake jashtë vendit. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken anulon një takim me homologun e tij rus Sergej Lavrov.

SHBA vendos sanksione të plota bllokuese ndaj bankës VEB dhe bankës PSB të kontrolluara nga Kremlini, me Thesarin e SHBA-së që thotë se ky vendim e kufizon “aftësinë e Rusisë për t’i financuar kontratat e lidhura me mbrojtjen dhe për të mbledhur fonde të reja për ta financuar fushatën e saj kundër Ukrainës”.

Rusisë i ndalohet të shesë bono sovrane në tregjet e parasë amerikane dhe oligarkëve të afërt me Putinin u sekuestrohen asetet e tyre të mbajtura në SHBA. SHBA gjithashtu zhvendos asetet ushtarake nga Gjermania në shtetet baltike. “Ne ende besojmë se Rusia është e gatshme të shkojë shumë më tej në nisjen e një sulmi masiv ushtarak kundër Ukrainës”, tha presidenti amerikan Joe Biden.

Gjermania ndalon menjëherë procesin e certifikimit të Nord Stream 2, një tubacion në pronësi ruse që synon ta pompojë gazin rus në Gjermani.

23 shkurt: Ukraina shpall gjendjen e jashtëzakonshme mbarëkombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i thotë Asamblesë së Përgjithshme se bota po përballet me një moment rreziku për krizën Ukrainë-Rusi.

Bashkimi Evropian ngrin asetet e 351 anëtarëve të Dumës (dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë), duke i ndaluar ata nga huatë dhe udhëtimet, dhe thërret një samit urgjent për situatën. Biden lejon që sanksionet të vendosen edhe kundër kompanisë që ndërtoi Nord Stream 2.

24 shkurt: Rusia nis një sulm në shkallë të gjërë në Ukrainë.

Zelenskyy urdhëron një mobilizim të përgjithshëm, duke u bërë thirrje të gjithë ukrainasve që janë të gatshëm ta mbrojnë vendin e tyre. Biden e quan pushtimin e Rusisë një “sulm të paramenduar”.

SHBA ndalon pesë banka të tjera ruse nga sistemi financiar amerikan dhe ngrin katër nga pesë asetet e bankave të mbajtura në SHBA. Institucioni i pestë, Sberbank, banka më e madhe e Rusisë, është gjithashtu e ndaluar nga sistemi financiar amerikan, por asetet e tij nuk ngrihen ende.

Tregtia e borxhit dhe kapitalit të 13 bankave dhe ndërmarrjeve shtetërore është gjithashtu e ndaluar në SHBA. SHBA mund të mos eksportojë teknologji të ndjeshme në Rusi në sektorin e avionëve, gjysmëpërçuesit, telekomunikacionin dhe fusha të tjera. Bursa e Moskës bie me një 45 për qind të paprecedentë.

Këshilli Evropian mban një seancë urgjente për ta dënuar “agresionin ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar” të Rusisë.

25 shkurt: Forcat ruse përparojnë drejt kryeqytetit ukrainas, Kievit, pasi Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 50,000 njerëz janë larguar nga vendi që nga fillimi i pushtimit të Moskës.

Bashkimi Evropian pranon ta vendosë Putinin dhe Lavrovin në listën e tij të individëve të sanksionuar. Rusia vë veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon tërheqjen e pakushtëzuar të trupave të saj nga Ukraina.

26 shkurt: Kryetari i bashkisë së Kievit vendos një shtetrrethim në kryeqytetin ukrainas ndërsa trupat ruse përparojnë drejt qytetit. Polonia thotë se rreth 100,000 njerëz kanë kaluar në vend nga Ukraina në mes të luftimeve.

Zelenskyy refuzon një ofertë të SHBA-së për evakuim, duke thënë, “lufta po ndodh këtu”. Ai gjithashtu hedh poshtë raportet ruse se ai u largua nga kryeqyteti, duke postuar një video të tij me anëtarë të lartë të kabinetit në rrugët e Kievit, duke thënë se ata po i bashkoheshin luftës për ta mbrojtur vendin e tyre.

BE thotë se do të marrë masa për të parandaluar që banka qendrore e Rusisë t’i përdorë rezervat e saj të vlerësuara prej 630 miliardë dollarësh për ta financuar luftën dhe për ta minuar ndikimin e sanksioneve.

27 shkurt: Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njofton se avionët rusë do të ndalohen nga hapësira ajrore e BE-së dhe media shtetërore ruse Russia Today, Sputnik dhe filialet e tyre janë të ndaluar nga valët e BE-së dhe interneti.

BE thotë gjithashtu se do t’i ndalojë bankat e zgjedhura ruse nga sistemi i transaksioneve ndërbankare SWIFT, duke i shkëputur ato në thelb nga sistemi financiar global.

Fondi i pasurisë sovrane të Norvegjisë prej 1.3 trilion dollarësh thotë se do të tërhiqet nga të gjitha 47 investimet e saj ruse, me vlerë 2.8 miliardë dollarë. Aksionet e saj më të mëdha janë në Sberbank, e cila u sanksionua më parë nga SHBA dhe BE.

Kompania e madhe e naftës BP thotë se do të tërhiqet nga pothuajse 20 për qind e aksioneve në Rosneft, gjiganti shtetëror i naftës rus, për shkak të veprimit ushtarak të vendit në Ukrainë. Aksionet vlerësohen në 14 miliardë dollarë dhe përbëjnë rreth gjysmën e rezervave të naftës dhe gazit të BP.

Trupat ruse avancojnë drejt tri qyteteve të Ukrainës: Kiev, Kharkiv dhe Kherson. Ata duket se përballen me rezistencë të ashpër që zyrtarët amerikanë thonë se po e ngadalëson përparimin e tyre. Ministria ukrainase e mbrojtjes thotë se i vlerëson se humbjet në 4500 njerëz të vrarë, 150 tanke dhe 700 transportues të blinduar të personelit të shkatërruar dhe shtatë avionë luftarakë dhe 26 helikopterë të rrëzuar.

28 shkurt: Përmes një lëvizje kryesisht simbolike, Ukraina aplikon për t’u anëtarësuar në BE.

Rusia dhe Ukraina mbajnë raundin e parë të bisedimeve për armëpushim në kufirin me Bjellorusinë. Bisedimet përfundojnë pas pesë orësh pa ndonjë marrëveshje.

Granatimet ruse e kanë pushtuar Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, ku jetojnë 1.5 milionë banorë. Sipas zyrtarëve ukrainasë, artileria ruse bombardon zonat e banuara, duke vrarë të paktën 11 persona. Zeleknsyy thotë se plani rus është ta terrorizojë popullsinë civile të vendit.

Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mohon që trupat ruse po i targetojnë civilët, duke thënë: “Ne dëgjojmë gënjeshtra dhe mashtrime për granatimet pa dallim të objekteve, spitaleve dhe shkollave të Ukrainës… ushtria ruse nuk kërcënon civilët në Ukrainë; nuk godet infrastrukturën civile”.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së fillon mbledhjen e saj të parë urgjente në dekada për të diskutuar pushtimin e Rusisë, me Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guterres duke thënë se rruga drejt diplomacisë duhet të mbetet e hapur. Më shumë se 500,000 ukrainasë janë larguar nga Ukraina, thotë gjithashtu OKB.

Gjigandi i naftës Shell thotë se do të tërhiqet nga projektet e përbashkëta me Gazprom, monopoli rus i gazit. Kapitali i Shell-it në këto projekte vlerësohet në 3 miliardë dollarë. Ajo thotë se do të përfundojë gjithashtu përfshirjen e saj në Nord Stream 2.

Efekti i ndalimit të bankave ruse nga SëIFT ndihet, pasi rubla bie 30 për qind, duke e detyruar Putinin ta nxjerrë një dekret për vendosjen e kontrolleve të kapitalit. Rusëve u ndalohet të transferojnë para ose të bëjnë pagesa kredie jashtë vendit, megjithëse banka qendrore një ditë më vonë sqaron se borxhi i jashtëm ende mund të paguhet. Rusët rreshtohen jashtë bankave për të bërë tërheqje.

BE – së bashku me SHBA-në dhe aleatët e tjerë – vendos një ndalim të transaksioneve me Bankën Qendrore Ruse, që do të thotë se pagesat ndaj kompanive dhe subjekteve ruse nuk mund të dërgohen.

1 Mars: Një autokolonë ruse 65 km e gjatë grumbullohet në periferi të Kievit.

Presioni rritet gjithashtu në Kharkiv dhe Mariupol në lindje dhe Kherson në jug të vendit. Një raketë ruse godet sheshin përpara ndërtesës administrative të Kharkiv, duke i hedhur në erë çatinë dhe duke e copëtuar atë. 

Human Rights Watch raporton se rusët po përdorin bomba kasetë kundër civilëve. Zyrtarët ukrainasë e akuzojnë gjithashtu Rusinë se ka vënë në shënjestër një kullë televizive në Kiev në një sulm që vrau pesë persona.

Pushtimi rus i Ukrainës dominon pjesët e hershme të fjalimit të parë të Biden-it për Gjendjen e Unionit. Presidenti amerikan njofton se vendi do ta mbyllë hapësirën ajrore amerikane për fluturimet ruse dhe premton se Putini do ta paguajë një “çmim të vazhdueshëm” për luftën.

Zelenskyy u bën thirrje vendeve perëndimore që ta konsiderojnë vendosjen e një zone të ndaluar fluturimi për avionët rusë. SHBA e hedh poshtë kërkesën, me sekretaren e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke thënë se një vendim i tillë mund ta tërheqë Uashingtonin në një konflikt të drejtpërdrejtë me Moskën.

2 mars: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton një rezolutë jodetyruese që e dënon Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë dhe kërkon një tërheqje të menjëhershme. Rezoluta është mbështetur nga 141 prej 193 anëtarëve të asamblesë. Tridhjetë e pesë vende anëtare, përfshirë Kinën, abstenojnë.

Rusia pretendon se forcat e saj e kanë pushtuar qytetin Kherson, në jug të Ukrainës. Autoritetet lokale mohojnë se qyteti ka rënë, por thonë se trupat ruse e kanë rrethuar atë.

Negociatori rus thotë se një raund i dytë bisedimesh do të zhvillohet të enjten, por Ukraina hedh dyshime mbi planin. OKB thotë se më shumë se 870,000 njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit.

SHBA njofton krijimin e një grupi të ri pune – të quajtur “KleptoCapture” – që synon t’i mbajë përgjegjës oligarkët rusë dhe të sigurojë që një sërë sanksionesh amerikane të vendosura për pushtimin rus të Ukrainës janë duke u zbatuar./AlJazeera